Në mbledhjen e Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Kryetari i Kuvendit prezantoi sot bilancin e punës së Kuvendit gjatë dy sesioneve të para të Legjislaturës së XI, duke e cilësuar këtë periudhë si një fazë reformash dhe modernizimi institucional, në funksion të përmbushjes së objektivit strategjik të anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian. Gjatë fjalës së tij, ai theksoi se Kuvendi ka forcuar tre funksionet e tij kushtetuese, ligjvënës, mbikëqyrës dhe zgjedhës, duke miratuar 131 ligje, rreth 40 më shumë se në dy sesionet e fundit të legjislaturës së kaluar. Një pjesë e rëndësishme e veprimtarisë parlamentare i është kushtuar procesit të integrimit europian, me shqyrtimin e projektligjeve për përafrimin e legjislacionit me acquis të Bashkimit Europian, monitorimin e negociatave dhe miratimin me konsensus të Rezolutës për anëtarësimin e Shqipërisë në BE.
Në aspektin e mbikëqyrjes parlamentare, u vu në dukje zbatimi i një modeli të ri, të orientuar drejt vlerësimit të performancës së institucioneve dhe monitorimit të zbatimit të rekomandimeve të Kuvendit, si dhe hartimi për herë të parë i Kalendarit Vjetor të Mbikëqyrjes Parlamentare. Kryetari i Kuvendit ndaloi edhe te modernizimi teknologjik i institucionit, duke veçuar përdorimin e inteligjencës artificiale për transkriptimin automatik të mbledhjeve parlamentare dhe zhvillimin e platformës Media Hub AI, e cila do të rrisë transparencën dhe aksesin e publikut në veprimtarinë parlamentare.
Në fjalën e tij u vlerësua edhe roli i diplomacisë parlamentare në mbështetje të procesit të integrimit europian, përmes intensifikimit të bashkëpunimit me Parlamentin Europian, parlamentet e vendeve anëtare të Bashkimit Europian, Kongresin Amerikan dhe partnerët ndërkombëtarë.
Kryetari i Kuvendit shprehu mirënjohjen për deputetët e Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste për kontributin e tyre në veprimtarinë parlamentare, diplomacinë parlamentare dhe angazhimin në komunitet, duke theksuar se faza përfundimtare e procesit të integrimit europian kërkon angazhimin e të gjitha institucioneve dhe të gjithë shoqërisë shqiptare.
Ndërkohe tha se kanë nisur edhe procedurat për ndërtimin e një godine të re të Kuvendit.
“Sa i përket ambicies për një godinë të re të Kuvendit të Shqipërisë, kemi ndërtuar bashkëpunimin me Agjencinë Kombëtare të Planifikimit të Territorit dhe Korporatën Shqiptare të Investimeve. Kemi nxjerrë termat e referencës dhe kemi punuar mbi to, duke shfrytëzuar edhe bazën e të dhënave të referencës nga disa konkurse arkitekturore të së kaluarës, të cilat natyrisht kanë nevojë për një dorë tjetër, për një rifreskim, sidomos në aspektin e teknologjive të reja, që në atë kohë nuk kanë qenë prezente dhe që sot janë një fuqi e re. Sipas planifikimit tonë, besoj se në fund të shtatorit ose në fillim të tetorit do të jemi gati për të shpallur një konkurs ndërkombëtar për një godinë të re të Parlamentit Shqiptar”, tha Peleshi. Top Channel

