Lajme Zone
PolitikëShqiptarja
Ky artikull është pjesë e një historie me 8 burime — Krahaso mbulimin →

Kushtetuesja kërkoi sqarim për proporcionalitetin e masës së arrestit, Gjykata e Lartë lë në burg Erion Veliajn! Mbrojtja: Shkaqet duhen gjetur jashtë sallës së gjyqit


Gjykata e Lartë la në fuqi masën e arrestit në burg për Erion Veliajn, pasi çështja ishte rikthyer më 25 maj nga gjykata kushtetuese. Në vendimin e zbardhur, i cili duhet të publikohet brenda 60 ditëve, Gjykata e Lartë duhet të argumentojë përse në rastin e Veliajt nuk është e përshtatshme një masë më e lehtë sigurie, në një kohë kur është kryebashkiak i Tiranës. Mbrojtja e quan vendim skandaloz.

TIRANË- Një vendimmarrje e Gjykatës Kushtetuese e cila kërkonte sqarim se pse masa e arrestit me burg ishte proporcionale në raport me detyrën si kryebashkiak, nuk e ka bindur Gjykatën e Lartë që të lironte Erion Veliaj. Treshja gjykuese me relator Sandër Simonin dhe anëtarë Genti Shalën e Valbon Cekrezin la në fuqi vendimet e dy gjykatave të GJKKO për lënien në burg të kreut të Bashkisë Tiranë, i arrestuar që prej 10 shkurtit 2025. Ndryshe nga vendimi i mëparshëm i Gjykatës së Lartë që u shfuqizua nga GJK, këtë herë kishte një pritshmëri tjetër, jo vetëm për shkak të kërkesave të Kushtetueses por edhe një vendimi unifikues të vetë Gjykatës së Lartë, që i jepte më shumë prioritet masave të sigurisë më të buta. Tashmë gjyqtarët do të duhet t’i japin përgjigje ezauruese Gjykatës Kushtetuese e cila kërkoi arsyetim të plotë për pyetjen se pse për Veliajn nuk mund të merret një masë tjetër më e lehtë, edhe në raport me të drejtën e tij dhe qytetarëve të Tiranës për të zgjedhur. Ligjërisht kanë 60 ditë kohë për arsyetimin e plotë, por burime për Report Tv konfirmuan se vendimi i zbardhur do të përshpejtohet për shkak të rëndësisë së çështjes. LEXO EDHE:Gjykata e Lartë la Veliajn në qeli, avokati në Report TV: Gjykata të arsyetojë pse prevalon burgu mbi të drejtën e qytetarëve për tu drejtuar nga kryetari i zgjedhur "Kolegji Penal i Gjykatës së Lartë, i mbledhur në datë 15 shtator 2026, në Dhomë Këshillimi, mori në shqyrtim dosjen penale me palë: Kërkues: Erion Veliaj, Palë e Interesuar: Prokuroria e Posacme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar dhe objekt: Shfuqizimin e vendimeve nr. 7, dt. 09.02.2025, te Gjykates se Posacme te Shkalles se Pare per Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, vleftesuar permes vendimit nr. 14, dt. 12.02.2025, te Gjykates se Posacme te Shkalles se Pare per Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar; nr. 13, dt. 13.03.2025, te Gjykates se Posacme te Apelit per Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar; nr. 00-2025-1153 (176), dt. 08.07.2025, te Kolegjit Penal te Gjykates se Larte. Shpenzimet gjyqesore ne ngarkim te subjektit te interesuar. Pasi shqyrtoi çështjen, Kolegji, bazuar në nenin 441, pika 1, shkronja “e” të Kodit të Procedurës Penale, vendosi: Lënien në fuqi të Vendimit nr.13 (87-2025-85), datë 13.03.2025 të Gjykatës së Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar", njofton Gjykata e Lartë. Vetë mbrojtja e Veliajt e quajti e quajti skandaloze këtë vendim të Gjykatës së Lartë pasi sipas avokatit Plarent Ndreca la në fuqi një vendimmarrje të shfuqizuar nga Gjykata Kushtetuese. Duke theksuar se vendimi mban peng ushtrimin e mandatit të kryetarit të zgjedhur të Bashkisë së Tiranës tashmë prej 19 muajsh, Ndreca tha se Veliaj do të vijojë betejën pasi “një politikan mundet me votë, përballë qytetarëve, dhe jo përmes “lawfare”-it”, siç e cilësoi ai luftën ndaj kryebashkiakut. Sipas tij "shkaqet duhen kërkuar përtej argumenteve juridike dhe jashtë sallës së gjyqit". “Sigurisht, do ta analizojmë me përgjegjësi arsyetimin e plotë. Por rezultati i shpallur sot ngre një pyetje dramatike: çfarë vlere kanë garancitë kushtetuese nëse vendimet e Gjykatës Kushtetuese nuk zbatohen efektivisht? Kur një përfundim i tillë nuk gjen shpjegim bindës në Kushtetutë dhe në ligj, atëherë shkaqet duhen kërkuar përtej argumenteve juridike dhe jashtë sallës së gjyqit””, shkruan Ndreca. Çfarë kishte vendosur Kushtetuesja për rastin ‘Veliaj’? Më 25 maj, Gjykata Kushtetuese vendosi me 5 vota pro dhe 3 kundër në favor të Veliajt, duke e kthyer çështjen në Gjykatën e Lartë. Kushtetuesja kërkoi që kjo e fundit të argumentojë pse nuk ka pranuar kërkesat e kryebashkiakut për jo proporcionalitet e të masës së sigurisë dhe mbylljen në ka kafazin e xhamtë gjatë seancave gjyqësore. Katër gjyqtarë, Genti Ibrahimi, Sandër Beci, Fiona Papajorgji dhe Ilir Toska, vlerësuan se pretendimet e Veliajt ishin të bazuara për sa i përket mungesës së arsyetimit nga Gjykata e Lartë mbi proporcionalitetin e masës. Shumicës iu bashkua Sonila Bejtja, por me një qëndrim edhe më të fortë. Ajo vlerësoi se çështja duhej të kthehej në GJKKO, pasi, sipas saj Veliaj ishte arrestuar pa një dyshim të arsyeshëm të mbështetur në prova. Ndërsa Marsida Xhaferllari dhe Marjana Semini ngritën shqetësime për mbajtjen e Veliajt në kabinën e xhamit gjatë seancave gjyqësore, duke e konsideruar cenim të dinjitetit. Semini vlerësoi gjithashtu se gjatë paraburgimit ishte cenuar edhe e drejta e tij për të komunikuar me avokatin. I vetmi gjyqtar që kërkoi rrëzimin në tërësi të ankimit të Veliajt dhe e konsideroi të ligjshëm arrestin ishte Asim Vokshi. Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj ndodhet në qeli prej shkurtit të 2025-ës dhe ndaj tij ka nisur gjyqi i themelit. SPAK e akuzon Veliajn për 13 akuza, të tilla si korrupsion pasiv, pastrim parash, mosdeklarim pasurie, shpërdorim detyre dhe futja e sendeve në burg, por kryebashkiaku i ka mohuar. Tashmë, mbrojtja e Veliajt pritet që të dërgojë dosjen në Strasburg, ndërsa kryebashkiaku po i firmos vendimet nga qelia pasi shkarkoi kryetaren e komanduar, Anuela Ristani. ------------------------------- Sqarim: Çdo person prezumohet i pafajshëm deri sa nuk vërtetohet fajësia e tij me vendim gjyqësor të formës së prerë Rendit zhvillimet sipas orarit: Të Fundit Të Parat Ora 12:29 Gjykata e Lartë la Veliajn në qeli, avokati Ndreca: Po mbahet peng mandati i kryebashkiakut, vendimi ngre pikëpyetje për garancitë kushtetuese Vendimi i Gjykatës së Lartë që la në qeli kryebashkiakun e Tiranës, Erion Veliaj, për mbrojtjen e tij ngre një pikëpyetje: se çfarë vlere kanë garancitë kushtetuese nëse vendimet e Gjykatës Kushtetuese nuk zbatohen efektivisht? Në një reagim pas shpalljes së vendimit, avokati Plarent Ndreca thotë se po mbahet peng mandati i kryetarit te bashkisë së Tiranës dhe nuk po lejohet funksionimi normal i institucionit.Ndreca shkruan se Veliaj po mbahet prej 19 muajsh në qeli, ndonëse hetimet ndaj tij kanë përfunduar dhe çështja është në gjyq. AI thekson se do ta vijojnë betejën dhe se do të përdorim çdo mjet juridik që parashikon Kushtetuta, ligji dhe instrumentet ndërkombëtare.“Vendimi i sotëm i Gjykatës së Lartë përbën një zhvillim jashtëzakonisht shqetësues për shtetin e së drejtës, sigurinë juridike, të drejtat themelore dhe mbi të gjitha, për demokracinë në këtë vend. Duke lënë në fuqi një vendimmarrje të shfuqizuar nga Gjykata Kushtetuese, ky vendim praktikisht ka lënë pa efekt detyrues vendimin e autoritetit më të lartë kushtetues të vendit.Sigurisht, do ta analizojmë me përgjegjësi arsyetimin e plotë. Por rezultati i shpallur sot ngre një pyetje dramatike: çfarë vlere kanë garancitë kushtetuese nëse vendimet e Gjykatës Kushtetuese nuk zbatohen efektivisht? Kur një përfundim i tillë nuk gjen shpjegim bindës në Kushtetutë dhe në ligj, atëherë shkaqet duhen kërkuar përtej argumenteve juridike dhe jashtë sallës së gjyqit.Pasojat shkojnë përtej një procesi individual. Ato mbajnë peng ushtrimin e mandatit të kryetarit të zgjedhur të Bashkisë së Tiranës, funksionimin normal të institucionit dhe vullnetin e qytetarëve të shprehur me votë. Prej 19 muajsh, qytetarët e Tiranës janë privuar nga kryetari që kanë zgjedhur. Z. Erion Veliaj prezumohet i pafajshëm dhe vazhdon të mbahet në paraburgim, ndonëse hetimi ka përfunduar prej një viti dhe çështja ndodhet në gjykim.E gjithë kjo nuk është arsye për t’u dorëzuar, por për ta vijuar betejën. Mund ta izolojnë dhe t’i kufizojnë mundësinë për të folur, por nuk mund ta mundin politikisht nëpërmjet vendimeve gjyqësore. Një politikan mundet me votë, përballë qytetarëve, dhe jo përmes “lawfare”-it.Ne do të përdorim çdo mjet juridik që parashikon Kushtetuta, ligji dhe instrumentet ndërkombëtare.Shqipëria meriton një drejtësi të standardeve evropiane, e cila garanton të drejtat, respekton vendimet kushtetuese dhe mbron demokracinë, mjetin më të lartë që qytetarët kanë në dorë për të vendosur se kush i përfaqëson dhe kush e drejton vendin”, shkruan Plarent Ndreca. SI.E./Shqiptarja.com Share Xh.K/SI.E./Shqiptarja.com TAG: arrestimi i erion veliajt erion veliaj gjykata e larte gjykata kushtetuese Sa e vlerësoni këtë artikull? ★ ★ ★ ★ ★ 5.0 / 5 (5 vlerësime) Faleminderit! LAJMET MË TË VLERËSUARA Komente Komento I lire: 15/09/2026 13:32 Veliaj nuk mposhtet ceshtja do te shkoje deri ne gjykatat me te larta europiane. Duan qe veliaj te japi doreheqjen ky eshte motivacioni. Nuk perkulemi Përgjigju I lire: 15/09/2026 08:58 Mund tju pelqeje apo jo por Tirana ka nevoje urgjente per kryebashkiakun e saj! Përgjigju Sondazhi i ditës:

15 Shtator, 12:58

Gjykata e Lartë la në burg Erion Veliajn, si e vlerësoni? Të drejtë 26.5% Të gabuar 67% Nuk e di 6.5% Vota total: 385 Votat totale janë unike Sondazhi i ditës: 15 Shtator, 12:58 Gjykata e Lartë la në burg Erion Veliajn, si e vlerësoni?