Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka njoftuar se partia e tij nuk do të kërkojë më përfshirje në qeveri dhe as postin e presidentit. Vendimi u bë publik pas mbledhjes së grupit parlamentar të LDK-së, ku, sipas Abdixhikut, është diskutuar situata politike dhe mundësia e bashkëpunimit me Lëvizjen Vetëvendosje (LVV).
Abdixhiku tha se kërkesa e mëhershme për postin e presidentit kishte pasur për qëllim krijimin e një ekuilibri institucional në vend dhe jo përfitimin politik të LDK-së.
Sipas kreut të LDK-së, LVV i kishte ofruar partisë së tij një përfshirje të kufizuar në ekzekutiv, me tri ministri dhe pozitën e zëvendëskryeministrit.
Ai e cilësoi këtë ofertë si një rol “dekorativ” për LDK-në dhe tha se partia e kishte refuzuar një marrëveshje të tillë.
“Vetëvendosje kërkonte prani dekorative të LDK-së në qeveri, ku LDK-së i janë propozuar vetëm tri ministri dhe zëvendëskryeministri. Ne refuzuam një nënshtrim të tillë”, deklaroi Abdixhiku.
Ai pretendoi se pas refuzimit të kushteve të propozuara, LVV kishte nisur një përballje publike ndaj LDK-së.
“Koalicionet ndërtohen në bazë të besimit”, u shpreh ai.
Në fund të deklarimit të tij, Abdixhiku konfirmoi se LDK-ja do të heqë dorë nga çdo kërkesë për përfshirje në qeveri, përfshirë edhe kërkesën për postin e presidentit.
“LDK tërhiqet nga çdo kërkesë për pjesëmarrje në qeveri dhe heqim dorë nga kërkesa për presidentin. LVV nuk do ta ketë LDK-në si dekor. LDK qëndron në opozitë”, tha Abdixhiku. Top Channel

