Një studim i përmasave të mëdha tregon se si grupet e krahasimit ndikojnë në rezultatet e kërkimeve mbi COVID-in e zgjatur dhe cilat probleme shëndetësore afatgjata lidhen me virusin. COVID-i i zgjatur mund t'i bëjë njerëzit të ndihen keq për një kohë të gjatë pas një infeksioni. Por përcaktimi i problemeve shëndetësore që shkaktohen nga virusi varet pjesërisht edhe nga personat me të cilët studiuesit krahasojnë pacientët.Lexo edhe:Studimi zbulon: Truri i nënës krijon lidhje me foshnjën që para lindjes Një ekip i Universitetit të Stanfordit zbuloi se sa shumë rëndësi ka kjo zgjedhje. Kur studiuesit përsëritën një metodë të përdorur në studimet e mëparshme, ajo e lidhi COVID-in me probleme shëndetësore që nuk kishin gjasa të shkaktoheshin prej tij, përfshirë dëmtimet nga goditjet e rrufesë, mbytja dhe goditja elektrike. Ndryshimi i grupit të krahasimit prodhoi një listë shumë më të shkurtër të efekteve afatgjata. Deri në vitin e dytë, asnjë problem nuk i plotësonte kriteret e përcaktuara nga studimi, megjithëse kjo nuk do të thotë se çdo pacient ishte shëruar. Një ndryshim i jashtëzakonshëm Ekipi u mbështet në 14,4 miliardë kërkesa për rimbursim të shpenzimeve mjekësore, që përfshinin afro 245 milionë pacientë në SHBA. Këto të dhëna përbëhen nga faturat e mjekëve, spitaleve dhe farmacive, ndaj pasqyrojnë kujdesin mjekësor të marrë dhe jo mënyrën se si ndihet një person çdo ditë. Në periudhën nga rreth katër muaj deri në një vit pas infektimit, metoda e rishikuar lidhi me COVID-in 98% më pak probleme shëndetësore sesa metoda e vjetër, duke përdorur të njëjtat të dhëna. Jure Leskovec, profesor i shkencave kompjuterike në Universitetin e Stanfordit, ishte një nga autorët kryesorë të studimit. "Kjo nuk do të thotë se COVID-i i zgjatur është 98 për qind më pak i përhapur. Do të thotë se mënyra se si i hartojmë këto studime ndryshon në mënyrë thelbësore efektet shëndetësore që mund t'ia atribuojmë me besueshmëri COVID-it”, tha Leskovec. Kush i nënshtrohet testimit Shumë studime të mëparshme i krahasuan personat që rezultonin pozitivë me ata që nuk kishin një diagnozë të regjistruar të COVID-it. Në grupin e dytë përfshiheshin si personat që kishin rezultuar negativë në test, ashtu edhe ata që nuk ishin testuar kurrë. Këto grupe mund të kenë dallime që ekzistojnë edhe përpara se të shfaqet COVID-i. Dikush mund të testohet gjatë një vizite për diabetin ose për një sëmundje tjetër, apo sepse shkon më shpesh te mjeku. "Nëse krahasoni personat që kanë rezultuar pozitivë për COVID-in me ata që nuk janë testuar kurrë, rrezikoni t'ia atribuoni vetë virusit dallimet që lidhen me gjendjen e tyre shëndetësore paraprake dhe me mënyrën se si kërkojnë kujdes mjekësor”, tha Leskovec. Shqetësimi është se studiuesit mund të përfjnë duke fajësuar COVID-in për probleme që lidhen me gjendjen shëndetësore ekzistuese të një personi ose me arsyet për të cilat ai ka kërkuar kujdes mjekësor. Verifikimi i këtij shqetësimi Ekipi krahasoi personat që kishin rezultuar negativë në test dhe nuk kishin pasur kurrë një rast COVID-i të regjistruar me persona të patestuar, të cilët kishin histori të ngjashme mjekësore. Në periudhën nga një deri në katër muaj më vonë, 82,5% e problemeve shëndetësore të monitoruara ishin të paktën 10% më të shpeshta te grupi që kishte rezultuar negativ në test. Një test negativ nuk mund t'i shpjegonte këto probleme shtesë; studiuesit vunë në dukje faktorë të tjerë që lidhen me arsyet për të cilat njerëzit i nënshtrohen testimit. Për analizën kryesore, periudha e ndjekjes filloi me testin e parë PCR të secilit pacient, të kryer midis 1 marsit 2020 dhe 1 marsit 2021. Ekipi krahasoi vetëm rezultatet pozitive me ato negative, në mënyrë që të gjithë pjesëmarrësit të kishin një arsye për t'u testuar. Më pas, studiuesit përshtatën grupin e krahasimit në mënyrë që ai të kishte të njëjtën histori mjekësore si grupi me rezultate pozitive gjatë katër viteve të mëparshme. Ata përshtatën gjithashtu krahasimin sipas moshës, gjinisë dhe treguesve të lagjes ku banonin pjesëmarrësit, siç janë të ardhurat. Krijimi i grupeve të krahasueshme Kjo metodë e përputhjes quhet kontroll sintetik. Stefan Wager, bashkautor kryesor i studimit dhe profesor i asociuar në Shkollën e Diplomuar të Biznesit të Stanfordit, tha se ekonomistët e përdorin zakonisht këtë metodë. Të dhënat erdhën nga Komodo Health, një kompani që mbledh kërkesa për rimbursimin e shpenzimeve mjekësore nga siguruesit shëndetësorë, farmacitë dhe programe të tilla si Medicare dhe Medicaid. Studiuesit i ndoqën pacientët për një periudhë deri në dy vjet dhe shqyrtuan 614 rezultate shëndetësore. "Edhe me 244 milionë pacientë, mund të marrësh përgjigje shumë të sakta për pyetjen e gabuar. Hartimi i studimit ka po aq rëndësi sa madhësia e të dhënave”, tha Leskovec. Si një verifikim fillestar, metoda e rishikuar identifikoi simptomat e njohura të COVID-it gjatë muajit të parë të infektimit. Lidhje që dukeshin të gabuara Hamed Nilforoshan, doktorant i shkencave kompjuterike në Stanford dhe një nga tre autorët e parë të studimit, rikrijoi gjithashtu metodën e vjetër, duke ndjekur nga afër një studim të vitit 2021 të botuar në revistën Nature. "Diçka nuk po përputhej”, tha Nilforoshan. Ekipi shqyrtoi 49 rezultate shëndetësore që COVID-i nuk mund t'i shkaktonte në mënyrë të besueshme, përfshirë dëmtimet nga armët e zjarrit dhe defektet e lindura të diagnostikuara te të rriturit. Metoda e vjetër e lidhi COVID-in me më shumë se gjysmën e tyre. Ajo sugjeroi një rritje prej 76% në një kategori dëmtimesh që përfshinte goditjet e rrufesë, mbytjen dhe goditjen elektrike. Gjithashtu, sugjeroi një rritje prej 18,6% të rasteve kur të rriturit merrnin diagnoza për defekte të lindura të syrit, veshit, fytyrës ose qafës. Autorët thanë se këto lidhje të pamundura shpjegoheshin me gjasë nga rastësia ose nga mangësitë në hartimin e studimit. Metoda e rishikuar evidentoi vetëm dy nga 49 rezultatet, të dyja duke treguar një rrezik më të ulët pas një testi pozitiv. Kjo sugjeron se ajo mund të nënvlerësojë lehtësisht disa efekte reale. Çfarë ndryshoi me kalimin e kohës Për rezultatet kryesore, një problem shëndetësor duhej të shfaqte një rritje prej të paktën 10% dhe të kalonte një kontroll të rreptë statistikor, i cili merrte parasysh qindra krahasime. Nga dita e 30-të deri në ditën e 119-të, metoda e rishikuar lidhi 43 probleme shëndetësore me COVID-in, krahasuar me 262 sipas metodës së vjetër. Nga rreth katër muaj deri në një vit, metoda e rishikuar evidentoi pesë probleme, krahasuar me 286 sipas metodës së vjetër. Gjatë vitit të dytë, këto shifra ishin përkatësisht zero dhe 369. Mesatarisht, problemet shëndetësore të regjistruara te grupi me rezultate pozitive u ulën brenda një viti deri në nivelin e grupit të krahasimit. Studime të mëparshme amerikane me veteranë kishin evidentuar efekte të dëmshme edhe pas dy ose tre vjetësh. Problemet e hershme mbetën të dukshme Gjatë muajve të parë, COVID-i vazhdoi të lidhej me probleme që preknin mushkëritë, zemrën dhe enët e gjakut, veshkat, sistemin imunitar, muskujt, aparatin tretës dhe sistemin nervor. U evidentua gjithashtu rënia e flokëve. Rritja më e madhe relative u vu re te miopatia, një sëmundje e muskujve, ku kërkesat për rimbursim të shpenzimeve mjekësore përkatëse ishin rreth tri herë më të shpeshta pas një testi pozitiv. Kërkesat për rimbursimin e trajtimit të rënies së flokëve ishin pothuajse dy herë më të shpeshta, ndërsa rrahjet e shpejta ose të çrregullta të zemrës, kequshqyerja dhe lodhja ishin 12% deri në 21% më të shpeshta. Në periudhën nga rreth katër muaj deri në një vit, pesë probleme vazhdonin të plotësonin kriteret: miopatia, rënia e flokëve, dy kategori të mpiksjes së gjakut në mushkëri dhe pamjaftueshmëria respiratore. Pneumonia, vështirësia në frymëmarrje, dhimbja e kraharorit dhe lodhja u rritën me më pak se 10%. Edhe rritje të vogla të problemeve kaq të përhapura mund të prekin një numër të madh njerëzish. Çfarë nuk mund të tregojnë të dhënat Steven Goodman, profesor në Departamentin e Epidemiologjisë dhe Shëndetit të Popullatës në Fakultetin e Mjekësisë të Stanfordit, i krahasoi gjetjet me sëmundjet që vazhdojnë të shkaktojnë probleme edhe pas infeksioneve të tjera. "Këto gjetje tregojnë se COVID-i i zgjatur mund të jetë më i ngjashëm me sindromat e tjera postvirale të zgjatura nga sa kanë menduar shumë njerëz”, tha Goodman. Megjithatë, të dhënat e faturimit mund të mos i pasqyrojnë simptoma të tilla si lodhja dhe mjegullimi i trurit. Studimi përfshiu gjithashtu persona që kërkuan të kryenin testin PCR përmes sistemit shëndetësor, duke lënë jashtë infeksionet e identifikuara vetëm përmes testeve të kryera në shtëpi. Rreth 20% e grupit të krahasimit u infektuan me COVID brenda dy viteve, gjë që mund t'i bëjë efektet e virusit të duken më të vogla. Studimi nuk mundi të përcaktonte se çfarë i shkaktonte simptomat që vazhdonin përtej një viti. Autorët theksuan se simptomat afatgjata janë reale. Sëmundje të tjera që kishin nxitur kryerjen e testit fillestar, ose faktorë të tjerë, mund të ndihmojnë në shpjegimin e tyre, por këto të dhëna nuk mund ta përcaktojnë përfundimisht këtë çështje. "Këto rezultate duhet të plotësojnë vlerësimet klinike të mjekëve dhe jo t'i zëvendësojnë ato”, tha Leskovec. Ekipi bëri thirrje për kërkime mbi biologjinë e COVID-it të zgjatur dhe biomarkerët, pra tregues të matshëm në organizëm që mund të ndihmojnë në identifikimin e tij. Ata sugjeruan gjithashtu që studimet e mëparshme të përsëriten duke përdorur grupe krahasimi të bazuara në testim, për të parë se sa ndryshojnë rezultatet e tyre./Earth.com

