Një aksident i rëndë është shënuar në aksin rrugor Rrogozhinë-Lushnjë, pranë rrethrrotullimit të Çermës, në afërsi të Grabianit.
Sipas të dhënave paraprake, një automjet ka humbur kontrollin, ka dalë nga rruga dhe është përplasur fillimisht me një mjet të parkuar, për të përfunduar më pas i përplasur me një pemë, pranë një karburanti.
Si pasojë e përplasjes, kanë mbetur të plagosur rëndë dy persona, një burrë dhe një grua, të cilët udhëtonin në automjet. Gjendja e tyre raportohet e rëndë.
Njëri prej të plagosurve ka mbetur i bllokuar brenda makinës dhe për nxjerrjen e tij është dashur ndërhyrja e forcave zjarrfikëse. Me mjete të posaçme, zjarrfikësit kanë prerë pjesë të automjetit për të krijuar hapësirën e nevojshme dhe për të nxjerrë personin e bllokuar.
Dy të plagosurit janë transportuar me urgjencë drejt spitalit të Lushnjës, ku po marrin ndihmën e parë mjekësore. Identitetet e tyre nuk janë bërë ende të ditura.
Në vendngjarje kanë mbërritur shërbimet e Policisë dhe grupi hetimor, të cilët po punojnë për përcaktimin e shkaqeve dhe rrethanave të aksidentit.

