Tensione dhe përplasje fizike janë regjistruar para Ministrisë së Arsimit, ku protestues të Partisë Demokratike kanë tentuar të afrohen dhe t’i bashkohen protestës së studentëve. Këta të fundit kanë kundërshtuar praninë e tyre, duke u kërkuar të largohen me thirrjet: “Largohuni!”.
Situata është tensionuar mes dy grupeve të protestuesve, duke kaluar në përplasje fizike. Studentët dhe pjesëmarrësit e tjerë në protestë, kanë mbajtur qëndrimin e tyre kundër përfshirjes së përfaqësuesve dhe mbështetësve të PD-së.
Kjo nuk është hera e parë që studentët kundërshtojnë afrimin e demokratëve. Edhe në protestën e së shtunës së kaluar, të rinjtë nuk pranuan që përfaqësues dhe mbështetës të Partisë Demokratike t’u bashkoheshin tubimit të tyre. Top Channel

