Lea Ypi / Nga nacionalizmi dhe identiteti te socializmi dhe kapitalizmi, filozofja shqiptare analizon konfliktet e së kaluarës që vazhdojnë të formësojnë politikën e sotme... “Dinjiteti”, libri i ri i filozofes dhe shkrimtares shqiptare Lea Ypi, është para së gjithash një kërkim mbi atë që mbetet kur gjithçka shembet. Tre vjet pas romanit të saj të parë, “E lirë”, i cili u shndërrua në një sukses ndërkombëtar dhe u përkthye në 35 gjuhë, Ypi rikthehet te letërsia me një vepër që ndërthur kujtimet, sagën familjare dhe romanin historik.
Në qendër është historia e Lemanit, gjyshes së autores, e cila përshkon detin e trazuar të historisë së shekullit XX, në vijën gjithnjë e më të thellë të ndarjes mes “Perëndimit” dhe pjesës tjetër të botës.
Kufijtë, shtetësia, drejtësia sociale dhe morali, tema që qëndrojnë në qendër të kërkimit filozofik të Ypit, pedagoge e Teorisë Politike në London School of Economics, shfaqen edhe në këtë vepër.
Historia e Lemanit, gjyshes suaj, përshkon perandori, shtete, qytete, fe dhe regjime politike. Duke e ndjekur atë, lexuesi humbet në labirintin e ndërlikuar të origjinës. Pyetja “Kush je? Kush jam?” duket se përshkon gjithë librin.
Historia nis në periudhën e shfaqjes së nacionalizmit modern. Në atë kohë, shteti-komb perceptohej si një përgjigje përparimtare ndaj konflikteve politike. Kjo ndodhi në Turqi, Greqi, Shqipëri dhe në shumë vende të tjera të Ballkanit.
Këto shtete të reja të pavarura lindën me synimin për t’u garantuar qytetarëve përfaqësim politik dhe të drejta. Në këtë kuptim, ato përfaqësonin një përparim. Por çdo zgjidhje politike krijon edhe probleme të reja.
Shteti-komb zgjidhi problemin e perandorisë, por krijoi një tjetër. Ai prodhoi subjektin kombëtar dhe, njëkohësisht, vendosi një dallim mes atyre që i përkasin dhe atyre që nuk i përkasin komunitetit politik. Pikërisht këtu lindën shumë prej tensioneve të mëvonshme. Krizat ekonomike, shembja e perandorive dhe transformimet shoqërore, filluan të interpretoheshin përmes identitetit. Fashizmi dhe nacionalizmi e shndërruan identitetin në përgjigje ndaj konflikteve që, në të vërtetë, kishin shkaqe shumë më komplekse.
Paralelisht me historinë e Lemanit, në libër zhvillohet edhe një tjetër linjë kohore: puna juaj për rindërtimin e historisë përmes arkivave të Shqipërisë dhe Greqisë…
Më interesonte të hyja në dokumentet reale dhe në burimet historike. Por arkivi nuk flet vetë. Ai duhet të merret në pyetje. Prandaj libri përpiqet të vendosë në dialog dokumentin me rrëfimin, burimin historik me përvojën e jetuar, duke treguar edhe çarjet e pashmangshme mes tyre.
Doja të bëja të dukshëm procesin e kërkimit në arkiva dhe tensionin mes burimeve, dokumenteve dhe interpretimeve që u japim atyre, sepse besoj se kujtesa është një terren konflikti. Të kesh qasje te burimet. nuk do të thotë automatikisht se e kupton historinë.
Çdo shoqëri ndërton një marrëdhënie të caktuar me të kaluarën dhe tenton që ta organizojë kujtesën sipas nevojave të së tashmes. Kjo është veçanërisht e dukshme në vendet që kanë dalë nga socializmi shtetëror.
Aty kujtesa publike shpesh organizohet për të forcuar një rrëfim të caktuar, atë të një bote të kaluar tashmë që nuk kishte asnjë vlerë dhe të një bote të re që, pavarësisht kufizimeve të saj, do të ishte gjithsesi më e mirë.
Në romanet tuaja dialogojnë dy botë që rrallë komunikojnë vërtet me njëra-tjetrën: vendet e Evropës Lindore postkomuniste dhe e majta evropiane. Nga njëra anë është përvoja e socializmit real, nga ana tjetër betejat dhe kritika ndaj kapitalizmit...
Në botën postkomuniste, marksizmi perceptohet kryesisht si histori e jetuar. Është jeta e prindërve, e gjyshërve, madje edhe jeta jote. Kjo krijon një qëndrim shumë të veçantë, ndjesinë se idetë nuk kanë rëndësi, sepse rëndësi ka vetëm ajo që u ka ndodhur njerëzve.
Nëse përpiqesh të diskutosh për Shqipërinë përmes një kritike teorike të sistemit kapitalist, shumë njerëz të thonë: “Nuk ka nevojë të ma shpjegosh, unë e kam jetuar atë histori”.
Historia duket sikur e përthith plotësisht filozofinë. Në botën kapitaliste perëndimore, ndodh e kundërta. Ka një prirje për të ruajtur filozofinë dhe për të harruar historinë. Përvoja e socializmit shpesh trajtohet si diçka e jashtme, pothuajse si një parantezë që u përket vendeve të largëta dhe të prapambetura.
Thuhet se Bashkimi Sovjetik nuk ishte një shoqëri industriale e zhvilluar, se Shqipëria ishte një vend periferik. Në këtë mënyrë, ajo histori shkëputet nga debati i sotëm.
Cili është problemi me këtë ndarje?
Ajo e bën të pamundur një bilanc serioz të shekullit XX. Nga njëra anë, arrihet në përfundimin se idetë socialiste janë komprometuar në mënyrë të pakthyeshme nga historia e tyre. Nga ana tjetër, vazhdohet të diskutohet për kritikën ndaj kapitalizmit pa reflektuar mbi atë që ndodhi në vendet socialiste.
Kjo ndarje e delegjitimon socializmin si projekt për të ardhmen.
Në reflektimet tuaja rikthehet shpesh historia, në pjesën më të madhe e harruar, e zërave kritikë brenda bllokut sovjetik. Për shembull, për Gjermaninë Lindore...
Një nga gjërat që më bëjnë më shumë përshtypje është mënyra se si, pas vitit 1989, shumë tradita të kritikës së brendshme ndaj socializmit u fshinë. Ato ishin kërkesa për demokratizim, më shumë pjesëmarrje dhe drejtësi sociale. Nuk nënkuptonin domosdoshmërisht kapitalizmin.
Fundi i Gjermanisë Lindore rrëfehet zakonisht si një fitore e lirisë mbi diktaturën, por realiteti është më kompleks. Në njëfarë kuptimi, Lufta e Ftohtë përfi ashtu siç përfjnë shumë luftëra: fituesit u imponuan të mundurve kushtet e tyre.
Gjermania Lindore u përfshi në Gjermaninë Perëndimore. Madje edhe në planin kushtetues nuk u hap një proces i përbashkët për hartimin e një kushtetute të re. Thjesht u shtri një model ekzistues.
Kjo ndihmoi në krijimin e një ndjesie të përhapur tjetërsimi. Popullsi të tëra nuk gjetën kurrë një përfaqësim politik që t’i përgjigjej siç duhet përvojës së tyre historike. Edhe për këtë arsye, shumë prej forcave antisistem të sotme gjejnë terren të favorshëm në territoret e ish-Gjermanisë Lindore.
Ajo që mungoi ishte një gjuhë politike e aftë ta përpunonte atë histori pa e reduktuar as në nostalgji, as në një kremtim të fitores perëndimore.
Së fundmi është botuar një libër i Collège de France, që përmbledh një cikël leksionesh tuajat me titull “Ideja e socializmit moral”. Çfarë është socializmi moral?
Unë e kuptoj moralin si një mënyrë të menduari që nuk reduktohet te dallimet identitare mes njerëzve. Bëhet fjalë për të rikthyer një dimension universalist që i përket traditës së Iluminizmit. Projekti moral nis nga vlerat universale dhe pyet nëse shoqëria ku jetojmë i respekton ato apo i tradhton.
Atje flas për “socializëm moral”, për ta dalluar atë nga ajo që konsideroj socializmi imoral i shekullit XX. Figura si Leon Trotsky arrijnë të argumentojnë se morali është një çështje dytësore, madje borgjeze. Sipas tyre, ajo që ka rëndësi është lufta politike.
Për mua, duhet kritikuar pikërisht ky lloj socializmi. Ajo që kërkoj është një socializëm i humbur i shekullit XX. Në libër ai rikthehet përmes personazhit të Asllanit, viktimë e socializmit shtetëror, por njëkohësisht edhe kritik i kapitalizmit./Pamfleti nga “Il Manifesto”lea ypi shekulli xx Lini një Përgjigje Anuloje përgjigjen Forum Kush po i censuron zërat kritikë në Shqipëri? 11 Shtator 2026, 16:1316:13Forum Padia e gjyqtarëve për pagat, metafora e reformës së deformuar 10 Shtator 2026, 20:0520:05Forum Po unë pse në burg?! 10 Shtator 2026, 15:1915:19Forum Sikur Lana të mbyste bulevardin me baltë 10 Shtator 2026, 13:3013:30Forum Programi i ri politik i Partisë Demokratike 10 Shtator 2026, 08:1608:16Forum Kapja e shtetit, ligjet me porosi dhe kontratat publike 9 Shtator 2026, 12:4812:48Forum

