Lajme Zone
“Live me Luizin” nis sonte, spektakli i ri në Top Channel, Ejlli debuton si moderator: Emision për të gjithë familjen
Të tjeraTop Channel

“Live me Luizin” nis sonte, spektakli i ri në Top Channel, Ejlli debuton si moderator: Emision për të gjithë familjen

Dritat janë ndezur, kamerat janë gati për të nxjerrë në ekranin e Top Channel programin që të gjithë e prisni…

Dritat janë ndezur, kamerat janë gati për të nxjerrë në ekranin e Top Channel programin që të gjithë e prisni… “Live me Luizin” nis sonte në orën 21:00.

“E di që pritshmëria është shumë e lartë, ‘ia kam ba vedit’ sepse kam thënë do e shihni, por jam shumë i lumtur sepse kemi bërë një punë shumë të mirë. E kemi mirëmenduar”, tha këngëtari Luiz Ejlli.

Këngëtarin Luiz Ejlli, i cili me pjesëmarrjen në edicionin e dytë të “Big Brother VIP” bëri për vete publikun, që e shpalli fitues të padiskutueshëm, do ta shohim për herë të parë në moderim dhe krejt ndryshe nga sa e kemi pare në reality show. Në këtë përvojë krejt të re që e ka marrë me shumë përgjegjësi, Ejlli i ka vënë qëllim vetes t’i ofrojë publikut një program që bën bashkë të gjithë familjen.

“Sikurse e mbaj mend i vogël që kur vinte fundjava, mblidhej e gjithë familja bashkë para televizorit për të parë një program. E merrte babi telekomandën, e dinte që s’kishte pse e mbante në dorë se mos kishte diçka të gabuar. Ky do të jetë një emision që e shohin të gjithë, që nga fëmijët deri te mosha e tretë, të gjithë do e gjejnë veten, dikush te humori, dikush te tema, dikush te personazhi“, u shpreh ai.

Në studion madhështore krejtësisht të re, me praninë e orkestrës live, Luiz Ejlli do të ftojë në bashkëbisedim personazhe të njohur që do të përfshihen në sfida argëtuese, performanca muzikore dhe momente spontane.

“Qëllimi im atje ishte t’i nxirrja të gjithë jashtë, këtu kam për qëllim t’i fus të tërë brenda. Këtu jam në shtëpinë time dhe nëse të thërras në shtëpinë time, të thërras për të të nderuar. Do të hynë të lumtur dhe do të dalin të lumtur”, vijoi më tej këngëtari.

Luiz Ejlli zbulon ekskluzivisht të ftuarit e natës premierë, që do të ngjiten në këtë skenë pas një ore.

“Alketa Vejsiu, Gjergj Leka, Eli Fara, Manjola Nallbani, Sinan Vllasaliu”, tha Ejlli.

Spektakël, emocione, humor, lojëra dhe muzikë, gjithçka që “Live me Luizin” ka përgatitur për publikun, mund ta shijoni çdo të premte në mbrëmje në prime time në Top Channel. Top Channel