Ambasador Bashkim Zeneli / Në kujtim të Bashkim Zenelit, diplomatit që i shërbeu vendit me dinjitet dhe mikut që la pas respekt, mirësi dhe biseda që do të më mungojnë... Koha ka një mënyrë të vetën për t’i gjykuar njerëzit. Ajo zbeh lavdinë, i harron titujt dhe i lë ofiqet në faqet e historisë. Ajo që mbetet është gjurma që njeriu lë në kujtesën e të tjerëve, në fjalët që ka thënë, në miqësitë që ka ndërtuar dhe në respektin që ka fituar. Bashkim Zeneli i përkiste atyre njerëzve që kanë çfarë të lënë pas.
Ambasadori kishte jetuar mjaftueshëm pranë pushteteve për t'ia njohur si madhështinë e përkohshme, ashtu edhe dobësitë njerëzore. Kishte miq politikanë, diplomatë e burra shteti, kishte qenë dëshmitar i ngjarjeve që përcaktuan rrjedhën e historisë sonë, por nuk e kishte humbur kurrë aftësinë për ta parë botën me kureshtje dhe për ta gjykuar me mendjen e vet. Kultura i jepte thellësi mendimit, përvoja i jepte maturi fjalës, ndërsa qytetaria e bënte të natyrshëm respektin për tjetrin.
Bashkim Zeneli shërbeu si deputet i Partisë Socialiste dhe si ambasador i Shqipërisë në Gjermani e Greqi, në periudha kur vendi ynë përballej me sfida të mëdha politike dhe diplomatike. Ai e përfaqësoi Shqipërinë në një kohë kur marrëdhëniet me Evropën kërkonin jo vetëm aftësi profesionale, por edhe durim, kulturë dhe njohje të historisë. Veçanërisht gjatë krizës së Kosovës, angazhimi i tij në Berlin ishte pjesë e përpjekjeve për t'i dhënë zë çështjes shqiptare në kancelaritë evropiane.
Megjithatë, përtej biografisë publike, mbetet njeriu.
Me Bashkim Zenelin më lidhte një miqësi e vjetër, të cilën e ruajtëm edhe pse nuk takoheshim shpesh. Kohët e fundit shkëmbenim herë pas here mesazhe për politikën, për zhvillimet në botë dhe për kohën në të cilën po jetojmë. Ndoshta vitet na bëjnë më të ndjeshëm ndaj ndryshimeve, por edhe më të vetëdijshëm se sa pak mund të dimë për drejtimin që merr historia.
Në ato biseda të shkurtra gjeja qetësinë e një njeriu që kishte parë shumë dhe kishte mësuar të mos nxitohej në gjykim. Adhuroja maturinë e tij, mënyrën e kulturuar për të shprehur shqetësimin, pa humbur respektin për njeriun dhe besimin te arsyeja.
Ndoshta një nga privilegjet e moshës është të kuptosh se njerëzit nuk na pasurojnë vetëm me dijet dhe përvojën e tyre, por edhe me mendimet që na zgjojnë, me dyshimet që na nxisin dhe me pyetjet që vazhdojnë të na shoqërojnë edhe kur ata nuk janë më. Bashkimi i përkiste atyre bashkëbiseduesve që të nxisnin të mendoje, pa pretenduar se zotëronin të vërtetën. Dhe unë, nga ato shkëmbime të thjeshta mesazhesh, mësova shumë.
Sot u kthehem mesazheve dhe mendoj se sa pak e njohim vlerën e çasteve të zakonshme, derisa ato bëhen kujtime. Ne jetojmë me bindjen se do të kemi gjithmonë kohë për një bisedë tjetër, për një debat që mbetet përgjysmë, për një përshëndetje. Ndoshta kjo është një nga mënyrat me të cilat jeta na e fsheh përkohshmërinë e saj.
Bashkim Zeneli la pas një jetë të pasur me përvoja, një karrierë dinjitoze në shërbim të vendit dhe respektin e njerëzve që e njohën. Mbi të gjitha, la kujtimin e një njeriu që kishte kuptuar se kultura nuk është thjesht dije, por, në radhë të parë, mënyra se si sillemi me të tjerët. Ai dinte të dëgjonte pa paragjykuar, të shprehte mendimin pa u imponuar dhe ta ruante dinjitetin e fjalës edhe në kohët kur ajo e humb peshën e vet.
Do të më mungojnë bisedat me të. Jo vetëm për atë që mësoja, por edhe për kënaqësinë e thjeshtë që të jep komunikimi me një njeri të kulturuar.
Njerëzit që çmojmë lënë gjithmonë diçka nga vetja te ne, edhe pasi largohen nga kjo jetë.
Lamtumirë, i dashur mik. Do ta ruaj me mirënjohje kujtimin tënd dhe do të më mbetet gjithmonë peng që bisedat tona nuk mund të vazhdojnë më./Pamfletilamtumirë ambasador bashkim zeneli gjergj zefi Lini një Përgjigje Anuloje përgjigjen Aktualitet U arrestua në Maqedoninë e Veriut, pronari i “Sante Plus”, Bilal Kara miliona euro abuzime me pacientët 30 Tetor 2026, 12:3212:32Aktualitet Dosja “SASPAC”, Ilir Beqaj rikthehet në GJKKO 30 Tetor 2026, 12:2212:22Aktualitet SPAK mbledh në Tiranë 70 hetues dhe prokurorë nga 28 vende, në fokus gjurmimi i pasurive të paligjshme dhe korrupsioni 30 Tetor 2026, 12:0212:02Aktualitet Nga themelues i Partisë Socialiste te diplomat karriere në Gjermani e Greqi, kush ishte Bashkim Zeneli 30 Tetor 2026, 11:4511:45Aktualitet Ndahet nga jeta diplomati dhe ish-deputeti, Bashkim Zeneli 30 Tetor 2026, 11:2911:29Aktualitet Transferimi i Veliajt në Fier, Ministria e Drejtësisë urdhëron inspektimin e 24 lëvizjeve në burgje 30 Tetor 2026, 11:1711:17Aktualitet

