Dëshmitarët e Jehovait tashmë lejohen të pranojnë shumicën e llojeve të transfuzioneve të gjakut, pas një rishikimi të interpretimit të një vargu biblik. Trupi drejtues i këtij komuniteti fetar tha të premten se tashmë do t’u lejojë anëtarëve të vendosin vetë nëse duan të pranojnë qeliza të kuqe të gjakut, qeliza të bardha, plazmë dhe trombocite të dhuruara.Lexo edhe:3 shenjat e horoskopit që tërheqin pasuri dhe sukses gjatë gjithë tetorit Vargu biblik që u udhëzon besimtarëve të përmbahen nga gjaku,Veprat 15:20, ishte interpretuar më parë si ndalim i transfuzioneve. Ndërsa ndryshimi përfshin shumicën e transfuzioneve moderne, besimtarëve ende u ndalohet të pranojnë transfuzione të gjakut të plotë. Në fillim të këtij viti, trupi drejtues lehtësoi kufizimet, duke u lejuar anëtarëve që gjaku i tyre të merrej, të ruhej dhe t’u rikthehej në trup para procedurave mjekësore. Por kjo është hera e parë që lejohen trajtime që përfshijnë transferimin e gjakut nga një person tjetër. “Çështje e ndërgjegjes personale” Në një deklaratë, trupi drejtues tha: “Vendimi për të pranuar qeliza të kuqe, qeliza të bardha, plazmë ose trombocite nga gjaku i një personi tjetër është çështje e ndërgjegjes personale. “Po kështu, çdo Dëshmitar duhet të vendosë nëse do të dhurojë gjak apo jo, me qëllimin e shprehur qartë që përbërësit ose fraksionet e tij të përdoren nga një person tjetër. “Refuzimi i kahershëm i transfuzioneve të gjakut të plotë për arsye fetare, një mësim themelor i bazuar në urdhrin për të ‘abstenuar nga gjaku’, mbetet i pandryshuar.” Paul Gillies, zëdhënës ndërkombëtar i Dëshmitarëve të Jehovait, tha se gjaku mbetet “i shenjtë”. “Ne pranojmë se vendimet mjekësore që lidhen me përbërësit e gjakut janë çështje ndërgjegjeje midis secilit Dëshmitar dhe Perëndisë së tij, Jehovait”, shtoi zoti Gillies. “Komunitetet lokale nuk ndërhyjnë në vendimet personale që i takojnë ndërgjegjes së individit. Ne do të vazhdojmë të respektojmë dhe mbështesim vendimet personale të bashkëbesimtarëve tanë.” Nuk mund të rikthehen “mijërat që nuk e morën vesh ndryshimin” John Viney, ish-Dëshmitar i Jehovait, tha në një deklaratë të publikuar nga Humanists UK: “Ky ndryshim i politikës së rreptë të Dëshmitarëve të Jehovait ‘pa gjak’ nuk është thjesht një ‘sqarim’, por një masë që mund të shpëtojë jetë për çdo anëtar në të ardhmen që do të ketë nevojë për transfuzion të ndonjë prej përbërësve kryesorë të gjakut. “Sa keq që Perëndia nuk e ‘sqaroi’ këtë vite më parë, kur unë isha pranë shtratit të një gruaje që vdiq pasi refuzoi transfuzionin e qelizave të kuqe të gjakut. “Udhëheqësit e Dëshmitarëve të Jehovait mund ta shpjegojnë këtë si një përditësim, por kjo nuk mund t’i rikthejë ata mijëra njerëz që nuk e morën vesh ‘përditësimin’.” Trupi drejtues pretendon se në Mbretërinë e Bashkuar ka rreth 144,000 Dëshmitarë të Jehovait. Kjo shifër pasqyron një besim themelor të Dëshmitarëve të Jehovait, se saktësisht 144,000 të krishterë besnikë do të ringjallen në qiell për të sunduar së bashku me Jezusin. Anëtarët e këtij komuniteti nuk festojnë Krishtlindjen apo ditëlindjet dhe mund të “përjashtohen” për shkelje të rregullave të rrepta morale lidhur me seksin, alkoolin, sharjet, bixhozin dhe çështje të tjera të mënyrës së jetesës. Të rriturit në Mbretërinë e Bashkuar kanë të drejtë të refuzojnë trajtime mjekësore, përfshirë transfuzionet e gjakut. Kolegji Mbretëror i Kirurgëve është përballur prej kohësh me çështjet e pëlqimit dhe sigurisë që lidhen me këtë, duke paralajmëruar kirurgët se dhënia e informacionit për pacientët, si mundësia që ata të vdesin pa një transfuzion gjaku, mund të kalojë në “ndikim të padrejtë ose detyrim”. / The Telegraph – Syri.net

