Një operacion i Gardës Civile spanjolle ka çuar në zbulimin e një laboratori të kultivimit të kanabisit në një vilë banimi në San Javier, në rajonin e Mursias. Tre persona me origjinë shqiptare janë arrestuar në kuadër të operacionit të koduar “Bimban”.
Bëhej fjalë për një banesë që, nga jashtë, nuk ngjallte dyshime në zonën e qetë rezidenciale. Megjithatë, zhurma e vazhdueshme e pajisjeve të ajrimit dhe konsumi i pazakontë i energjisë elektrike orientuan hetuesit drejt aktivitetit të paligjshëm që zhvillohej brenda saj.
Sipas Gardës Civile, banesa ishte përshtatur për kultivim intensiv të kanabisit dhe ishte pajisur me llamba me fuqi të lartë, sisteme ventilimi, aspiratorë me filtra karboni dhe pajisje për kontrollin e temperaturës dhe lagështisë.
Hetimi nisi pas evidentimit të disa lëvizjeve të dyshimta pranë pronës. Kontrollet zbuluan gjithashtu një lidhje të paligjshme me rrjetin elektrik, e cila mundësonte furnizimin e pajisjeve që funksiononin në mënyrë të pandërprerë.
Tre të dyshuarit, sipas autoriteteve spanjolle, përpiqeshin të fshihnin aktivitetin e tyre duke përdorur dokumente dhe identitete të falsifikuara për të marrë me qira banesa të mëdha. Ata gjithashtu ndryshonin shpesh automjetet me qira dhe kryenin udhëtime ndërkombëtare mes Shqipërisë dhe Spanjës.
Ndërhyrja në vilë u krye në momentin kur të dyshuarit po merreshin me procesin e pastrimit, tharjes dhe paketimit të kanabisit. Gjatë kontrollit, agjentët sekuestruan rreth 400 bimë në faza të ndryshme të rritjes dhe 6,5 kilogramë boçe kanabisi të gatshme për shpërndarje.
Në operacion u sekuestruan gjithashtu para në cash dhe pajisjet e përdorura për funksionimin e plantacionit të brendshëm.
Tre personat e arrestuar janë dërguar përpara autoriteteve gjyqësore. Ata dyshohen për veprat penale të përfshirjes në grup kriminal, kultivimit dhe prodhimit të lëndëve narkotike, falsifikimit të dokumenteve, si dhe manipulimit të furnizimit me energji elektrike.

