Asociacioni i Gazetarëve të Shqipërisë ka publikuar raportin gjashtëmujor për lirinë e medias dhe sigurinë e gazetarëve, në të cilin janë analizuar 42 reagime dhe publikime të organizatës, të lidhura me 31 raste dhe zhvillime konkrete gjatë gjashtë muajve të parë të vitit 2026. Në këto raste janë identifikuar me emër 23 profesionistë të medias. Tetë raste janë klasifikuar se kishin si formë dominuese dhunën fizike, rrezikimin e drejtpërdrejtë ose dëmtimin e pronës, ndërsa nëntë raste, ose 29% e totalit të çështjeve të monitoruara, prekën gra gazetare dhe drejtuese të medias. LEXO edhe...Burri rreh me shkop gruan në mes të protestës, përfn në Komisariat (VIDEO) “Gjatë periudhës janar–qershor 2026, monitorimi i AGSH-së përshkruan një mjedis mediatik ku cenimet e lirisë së shtypit nuk janë episodike dhe nuk burojnë nga një aktor i vetëm”, thuhet në raport. Sipas dokumentit, punonjësit e medias janë përballur me dhunë gjatë protestave, sulme fizike, kërcënime pas investigimeve, presion verbal nga zyrtarë dhe politikanë, pengim në terren, përjashtim selektiv nga konferencat, kufizim të informacionit zyrtar dhe presion gjyqësor . Gjetja kryesore e raportit është lidhja mes sulmeve publike ndaj gazetarëve dhe rritjes së rrezikut të tyre në terren. “Normalizimi i gjuhës denigruese ndaj medias dhe rritja e incidenteve në terren ushqejnë njëri-tjetrin: delegjitimimi publik ul pragun e tolerancës ndaj pengimit, kërcënimit dhe dhunës ndaj gazetarëve”, thekson AGSH. Raporti evidenton se protestat mbetën mjediset me rrezikun më të lartë fizik për ekipet mediatike. Në të paktën katër momente të veçanta më 24 janar, 10 shkurt, 9 maj dhe gjatë ciklit të protestave të qershorit u dokumentuan raste rrezikimi, pengimi ose agresioni ndaj gazetarëve dhe operatorëve. Rreziku, sipas raportit, erdhi si nga përdorimi i gazit lotsjellës dhe ujit me presion nga policia, ashtu edhe nga protestues apo persona që ndërhynë në raportimet e drejtpërdrejta. “Jo çdo sulm verbal çon në dhunë, por përsëritja e gjuhës delegjitimuese krijon një mjedis ku agresioni ndaj gazetarit perceptohet më lehtë si i pranueshëm”, vëren raporti. Sipas raportit, aktorët politikë dhe zyrtarët publikë përbëjnë kategorinë më të shpeshtë të subjekteve të lidhura me presionin ndaj medias. Një tjetër problem lidhet me strategjinë e re të komunikimit të Policisë së Shtetit. AGSH reagoi dy herë gjatë muajit maj, duke ngritur shqetësimin se centralizimi i informacionit dhe vonesat në komunikimin e ngjarjeve të rënda krijojnë një vakuum informativ. “Kur kanalet zyrtare kufizohen në operacione dhe aktivitete protokollare, krijohet vakum që vështirëson verifikimin, favorizon spekulimin dhe rrit varësinë nga burimet joformale”, thuhet në raport. Raporti i kushton një kapitull të posaçëm sulmeve ndaj grave dhe vajzave gazetare. Tetë gra u identifikuan me emër në raste individuale, ndërsa një reagim tjetër lidhej me një sulm seksist ndaj një grupi gazetaresh. “Sulmi gjinor synon ta zhvendosë debatin nga përmbajtja e raportimit te trupi, morali, jeta private ose ‘vlera’ personale e gazetares”, thekson raporti. AGSH kërkon hetime dhe akses të barabartë Në përfundim, AGSH vlerëson se liria e medias në Shqipëri cenohet nga një kombinim faktorësh që nuk mund të trajtohen të shkëputur nga njëri-tjetri. “Këto forma nuk duhen trajtuar si probleme të ndara; ato krijojnë së bashku një klimë që nxit vetëcensurën dhe dobëson rolin mbikëqyrës të medias”, thuhet në raport. Organizata u kërkon institucioneve të publikojnë statusin dhe rezultatet e hetimeve për çdo sulm, kërcënim ose dëmtim prone ndaj punonjësve të medias; të zbatojnë protokolle për mbrojtjen e gazetarëve në protesta; të garantojnë akses të barabartë në konferenca dhe informacion. Partive politike dhe aktorëve publikë u kërkohet të ndalojnë etiketimet që e paraqesin median si armike ose kriminale dhe t’u përgjigjen raportimeve me fakte dhe mjete ligjore, jo me sulme personale, mobilizim të turmave online apo kufizim të aksesit. Kliko këtu për të parë raportin e plotë R.Xh/E.H/ReportTv.al dhuna ndaj gazetareve proteste gazetare agsh liria e medias Komento Komente Sondazhi i ditës: Si ju duket plani i qeverisjes i paraqitur në Pogradec nga Rama? Mirë 55.1% Keq 32.7% Nuk e di 12.2% Vota total: 1432 Sondazhi i ditës: Si ju duket plani i qeverisjes i paraqitur në Pogradec nga Rama?
