Pedagogia e Fakultetit të Drejtësisë, Enkelejda Olldashi, ka mbetur e lënduar gjatë protestës së ditës së sotme. Bashkëshortja e ish-deputetit të ndjerë, Sokol Olldashi, ka qenë pranë studentëve në mbështetje të kauzës së të rinjve për kushte më të mira dhe një të ardhme me dinjitet në Shqipëri. Teksa ndodhej në zonën e Rrugës së Durrësit, zonja Olldashi nuk i shpëtoi gazit lotsjellës të policisë dhe shihet duke lotuar, ndërsa të rinjtë i vinë në ndihmë.
Gazetarja e Top Channel, Kristi Gongo ishte në një lidhje të drejtpërdrejtë me emisionin “Shqipëria Live” me Sidorela Gjonin, në momentin kur shihet pedagogia teksa vrapon për të ndihmuar një të ri që po shoqërohej nga policia.
“Është tensionuar situata pasi efektivët kanë dalë në terren duke vrapuar për të ndjekur protestuesit, të rinjtë, për t’u shoqëruar më pas drejt pjesës së pasme të Ministrisë. Shohim se kanë ndërhyrë edhe vajzat për të ndalur shoqërimin e shokëve të tyre. Janë duke u përleshur të dyja palët me njëra-tjetrën. Ndërkohë po hidhet piper. Janë pamje të rënda. Është dhe pedagogia e Drejtësisë, e cila po ndërhyn për të ndalur shoqërimin e të riut. Janë 5 efektivë me një djalë”, tha Kristi Gongo në raportimin me “Shqipëria Live”. Top Channel

