Demenca ndryshon mënyrën se si njerëzit ndërveprojnë me të tjerët. Edhe një person që mund ta keni përshkruar si njeriun më të qetë në botë, papritur mund të duket agresiv. Çfarë mund të bëni nëse ndodh kjo?Lexo edhe:Dyshoni se keni ADHD? Gjashtë pyetje që duhet t’ia bëni vetes përpara se të kërkoni diagnozën Së pari, merrni frymë thellë dhe qetësohuni. Madje, mund të dilni për një çast nga dhoma. Pasi të qartësoni mendimet, do ta keni më të lehtë të kuptoni shkakun e asaj që po e nxit këtë sjellje. Në fund të fundit, sharjet, të bërtiturat, largimi i njerëzve me shtyrje e të ngjashme nuk ndodhin nga keqdashja, por përcjellin një mesazh, thotë Nisma Gjermane për Kërkimet mbi Alzheimerin (AFI). Ky mesazh është se, në atë moment, diçka nuk është në rregull për personin me demencë. Ankthi, dhimbja dhe faktorë të tjerë nxitës Megjithatë, mund ta keni të vështirë të kuptoni se çfarë e shqetëson saktësisht personin. Reagimet agresive mund të kenë shkaqe të ndryshme. Një prej tyre mund të jetë ankthi. Personat me demencë mund t’i perceptojnë edhe situatat e përditshme në dukje "të vogla“ si një kërcënim të madh. Kjo mund të ndodhë, për shembull, kur duhet të presin për pak kohë dikë dhe nuk e dinë nëse ai person do të kthehet. Dhimbja dhe shqetësimi fizik mund ta mjnë gjithashtu personin. Meqenëse personat me demencë nuk mund t’i shprehin qartë me fjalë këto ndjesi, ndonjëherë i shfaqin ato përmes sjelljes agresive. Ata mund të ndihen të mbingarkuar nga një numër i tepërt stimujsh. Drita e fortë, zhurmat, përshtypjet e reja dhe prania e njerëzve mund të bëhen gjithashtu të tepërta për personat me demencë. Fjalët e buta dhe pak shpërqendrim mund të ndihmojnë Ajo që nuk ndihmon është nëse edhe ju reagoni me zemërim, pasi kjo mund ta shqetësojë edhe më shumë personin me demencë. Përkundrazi, durimi dhe empatia janë qasjet më të dobishme, thotë AFI. Qetësojeni personin me demencë duke përdorur një gjuhë të butë dhe gjeste që i japin siguri. Pasi të identifikoni shkaktarin, mund të përpiqeni ta eliminoni atë – për shembull, duke e çuar personin në një vend më të qetë. Mund të ndihmojë gjithashtu në zbutjen e situatës nëse ia drejtoni vëmendjen personit drejt diçkaje interesante ose pozitive. Kjo mund të jetë një melodi e këndshme ose një album me fotografi, sugjeron AFI. Si masë parandaluese, mund të siguroheni që personi me demencë të ketë një rutinë të përditshme të strukturuar mjaftueshëm. Për shembull, fillimisht veshja, pastaj mëngjesi dhe më pas një shëtitje e shkurtër. Rutina të tilla të qëndrueshme dhe të përsëritura krijojnë një ndjenjë sigurie dhe ulin rrezikun e situatave në të cilat personi ndihet i mbingarkuar./DPA News

