Bashkimi Evropian ka reaguar pas përshkallëzimit të protestës së studentëve në Tiranë, duke shprehur shqetësim për aktet e dhunshme dhe pretendimet për përdorim të tepruar të forcës nga policia ndaj protestuesve dhe gazetarëve. Në një reagim për News24, pas interesimit të televizionit, delegacioni i BE-së thekson se liria e tubimit dhe e shprehjes janë të drejta themelore dhe vlera thelbësore evropiane, të cilat duhet të respektohen dhe të ushtrohen në mënyrë paqësore. “Ne shprehim shqetësim në lidhje me përshkallëzimin e dhunshëm të protestës në Tiranë”, thuhet në reagimin e delegacionit të Bashkimit Evropian. BE-ja shprehet se është në dijeni të pretendimeve për përdorim të tepruar të dhunës nga efektivët e policisë ndaj protestuesve dhe gazetarëve, duke nënvizuar se veprimet e forcave të rendit duhet të jenë proporcionale dhe në përputhje me të drejtat themelore. “Presim që veprimet e policisë të jenë proporcionale dhe të respektojnë të drejtat themelore, siç edhe presim që këto raste të hetohen me përparësi”, thekson delegacioni i BE-së. Në përfundim, Bashkimi Evropian u bën thirrje të gjitha palëve të ulin tensionet, duke vënë theksin te nevoja për dialog konstruktiv mes aktorëve të përfshirë.
“Dialogu konstruktiv ndërmjet të gjithë aktorëve të përfshirë është e vetmja rrugë përpara”, përfn reagimi i delegacionit të BE-së për News24. © BalkanWeb Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb

