Për mijëra vjet, flamujt e bardhë kanë qenë simbol i dorëzimit, kryesisht sepse ngjyra e bardhë dallohej lehtë dhe një copë pëlhure e tillë gjendej pa shumë vështirësi. Është një skenë që e kemi parë kudo, nga filmat e luftës deri te filmat vizatimorë “Tomand Jerry”. Por pse valëvitja e një flamuri të bardhë është bërë simbol i kapitullimit ose dorëzimit?Lexo edhe:Studimi: Me vapën në Alpe, marmotat heqin dorë nga loja Në fakt, historianët e Romës dhe Kinës së lashtë përmendin përdorimin e flamurit të bardhë në raste dorëzimi rreth 2000 vjet më parë. Pra, kjo nuk është aspak një traditë moderne. Një simbol i lashtë i dorëzimit Edhe pse kjo praktikë nuk është ndjekur gjithmonë gjatë historisë, ushtritë që dorëzoheshin në Mesjetë, për shembull, shpesh valëvitnin flamurin e armikut si shenjë kapitullimi, historiani romak Taciti përmend një rast të tillë në veprën e tij “Historiae”, të shkruar në shekullin II pas Krishtit. Taciti shkruan se, pas humbjes së mbështetësve të perandorit Vitelius nga forcat e rivalit të tij, Vespasianit, në Betejën e Dytë të Kremonës në vitin 69 pas Krishtit, përkrahësit e Viteliusit ngritën një flamur të bardhë për të sinjalizuar dorëzimin. Në Kinë, flamuri i bardhë ishte bërë gjithashtu simbol i dorëzimit gjatë fillimit të Dinastisë Han, e cila erdhi në pushtet që në vitin 25 pas Krishtit. Pse e bardha u bë standardi? Edhe pse duket se bota lindore dhe ajo perëndimore e përvetësuan përdorimin e flamurit të bardhë në mënyrë krejt të pavarur nga njëra-tjetra, zgjedhja e ngjyrës së bardhë nuk ishte aspak rastësi. Ajo bazohej në dy arsye të thjeshta: dukshmëria dhe prakticiteti. Nga njëra anë, një flamur ose copë pëlhure e bardhë, e pastër dhe e ndritshme, do të binte menjëherë në sy mes flamujve, shiritave dhe banderolave shumëngjyrëshe që ushtarët mbanin zakonisht në fushëbetejat e së kaluarës. Një flamur i tillë do të dallohej qartë edhe në peizazhin përreth. Kështu, vendimi i një pale për t’u dorëzuar mund të shihej qartë nga kundërshtari, edhe në mes të një beteje të përgjakshme, madje edhe në errësirë. Nga ana tjetër, pëlhurat me ngjyra ose të lyera ishin shpesh të shtrenjta dhe të vështira për t’u gjetur në kohët e lashta. Prandaj, një copë pëlhure e zakonshme, pa ngjyrë, do të ishte shumë më e lehtë për t’u gjetur nëse situata bëhej dëshpëruese dhe një grup ushtarësh vendoste të dorëzohej. Për shembull, një flamur i improvizuar i bardhë mund të bëhej duke shqyer një pjesë të çadrës ose strehës, një batanijeje, madje edhe të veshjeve ose uniformës së një ushtari. Në këtë mënyrë, sinjali i dorëzimit mund të dërgohej pothuajse menjëherë në fushëbetejë. Tani imagjinoni sikur tradita të ishte të valëvitej një flamur blu ose jeshil për të sinjalizuar dorëzimin. Për një grup ushtarësh ose luftëtarësh të rrethuar, që tashmë po i shteronin furnizimet, do të ishte shumë më e vështirë të gjenin një copë pëlhure të përshtatshme në atë moment vendimtar.

