Që do të ishte një seancë plenare aspak e qetë, opozita e paralajmëroi që me mbërritjen në oborrin e parlamentit. Në duar mbante foto të protestuesve të dëmtuar gjatë protestave qytetare dhe që në nisje të seancës, bllokoi menjëherë foltoren. Kreu i PD, Sali Berisha tha se në vend të protestuesve, dhunën e meritojnë deputetët e Partisë Socialiste. LEXO EDHE:Begaj thirri tryezë për ‘Vendoret 2027’, opozita i thotë ‘jo’ ftesës së presidentit! PS: S’kemi datë preferenciale për zgjedhjet, përjashtim 2 maji “Në rrugët e Tiranës u thyen kocka të rinjsh. U çanë kafka. U përshtatën mjetet më të egra dhe u përdorën kundër të rinjve. Këta që shihni këtu janë më kriminelë se ata që thyejnë kocka e çajnë kafka. Këta meritojnë gazin lotsjellës dhe plumbat e gomës”, tha Berisha. Menjëherë kryeparlamentari Niko Peleshi kritikoi kreun e PD-së dhe i hoqi atij të drejtën e fjalës për gjithë ditën, me argumentin se Berisha bëri thirrje të hapur për dhunë nga foltorja e Kuvendit. “Zoti Berisha ky nuk është procedurë, por është përdhunim... T’i hiqet fjala, sipas rregullores ju hiqet e drejta e fjalës për ditën e sotme. Keni bërë thirrje për dhunë nga foltorja e Kuvendit. Uluni te vendi juaj, s’keni të drejtë fjale për gjithë ditën e sotme”, tha Peleshi. Me gjithë ndërprerjet 2 herë të seancës nga Peleshi në përpjekjen për të rikthyer normalitetin, PD nuk bëri hap pas. Madje edhe gjatë pushimit, këto pamje tregojnë deputeten e PD Greta Bardeli që tenton të shkojë drejt Peleshit, por ndalohet nga Garda. Thirrjet e Peleshit për seancë normale morën mbrapsht refuzim, gjë që solli edhe zhgënjim, që u duk qartë edhe në reagimin e kreut të Kuvendit. Më tej, PS vuri në lojë planin B. Kalimin në votim menjëherë. Moment i parashikuar mesa duket prej tyre, pasi ndërkohë në Kuvend kishte mbërritur kryeministri Edi Rama dhe Belinda Balluku për të plotësuar shumicën e cilësuar. Edhe PD e kishte ruajtur një efekt surprizë. Me t’u shfaqur kreu i qeverisë në sallë, ndezën flakadanët e tymueset blu. Minutat e Ramës në seancë zgjatën pak. Sapo u votua pr.ligji i ri për Bankën e Shqipërisë, ku kartoni i tij ishte i domosdoshëm për të plotësuar 84 votat e nevojshme, u largua. Pak minuta pas tij, edhe Berisha i la të vetët në foltoren e zaptuar. Projektligji i ri për Bankën e Shqipërisë parashikon mbrojtje të posaçme procedurale për Guvernatorin dhe zëvendësguvernatorët, duke përcaktuar se ata nuk mund të arrestohen apo t’u kufizohet liria pa një autorizim paraprak nga Gjykata Kushtetuese. Parashikohet gjithashtu që Euro do të jetë monedha zyrtare në Shqipëri menjëherë pasi vendi të jetë pjesë e BE-së. Euro që përdoret masivisht në ekonomi, në secilën hallkë të saj, nga blerjet e shërbimeve apo produkteve, e deri tek kreditë e depozitat, do të jetë monedhë zyrtare e vendit. Kënga Ramës, iu këndua vetëm pasi kreu i qeveris nuk ishte më në sallë. “Rama jepe dorëheqjen”, kënduan në kor deputetët demokratë. Në përfundim, deputetët e PD nuk u distancuan nga thirrjet për dhunë të kryetarit të tyre, por dhanë këtë koment: “Si mund të jetë normale kur studentët janë atje jashtë....”, tha Alizoti jashtë Kuvendit. Ndërsa Taulant Balla paralajmëroi përjashtimin e të gjithë atyre që ndezën flakadanët: ‘E vulosën vetë përjashtimin me 60 ditë’. Praninë e Belinda Ballukut në Kuvend sa herë që mazhorancës i duhet të plotësojë shumicën e cilësuar 84 vota, një ditë pasi SPAK mbylli hetimet dhe është gati ta çojë në GJKKO për 15 krime, kreu i grupit socialist kishte këtë koment. “Është deputetja më e mirë që kemi...”, tha mes të tjerash Balla. Share Rendit zhvillimet sipas orarit: Të Fundit Të Parat Ora 13:43 Tensionet gjatë seancës plenare, PS kërkon përjashtimin e Berishës me 10 ditë nga punimet e Kuvendit! 60 ditë për 6 deputetë demokratë, 'Etika' nesër mbledhje online Socialistët nuk vonuan dhe vetëm pak minuta pas seancës plenare ku paralajmëruan ndëshkimet për kolegët opozitarë, i kërkuan zyrtarisht Sekretariatit të Etikës, përjashtimin e Sali Berishës dhe 6 deputetëve të tjerë të Partisë Demokratike.Për Berishën, socialistët kërkuan vetëm 10 ditë, duke argumentuar se “përdori një fjalor jo parlamentar, bëri thirrje për akte dhune, përdori një gjuhë të shprehuri që nxit urrejtjen”.Për të 6 të tjerët, Bledion Nallbatin, Ivi Kason, Blendi Himçin, Xhelal Mziun, Albana Vokshin dhe Klodiana Çapjan, PS kërkon 60 ditë përjashtim pasi përdorën flakadanë, hodhën sende drejt Këshillit të Ministrave dhe kreut të Kuvendit, veprime qe “u shoqëruan me bllokim të foltores së Kuvendit, tensione dhe zhurmë të vazhdueshme me mjete fryrëse”.'Etika' do të mblidhet online nesër në 10:00 për të vendosur mbi përjashtimet.Ndërkohë, të përjashtuar me 60 ditë janë edhe 8 deputetë të tjerë të PD, mes të cilëve kreu i grupi parlamentar PD Gazment Bardhi, Flamur Noka dhe Belind Këlliçi. R.Xh/Shqiptarja.com Share Ora 12:47 ‘Pse Balluku paraqitet në Kuvend vetëm kur duhet vota e saj?’- Balla i përgjigjet gazetarit: Gjithmonë aty, në orën e përcaktuar! (VIDEO) Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, ka folur pas përfundimit të seancës plenare, për paraqitjen në Kuvend të ish-zv.kryeministres Belinda Balluku, vetëm për votimin e ligjeve që kërkojnë shumicë të cilësuar.Teksa u pyet nga gazetari i Report Tv, Isa Myzyraj, se përse Balluku nuk merrte pjesë në seancat e tjera plenare, Balla tha se ajo gjendej aty në momentin e duhur.Më tej Balla tha se Balluku është ndër deputetët më të mirë të Partisë Socialiste, përsa i përket prezencës në zonën e saj zgjedhore.“Zoti Balla, për ta vijuar pyetjen e kolegës, realisht tani, se politikisht unë e kuptoj, por realisht flasim edhe për qytetarët, çfarë vlere ka për Partinë Socialiste "Agjenda 2030" me një deputete e cila ka muaj që nuk paraqitet në asnjë punim të seancës parlamentare?”, pyeti gazetari i Report Tv, Isa Myzyraj, kreun e Grupit të PS, Taulant Ballën.“Grupi Parlamentar i PS përbëhet nga 82 anëtarë dhe të gjithë janë gjithmonë aty për të votuar dhe për të mbështetur këto reforma, sepse kontrata e PS është kontratë me Shqipërinë. Ishte para 2 javësh. Në mes të ditës, në orën e përcaktuar, gjithmonë aty. Sa i përket prezencës në zonën zgjedhore është ndër deputetet më të mira të PS-së. Nesër ora 17:00 prania besnike në Fier, mund të shkosh aty e ta shikosh”, u përgjigj Balla.Balla foli edhe për paketën fiskale dhe buxhetin e vitit 2027. Ai tha se buxheti prej 10 miliardë eurosh për vitin 2027 do të jetë më i larti që ka pasur ndonjëherë Shqipëria, siç sipas tij i ka ‘hije’ vendit tonë.Duke folur për paketën fiskale, Balla tha se ulja në 6% e TVSH-së për ushqimet dhe heqja e taksës së qarkullimit nga karburantet, është një lajm i mirë për qytetarët shqiptarë. Ai i kërkoi opozitës që të bëhet pjesë ne votimit të buxhetit dhe paketës fiskale 2027 në Kuvend.“Sot janë miratuar 9 ligje që lidhen me agjendën tonë të negociatave të anëtarësimit të Shqipërisë në BE. Mesazhi është i qartë. Përtej bilbilave e dhunës, agjenda europiane e Shqipërisë nuk ndërpritet. Shqiptarët sot kanë marrë lajmin e mirë se kemi buxhetin e parë prej 10 miliardë eurosh si shtet. Një buxhet siç i ka hije vendit tonë. Edhe paketa fiskale, që lidhet me uljen e TVSH-së për ushqimet në 6%. Heqja e taksës së qarkullimit nga karburantet është një lajm i mirë. Edhe opozita duhet të marrë pjesë në Kuvend për të votuar për këto çështje. Duhet të votojë rritjen e pensioneve”, tha mes të tjerash Balla. R.Xh/Shqiptarja.com Share Ora 11:58 Alizoti pas seancës në Kuvend: Duhet të ishte në rend dite protesta e studentëve, s'mund të vijë ish-zv.kryeministrja miliardere dhe të votojë këtu (VIDEO) Deputeti i Partisë Demokratike, Tomor Alizoti, është shprehur se opozita zgjodhi formën e protestës sot në seancën plenare në Kuvend, pasi sipas tij, në rendin e ditës duhet të ishte kriza politike dhe protesta disa-ditore në Tiranë.Alizoti tha se përsa kohë që Qeveria përpiqet që të mohojë krizën politike, aq më shumë sipas tij shtohet revolta te qytetarët. Sipas Alizotit, lideri politik në një moment krize në Shqipëri duhet të japë dorëheqjen, për të krijuar paqe sociale në vend.Një fjalë Alizoti e kishte edhe për Belinda Ballukun, teksa tha se 'ish-zv.kryeministrja miliardere s'mund të vijë e të votojë këtu kur populli vuan për bukë'.“Qeveria kineze gjatë kohës që njerëzit vriteshin me tanke, miratonte një plan për bujqësinë. Shqipëria sot ka nevojë për mendje të arsyeshme e racionale. Këta përpiqen ta mohojnë krizën, por kriza ishte aty. Duhet të ishte në rend dite kriza dhe revolta e studentëve, prandaj ne protestonim. Ne po përpiqemi ta bëjmë revoltën në mënyrën tonë. Ju i keni provuar vetë plumbat e gomës. Përse? Që të rrijë një individ. Lideri në moment krize duhet të japë dorëheqjen dhe të krijojë një paqe sociale.Sfida e opozitës shqiptare është të dëgjojë zemërimin e njerëzve. S’mund të vijë zv.kryeministrja miliardere dhe të votojë atje. Ju e keni provuar vetë dhunën e Policisë. Policia është për qytetarin dhe jo kundër qytetarit. Kur një pushtet përdor dhunën, ai është në fundin e tij. Studentët të vijojnë protestën. Ju jeni rritur pa mite”, tha mes të tjerash Alizoti. R.Xh/Shqiptarja.com Share Ora 11:56 Pas tensioneve, përplasjeve dhe tymueseve në sallë, mbyllet seanca plenare në Kuvend Seanca e sotme plenare në Kuvend është mbyllur pas tensioneve dhe përplasjeve që shoqëruan punimet që në nisje. Deputetët e PD-së bllokuan foltoren, goditën tavolinat dhe gjatë seancës ndezën edhe tymuese e flakadanë. Në sallë ishin të pranishëm edhe kryeministri Edi Rama dhe ish-zëvendëskryeministrja Belinda Balluku. U.D/Shqiptarja.com Share Ora 11:29 Në shenjë solidarizimi me Erion Vishkullin e dëmtuar në protestë, disa deputetë të PD në Kuvend me një sy të fashuar (VIDEO) Disa deputetë të Partisë Demokratike, mes të cilëve Saimir Korreshi, Gjin Gjoni dhe Xhelal Mziu kanë shkuar në Kuvend me një sy të fashuar, në shenjë solidarizimi me 28-vjeçarin Erjon Vishkulli, i cili u dëmtua në sy gjatë protestës së dhunshme në Tiranë, disa ditë më parë. R.Xh/Shqiptarja.com Share Ora 11:16 Tensione në Kuvend/ Deputetët e PD-së hedhin sende në drejtim të Ramës, kryeministri largohet nga salla (VIDEO) Deputetët e Partisë Demokratike kanë hedhur sende në drejtim të kryeministrit Edi Rama gjatë seancës së sotme plenare, e cila është shoqëruar me tensione dhe përplasje mes opozitës dhe mazhorancës. Rama është larguar nga salla e Kuvendit pas votimit për projektligjin “Për Bankën e Shqipërisë”. U.D/Shqiptarja.com Share Ora 11:15 Mes përplasjeve e flakadanëve, miratohet me 84 vota projektligji i ri për Bankën e Shqipërisë (VIDEO) Miratohet në parim me 84 vota pro (83 me votim elektronik dhe 1 me karton) projektligji i ri për ‘Bankën e Shqipërisë’. R.Xh/Shqiptarja.com Share Ora 11:12 Opozita bllokon foltoren, Rama dhe Balluku mbërrijnë në seancën plenare (VIDEO) Kryeministri Edi Rama ka mbërritur në sallën e seancave plenare të Kuvendit, ndërsa pak pas tij është parë të hyjë edhe ish-zëvendëskryeministrja Belinda Balluku. Seanca e sotme është shoqëruar me tensione që në nisje, pasi deputetët e opozitës kanë bllokuar foltoren, kanë goditur tavolinat dhe kanë ngritur pankarta në mbështetje të studentëve që protestojnë prej ditësh U.D/Shqiptarja.com Share Ora 11:08 Përplasjet dhe flakadanë në Kuvend, 4 deputetë demokratë përjashtohen nga seanca plenare (VIDEO) Deputetët demokratë Blendi Himçi, Ivi Kaso, Xhelal Mziu dhe Bledion Nallbati përjashtohen nga seanca plenare, pas përplasjeve dhe flakadanëve në Kuvend. R.Xh/Shqiptarja.com Share Ora 11:06 Tensione në Kuvend, opozita ndez flakadanë pas bllokimit të foltores! Kalohet në votim të pr.ligjeve pa diskutim (VIDEO) Pas bllokimit të foltores, deputetët e opozitës ndezën flakadanë.Pas kësaj situate u kalua në votim të pr.ligjeve pa diskutim. Xh.K/Shqiptarja.com Share Ora 11:03 Tensione në Kuvend/ Deputetët e PD-së tentojnë t’i afrohen Peleshit, Garda u bllokon rrugën (VIDEO) Tensionet në Kuvend vazhduan pa ndërprerje teksa deputetët e Partisë Demokratike u përplasën edhe me punonjësit e Gardës. Deputetja demokrate Gerta Bardeli shihet në video teksa i afrohet zonës ku qëndrojnë ministrat e qeverisë, në përpjekje për t'iu afruar Niko Peleshit, por punonjëset e Gardës i pengojnë rrugwn dhe e orientojnë drejt shkallëve. Demokratët kanë vijuar të bllokojnë foltoren, duke kundërshtuar drejtimin e seancës nga kryeparlamentari Niko PeleshiMë herët, ky i fundit i hoqi të drejtën e fjalës për gjithë ditën Sali Berishës, pas deklaratave të tij nga foltorja e Kuvendit. U.D/Shqiptarja.com Share Ora 10:47 Peleshi i ndërpreu fjalën, Berisha paralajmëron socialistët në Kuvend: Do keni fatin e Belinda Ballukut, të gjithë do shkoni pas saj në burg Kryedemokrati Sali Berisha, edhe pasi Niko Peleshi i ndërpreu fjalën pas thirrjeve për dhunë, e vijoi deklaratën e tij përmes video-lives në rrjetet sociale.Teksa tha se kryeministri Edi Rama do të ketë fatin e ish-diktatorit rumun Nikola Çaushesku, Berisha paralajmëroi deputetët dhe ministrat socialistë se do të shkojnë pas ish-zv.kryeministres Belinda Balluku, në burg.Më tej Berisha tha se dy kongresmenë amerikanë i kanë kërkuar sekretarit Marco Rubio sanksionimin e kryeministrit Rama dhe Ballukut.Pjesë nga fjala e Berishës përmes video-lives në rrjetet sociale:Të dashur qytetarë dhe qytetare, ky grup i strukturuar kriminal i Partisë Socialiste, injoron të gjitha zhvillimet në rrugë, revoltën studentore dhe bën sikur nuk ka ndodhur asgjë. Këta mbrojnë krimet e tyre. Këta mbrojnë pasuritë e vjedhura. Këta mbrojnë vrasjet që kanë porositur. Këta janë më kriminelët në Shqipëri. Këta janë më kriminelë se ata që ndodhen në qeli. Ikni, ikni edhe ju. Ikni se do ikni. E keni parë ju se çfarë u bëjnë në debate? Se si ia nxijnë fytyrën si legeni? Se si ua nxjerrin fytyrën?Si ka mundësi mor që ngriheni kundër studentëve, ngriheni kundër fëmijëve të shqiptarëve? Pasi u keni vrarë shpresën, doni t’i vrisni fizikisht. A e kuptoni ju pse luftojnë studentët? A e kuptoni betejën e tyre? Është betejë për çdo shqiptar, është betejë për këtë vend, për të ardhmen e tij, të cilën ia rrëmbyet, të cilën e shndërruat në pasuri përrallore, e shndërruat në konto bankare të pafundme, në vila e pallate. Në Evropë dhe në botë nuk ka një grup më kriminal se ju. Kaq është i Koresë së Veriut, por ai është për arsye ideologjike, jo për vjedhjen e qytetarëve.Të dashur qytetarë dhe qytetare, një mbështetje e madhe vjen Kongresi i SHBA. Dy kongresmenë ndër më të shquarit të atij vendi i dërgojnë një letër sekretarit Rubio. Kongresmeni Joe Ëilson, kryetar i Komisionit të Helsinkit në Kongresin amerikan dhe kongresmeni Keith Self. Në këtë letër ata kërkojnë sanksionimin e Edi Ramës. Ata kërkojnë sanksionimin e Lubi Ballukut. E di si do shkoni ju pas Lubisë, njëri pas tjetrit. E keni parasysh legjendën që kur i prekte zana, shndërroheshin në gurë. Ju do shndërroheni në të burgosur. Ju u ka peng Lubia. Pra, ju u ka prekur Lubia, të gjithë do jeni në burg si Lubia. Mos e mbroni Padrinon, mos e mbroni një kriminel, një shpirt xhelat. R.Xh/Shqiptarja.com Share Ora 10:44 Tensionet në seancën plenare, kryeministri Rama në ambientet e Kuvendit (VIDEO) Kryeministri Edi Rama ndodhet në ambientet e Kuvendit, teksa kjo seancë e së enjtes ka nisur me tensione për shkak të opozitës. Xh.K/Shqiptarja.com Share Ora 10:21 Kuvend/ Berisha thirrje për dhunë ndaj deputetëve të PS: Meritoni plumba gome dhe çarje kafkash! Peleshi i heq fjalën për gjithë ditën: Kjo s'është procedurë (VIDEO) Seanca plenare në Kuvend nisi me debate të ashpra mes opozitës e mazhorancës, ku deputetët e Partisë Demokratike bllokuan foltoren. Kryedemokrati Berisha mori fjalën dhe bëri thirrje për dhunë ndaj deputetëve të PS, teksa tha se janë ata që meritojnë plumba gome, gaz lotsjellës e 'çarje kafkash' dhe jo protestuesit.“Në rrugët e Tiranës u thyen kocka të rinjsh. U çanë kafka. U përshtatën mjetet më të egra dhe u përdorën kundër të rinjve. Këta që shihni këtu janë më kriminelë se ata që thyejnë kocka e çajnë kafka. Këta meritojnë gazin lotsjellës dhe plumbat e gomës”, tha Berisha.Ndërkohë kryeparlamentari Niko Peleshi i hoqi të drejtën e fjalës për gjithë ditën, duke argumentuar se Berisha bëri thirrje të hapur për dhunë nga foltorja e Kuvendit.“Zoti Berisha ky nuk është procedurë, por është përdhunim... T’i hiqet fjala, sipas rregullores ju hiqet e drejta e fjalës për ditën e sotme. Keni bërë thirrje për dhunë nga foltorja e Kuvendit. Uluni te vendi juaj, s’keni të drejtë fjale për gjithë ditën e sotme”, tha Peleshi. R.Xh/Shqiptarja.com Share Ora 10:11 Nis seanca plenare, deputetët e PD godasin tavolinat me duar! Bllokojnë foltoren (VIDEO) Seanca plenare ka nisur me tensione. Deputetët e PD kanë bllokuar foltoren, teksa më parë goditën me duar tavolinat.Ata gjithashtu mbajnë në duar foto nga protesta. Xh.K/Shqiptarja.com Share Ora 09:36 Seanca plenare/ ‘Blindohet’ perimetri i Kuvendit, dhjetëra makina Policie para godinës (VIDEO) Dhjetëra makina dhe efektivë Policie janë pozicionuar ditën e sotme para Kuvendit të Shqipërisë, teksa është paralajmëruar mbajtja e seancës plenare për shqyrtimin e 12 projektligjeve, një akti normativ dhe tri projektvendimeve, krahas një interpelance me ministrin e Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja, të kërkuar nga deputetja demokrate Ina Zhupa.Ky grumbullim i forcave të Policisë vjen mes klimës së protestave të dhunshme që kanë ‘paralizuar’ gjatë këtyre ditëve kryeqytetin (ditët e fundit intensiteti i tyre ka rënë). R.Xh/Shqiptarja.com Share Xh.K / A.E Shqiptarja.com TAG: mazhoranca opozita seance plenare Kuvendi 29 tetor 2026 PD PS Komente Komento gvrosh: 29/10/2026 14:06 Thirrje për dhunë e thyerje kafkave.....SPAK është një KAK ,helm dhe kancer ju bofshin rrogat që merni sepse nuk keni bythë të arrestoni një kriminel NON GRATA. Përgjigju Sondazhi i ditës:
26 Tetor, 10:21
Ndëshkim financiar e penal dhunuesve në protesta, jeni dakord me masat? Po 73.4% Jo 23.8% Nuk e di 2.8% Vota total: 5020 Votat totale janë unike Sondazhi i ditës: 26 Tetor, 10:21 Ndëshkim financiar e penal dhunuesve në protesta, jeni dakord me masat?
