Banorët e lagjes “Kadri Qystri” në Lushnjë denoncojnë një situatë të rënduar nga hedhja e vazhdueshme e mbetjeve në një hapësirë pranë banesave. Sipas tyre, zona, e cila duhet të shërbente si park ose hapësirë publike, është kthyer në një vendgrumbullimi plehrash. Banorët thonë se vetëm pak metra më larg ndodhen disa banesa, ndërsa era e rëndë dhe ndotja ua vështirësojnë jetesën dhe nuk i lejojnë të nxjerrin fëmijët jashtë.
Sipas banorëve, hapësira është pastruar disa herë prej tyre, ndërsa janë përballur edhe me personat që hedhin mbetjet, por problemi vijon të mbetet i njëjtë. Ata kërkojnë ndërhyrjen e Bashkisë së Lushnjës për pastrimin e zonës dhe marrjen e masave për të parandaluar hedhjen e mëtejshme të mbetjeve.
Denoncim:
Përshëndetje! Kjo situatë ndodhet në lagjen “Kadri Qystri” në Lushnjë. Njerëz që vijnë dhe hedhin mbetje në një hapësirë që duhet të ishte park ose, të paktën, një hapësirë e lirë, e kanë kthyer atë në një vend grumbullimi plehrash. Vetëm 10 metra më larg jetojnë familje dhe shumë banorë, të cilët mbyten nga era dhe nuk mund të dalin nga shtëpia për shkak të kësaj situate. Nuk mund t’i nxjerrim as fëmijët jashtë. Ju lutem, bëni diçka për këtë problem, pasi Bashkia nuk ka marrë asnjë masë. Disa herë e kemi pastruar vetë këtë hapësirë dhe kemi debatuar me personat që hedhin mbetjet, por asgjë nuk ka ndryshuar.

