Vendimi i Gjykatës Kushtetuese i shkurtit të këtij viti detyronte parlamentin që brenda 31 korrikut 2026 të kryente një përllogaritje të re për pagat e magjistratëve, pasi kishte rrëzuar formulën ekzistuese, duke vlerësuar se në të vërtetë pagat e tyre kishin pësuar një ulje të fshehur. Por urdhëresa e Kushtetueses nuk është vënë në zbatim. Parlamenti nuk ka miratuar ende asnjë ndryshim në formulën e përllogaritjes, e në faqen zyrtare nuk gjendet as dhe ndonjë projekt ligj për këtë. Në një deklaratë të përbashkët të shpërndarë këtë të hënë, tre shoqata të gjyqtarëve dhe prokurorëve shprehen se pavarësisht kësaj situate, duke nisur nga data 1 gusht, pagat e tyre duhet të reflektojnë rritjen e kërkuar nga Gjykata Kushtetuese, dhe se formula e përllogaritjes duhet të jetë ajo me referencë drejtorin e departamentit në Kryeministri. Referenca e vjetër, e rrëzuar nga Gjykata, ishte ajo sa 36% e pagës së Presidentit. “Mosveprimi nga ana e Kuvendit nuk ka krijuar një boshllëk ligjor, pasi vetë Gjykata Kushtetuese ka parashikuar mekanizmin e zbatueshëm në këtë situatë. Për rrjedhojë, duke filluar nga data 01.08.2026, përllogaritja e pagave të magjistratëve do të duhet të kryhet mbi bazën e formulës që i referohet pagës së funksionarit të administratës së lartë publike, sipas vendimit nr. 35/2022 të Gjykatës Kushtetuese. E njëjta formulë, sipas vendimit nr. 15/2026, zbatohet me efekt prapaveprues për periudhën 01.04.2023–31.07.2026”. LEXO EDHE:U miratua me 74 vota nga socialistët, vetëm 19 prej tyre lexuan marrëveshjen për huanë nga SHBA-të Në fakt në vendimin e Gjykatës Kushtetuese saktësohet se “Kuvendi mund të zgjedhë të përshtasë formulën e re në mënyrë që të riparojë uljen e fshehtë ose duke iu referuar ndryshimit që pësoi kategoria e nëpunësve civilë në të cilët referonte formula e vjetër ose ndryshimit që pësoi paga e Presidentit, ose çdo zgjidhjeje tjetër të krahasueshme me ndryshimet e kategoritë e mësipërme dhe brenda limiteve të tyre, gjithnjë në respektim të garancive të nenit 138 të Kushtetutës”. Kurse, përllogaritjen që i referohet funksionarit të administratës së lartë publike, e lidh shprehimisht vetëm me rastin e pagesave të prapambetura, nëse nuk bëhen ndryshimet ligjore deri në datën 31.07.2026. Por përfaqësues të shoqatave thanë për Report Tv se fryma e vendimit të Gjykatës Kushtetuese, i referohet pikërisht kësaj llogaritje dhe për pagat e reja dhe se autoritetet janë të detyruara ta njohin e zbatojnë atë, që në pagat e ardhshme. “Shoqatat tona mbeten të vendosura për të ndjekur zbatimin e plotë dhe korrekt të vendimit të Gjykatës Kushtetuese, i cili, për shkak të mosveprimit të Kuvendit brenda datës 31.07.2026, është bërë tashmë drejtpërdrejt i zbatueshëm”, shkruhet në deklaratën e përbashkët. Çështja e pagave të magjistratëve, është shoqëruar me një përplasje të gjatë gjyqësore mes tyre dhe qeverisë. Në vitin 2023, pas një vendimi të Gjykatës Kushtetuese, mazhoranca, përcaktoi se rroga bazë e magjistratëve do të ishte sa 36% e pagës së Presidentit, pra 153.000 lekë. Më herët referenca mbi të cilën llogaritej rroga ishte 132,100 lekë, aq sa ishte paga e drejtorit të departamentit në Kryeministri. Me ndryshimin e ligjit nga qeveria rritja ishte me mbi 20 mijë lekë të reja. Por kjo rritje u konsiderua si ulje nga ana e gjyqtarëve. Kjo për shkak se në të njëjtën kohë, qeveria rriti pagat për administratën publike. Dhe paga e drejtorit të departamentit në Kryeministri shkoi në 231 mijë lekë të reja. Sipas gjyqtarëve, ndryshimi i referencës së pagës së tyre nga ajo e drejtorit të departamentit në Kryeministri te ajo sa 36% e pagës së Presidentit, ua uli pagën, pasi nëse s’do bëhej ky ndryshim ajo do të ishte 78 mijë më e lartë. Gjykata bëri të ditur se në vlerësimin e kërkesës së Unionit të gjyqtarëve ajo kishte mbajtur parasysh përcaktimin e nenit 138 të Kushtetutës sipas të cilit “Paga dhe përfitimet e tjera të gjyqtarit nuk mund të ulen”. Dhe sipas saj “ndonëse rezultati në vlerë financiare absolute i pagës së gjyqtarit, i prodhuar nga formula e re e aplikuar nga qeveria në 2023, nuk është më i ulët se sa ai i prodhuar nga formula e mëparshme, në raport me rritjen ekonomike si dhe rritjen e çmimeve, ka passjellë një ulje të fshehur të shënjestruar të pagës së magjistratit, duke e ngrirë atë”. Deklarata e plotë Unioni i Gjyqtarëve, Shoqata Kombëtare e Gjyqtarëve dhe Shoqata e Prokurorëve të Republikës së Shqipërisë, në përmbushje të misionit të tyre për mbrojtjen e statusit të magjistratit, kanë qenë vazhdimisht të angazhuar në ndërmarrjen e nismave institucionale për garantimin e standardeve kushtetuese që lidhen me ushtrimin e funksionit të magjistratit. Nisma më e fundit në këtë drejtim ishte kërkesa e paraqitur nga Unioni i Gjyqtarëve përpara Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë, me objekt shfuqizimin e neneve 1 dhe 2, pika 2, të ligjit nr. 33/2023, datë 25.05.2023 “Për një ndryshim në ligjin nr. 96/2016 “Për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar””, si të papajtueshëm me Kushtetutën, të cilës iu bashkua edhe Shoqata Kombëtare e Gjyqtarëve. Në përfundim të këtij gjykimi, Gjykata Kushtetuese, me vendimin nr. 15, datë 17.02.2026, vendosi të pranonte kërkesën, duke konfirmuar se ndryshimet ligjore të miratuara më herët nga ana e Kuvendit cenonin statusin financiar të magjistratëve përmes një uljeje të fshehur të pagës. Në këtë vendim, Gjykata Kushtetuese përcaktoi qartë edhe kriteret që duhet të respektoheshin në hartimin e normës së re që do të rregullonte pagat e magjistratëve, duke detyruar Kuvendin të miratonte ndryshimet ligjore të nevojshme, brenda datës 31.07.2026. Njëkohësisht, Gjykata Kushtetuese parashikoi edhe pasojat në rast mosveprimi, duke përcaktuar se pas përfundimit të këtij afati, do të hynte në fuqi formula e përllogaritjes së pagave që i referohet funksionarit të administratës së lartë publike, sipas referencës së analizuar në vendimin nr. 35/2022 të saj. Që pas njohjes me arsyetimin e vendimit nr. 15/2026, shoqatat tona kanë shprehur gatishmërinë për të bashkëpunuar me institucionet përgjegjëse, me synimin për të gjetur një zgjidhje përfundimtare dhe në përputhje të plotë me standardet kushtetuese të vendosura nga Gjykata. Me mbarimin e afatit të lënë në dispozicion, konstatojmë se nga ana e Kuvendit nuk është vepruar me miratimin e ndryshimeve ligjore, në drejtim të rregullimit të pagave të magjistratëve, sipas arsyetimit të vendimit nr. 15, datë 17.02.2026 të Gjykatës Kushtetuese. Megjithatë, mosveprimi nga ana e Kuvendit si më lart nuk ka krijuar një boshllëk ligjor, pasi vetë Gjykata Kushtetuese ka parashikuar mekanizmin e zbatueshëm në këtë situatë. Për rrjedhojë, duke filluar nga data 01.08.2026, përllogaritja e pagave të magjistratëve do të duhet të kryhet mbi bazën e formulës që i referohet pagës së funksionarit të administratës së lartë publike, sipas vendimit nr. 35/2022 të Gjykatës Kushtetuese. E njëjta formulë, sipas vendimit nr. 15/2026, zbatohet me efekt prapaveprues për periudhën 01.04.2023–31.07.2026. Në këto kushte, shoqatat tona mbeten të vendosura për të ndjekur zbatimin e plotë dhe korrekt të vendimit nr. 15, datë 17.02.2026 të Gjykatës Kushtetuese, i cili, për shkak të mosveprimit të Kuvendit brenda datës 31.07.2026, është bërë tashmë drejtpërdrejt i zbatueshëm. Në respekt të parimit të luajalitetit kushtetues, ftojmë të gjithë institucionet dhe zyrtarët e përfshirë në procesin e zbatimit të këtij vendimi, që të respektojnë me rigorozitet detyrimet që burojnë nga neni 132, pika 1, e Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë. Në këtë kuadër, shoqatat e magjistratëve të Republikës së Shqipërisë mbeten të bashkuara në këtë qëndrim dhe do të monitorojnë me vëmendje çdo veprim të ndërmarrë në funksion të zbatimit të vendimit, duke rikonfirmuar gatishmërinë për të kontribuar në mënyrë konstruktive në këtë proces. P.J/SI.E./Shqiptarja.com TAG: gjyqtarët pagat kuvend Unioni i Gjyqtarëve gjykata kushtetuese Komente Komento Sondazhi i ditës:
31 Korrik, 15:00
Reforma territoriale, cili opsion ju pëlqen më shumë? 46 bashki (PS) 56.4% 100 bashki (PD) 16.1% 61 bashki (si sot) 27.5% Vota total: 4166 Votat totale janë unike Sondazhi i ditës: 31 Korrik, 15:00 Reforma territoriale, cili opsion ju pëlqen më shumë?

