Leku shqiptar ka regjistruar forcimin më të madh ndaj euros gjatë dekadës së fundit, krahasuar me 40 monedhat kryesore globale të përfshira në analizën e Eurostat, duke e ulur me rreth një të tretën vlerën e euros në tregun vendas që nga viti 2016. Sipas Eurostat në gusht 2016, një euro këmbehej me 136.51 lekë, ndërsa në gusht 2026 kursi zbriti në 92.78 lekë për euro, me rënie 32% të vlerës së euros ndaj lekut në një periudhë 10-vjeçare. Në matjet e Eurostat u analizua kursi mesatar i këmbimit mujor për 40 nga monedhat kryesore në qarkullim në botë, europiane dhe jashtë Europës. Leku rezulton valuta me mbiçmimin më të madh ndaj euros në periudhën gusht 2016 – gusht 2026 (shiko grafikun me poshtë). Krahasimi i Eurostat përfshin monedha të rëndësishme të ekonomive të zhvilluara dhe në zhvillim, si dollari amerikan, franga zvicerane, sterlina britanike, jeni japonez, dollari kanadez, dollari australian, por edhe monedha europiane si korona çeke, zloty polak, forinta hungareze, leu rumun, dinari serb dhe denari i Maqedonisë së Veriut, etj. Këmbimi i lekut është shkëputur ndjeshëm nga pjesa më e madhe e monedhave të tjera të analizuara. Në asnjë prej valutave kryesore në listën e Eurostat nuk është regjistruar një rënie kaq e madhe e kursit të euros ndaj një monedhë vendase. Franga zvicerane dhe korona çeke pas lekut
Pas lekut, forcimet më të mëdha ndaj euros janë regjistruar nga franga zvicerane dhe korona çeke, por me ritme dukshëm më të ulëta. Franga zvicerane u forcua rreth 14% ndaj euros, ndërkohë, korona çeke është forcuar me rreth 10.5%, ndërmjet gusht 2016- gusht 2026
Në rajonin e Ballkanit, lëvizjet kanë qenë shumë më të moderuara. Dinari serb është forcuar me rreth 5% ndaj euros, ndërsa denari i Maqedonisë së Veriut ka mbetur pothuajse i pandryshuar, me kursin rreth 61.5 denarë për euro në të dyja periudhat.
Edhe disa monedha europiane të vendeve të zhvilluara kanë pasur ndryshime të kufizuara. Sterlina britanike dhe zloty polak kanë ruajtur pothuajse të njëjtin raport me euron, ndërsa disa monedha të tjera janë dobësuar gjatë kësaj periudhe.
Shumica e valutave janë dobësuar ndaj euros
Ndryshe nga leku, një pjesë e madhe e monedhave të përfshira në analizë kanë humbur terren ndaj euros gjatë dhjetë viteve të fundit.
Euro është forcuar ndjeshëm ndaj lirës turke, ku kursi ka kaluar nga 3.32 lira për euro në gusht 2016 në mbi 55 lira në gusht 2026. Po ashtu, euro ka fituar terren ndaj hryvnias ukrainase, jenit japonez, rupisë indiane dhe disa valutave të tjera.
Në rastin e monedhave të mëdha ndërkombëtare, ndryshimet kanë qenë më të kufizuara. Dollari amerikan ka kaluar nga 1.12 dollarë për euro në 1.16 dollarë për euro, duke reflektuar një dobësim relativisht të moderuar ndaj monedhës europiane.
Një dekadë ndryshimesh në kursin e këmbimit
Forcimi i lekut ka ndryshuar ndjeshëm raportin mes monedhës shqiptare dhe euros. Në vitin 2016, një euro kushtonte mbi 136 lekë, ndërsa në vitin 2026 niveli është afër 93 lekëve.
Të dhënat e Eurostat matin vetëm ndryshimin e kursit të këmbimit dhe nuk japin një analizë të faktorëve që kanë ndikuar në lëvizjet e monedhave. Për Shqipërinë, periudha e forcimit të lekut ka përkuar me rritjen e hyrjeve valutore në ekonomi, përfshirë zgjerimin e turizmit, rritjen e remitancave dhe flukset e tjera në valutë, kryesisht parasë informale që ka hyrë në pjesën më të madhe përmes ndërtimit. / monitor © BalkanWeb Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb

