Edi Rama Shqipëria po përballet me një paradoks politik ku një pjesë e qytetarëve kërkon largimin e Edi Ramës, ndërsa një pjesë tjetër, edhe pse kritikojnë qeverisjen e tij, shqetësohen nga fakti se kush do të vijë pas tij? Pikërisht kjo frikë nga alternativa, e shoqëruar me mungesën e besimit te opozita e degraduar, rrezikon të kthehet në mekanizmin që e mban të paprekur pushtetin. Por a mund të justifikohet vazhdimi i një qeverisjeje vetëm sepse kundërshtarët e saj nuk kanë ndërtuar ende një alternativë bindëse? Debati që ka shoqëruar zhvillimet e fundit politike në Europë, ku shtrohet pyetja nëse votuesit janë pjesë e përgjegjësisë për stanjacionin ekonomik, ka një lidhje interesante edhe me realitetin shqiptar. Atje diskutohet se si politikanët shmangin reformat nga frika se mos humbasin votat. Në Shqipëri, i njëjti mekanizëm mund të shihet nga një kënd tjetër ku qytetarët kërkojnë ndryshim, por një pjesë e tyre heziton ta mbështesë atë, nga frika se çfarë mund të ndodhë pas largimit të kryeministrit aktual.
Protestat kundër Edi Ramës, të cilat nisën si reagime qytetare dhe studentore dhe më pas u zgjeruan në kërkesa të drejtpërdrejta politike, kanë nxjerrë në pah një problem që nuk kufizohet vetëm te qeveria. Në qendër të debatit është edhe kriza e përfaqësimit politik, pakënaqësia ndaj qeverisjes nuk shoqërohet automatikisht me besim te opozita tradicionale.
Kjo është një prej arsyeve pse protesta nuk mund të lexohet thjesht si përplasje mes mazhorancës dhe opozitës. Të rinjtë kanë artikuluar pakënaqësi për korrupsionin e perceptuar, arsimin, kostot e jetesës, mundësitë e punësimit dhe të ardhmen në vend. Në shumë prej reagimeve të tyre është shfaqur edhe refuzimi ndaj klasës politike të konsoliduar, jo vetëm ndaj qeverisë aktuale. Reuters raportoi se demonstruesit kanë shprehur pakënaqësi edhe ndaj partive opozitare, të cilat nuk i konsiderojnë domosdoshmërisht si alternativë të mjaftueshme politike.
Në Shqipëri është krijuar një argument që përsëritet sa herë diskutohet largimi i Edi Ramës. Dakord, qeveria ka probleme, ka skandale, ka akuza për korrupsion dhe ka pakënaqësi qytetare, por kush do të vijë pas tij? A është më mirë të qëndrojë Rama sesa të vijë një alternativë që nuk ngjall besim?
Kjo pyetje nuk është e parëndësishme. Një vend nuk mund të ndërrojë qeverinë pa pasur një mekanizëm demokratik për vazhdimësinë e institucioneve, një program qeverisës dhe një ekip që merr përgjegjësinë për drejtimin e tij. Por problemi nis kur kjo pyetje nuk përdoret për të kërkuar një alternativë më të mirë, por për të justifikuar qëndrimin e atij që është në pushtet.
Në këtë mënyrë, përgjegjësia për ndryshimin zhvendoset nga qeveria te opozita. Në vend që të diskutohet për rezultatet e qeverisjes, debati përqendrohet te dobësitë e kundërshtarit. Në vend që të kërkohet llogari për atë që ka ndodhur gjatë viteve të pushtetit, qytetarëve u kërkohet të mendojnë për rrezikun e asaj që mund të ndodhë nëse pushteti ndryshon.
Kjo është një kurth politik. Nëse mungesa e një alternative bindëse bëhet arsye për të mos ndryshuar kurrë, atëherë çdo qeveri mund ta përdorë dobësinë e kundërshtarëve si argument për vazhdimin e mandatit.
Vetë Edi Rama e ka bërë të qartë qëndrimin e tij për kërkesat për dorëheqje. “Përgjegjësia ime është të dëgjoj, të trajtoj shqetësimet legjitime dhe ta mbaj Shqipërinë duke ecur përpara. Alternativa do të ishte tradhti ndaj shqiptarëve që më dhanë një mandat të fortë për të përfunduar negociatat për anëtarësimin në Bashkimin Europian.” ,ka theksuar Rama. Më 25 tetor, ndërsa protestat vijonin, Rama u shpreh se ata që kërkojnë dorëheqjen e tij gabojnë nëse mendojnë se mund ta imponojnë atë përmes dhunës, por pranoi se jo çdo kërkesë e protestuesve është e gabuar. “Unë besoj se ata që kërkojnë dorëheqjen time gabojnë nëse mendojnë se mund ta imponojnë atë përmes dhunës apo çdo mjeti tjetër, por nuk besoj se gjithçka që thonë apo kërkojnë është e gabuar”, deklaroi kryeministri. Këtu duhen ndarë dy çështje që shpesh përzihen në debatin politik, e drejta e qeverisë për të ushtruar mandatin e fituar në zgjedhje dhe e drejta e qytetarëve për të kërkuar largimin e saj përmes protestës paqësore. Mandati elektoral nuk e përjashton përgjegjësinë politike dhe as nuk e bën qeverinë të paprekshme nga kritika.
Po kështu, dhuna, sulmet ndaj institucioneve dhe dëmtimi i pronës nuk mund të justifikohen me pakënaqësinë politike. Por as aktet e dhunshme të një pjese të protestuesve nuk mund të përdoren për të zhvlerësuar çdo kërkesë të pjesës tjetër të qytetarëve.
Një nga elementet më domethënëse të protestave është refuzimi që një pjesë e të rinjve u bën jo vetëm qeverisë, por edhe përfaqësimit tradicional politik pasi protestuesit kërkojnë largimin e klasës politike të 35 viteve të fundit dhe një Shqipëri me drejtues të rinj.
Largimi i Ramës dhe zhvillimi i zgjedhjeve të reja nuk garantojnë automatikisht ardhjen e një lidershipi të ri, por protesta duhet të prodhojë një rezultat politik dhe të shoqërohet me një alternativë konkrete, pasi nuk mund të votohet thjesht për një protestë.
Largimi i një kryeministri nuk është vetvetiu program qeverisës. As zemërimi qytetar nuk mund të zëvendësojë institucionet, programin ekonomik, reformën zgjedhore dhe përgjegjësinë e një ekipi politik.Por kjo nuk do të thotë se mungesa e një alternative të konsoliduar duhet të shndërrohet në arsye për të mos kërkuar ndryshim.
Një tjetër pikë e fortë është edhe çështja e mungesës së një blloku të qëndrueshëm opozitar që ndikon në mënyrën se si ndërkombëtarët e vlerësojnë stabilitetin politik të vendit. Pra, kriza e opozitës nuk është thjesht një problem i brendshëm i Partisë Demokratike, por një faktor që ndikon në gjithë ekuilibrin politik.
Kjo shpjegon edhe paradoksin shqiptar se një qeveri mund të përballet me pakënaqësi të mëdha, por të mos përballet me një alternativë po aq të konsoliduar sa pakënaqësia që ka prodhuar.
Por kush duhet të ketë frikë nga ndryshimi?
Në një demokraci funksionale, pyetja nuk duhet të jetë nëse duhet të largohet një kryeministër dhe të vijë një tjetër pa asnjë garanci. Pyetja duhet të jetë se çfarë mekanizmash politikë dhe institucionalë sigurojnë që çdo qeveri, e sotme apo e ardhshme, të japë llogari.
Nëse Rama largohet, Shqipëria nuk pushon së ekzistuari. Kushtetuta parashikon mekanizmat për zëvendësimin e kryeministrit dhe funksionimin e institucioneve. Nëse një qeveri humbet mbështetjen parlamentare ose vendi shkon në zgjedhje, ekzistojnë procedura për garantimin e vazhdimësisë shtetërore. Nuk bëhet fjalë për një boshllëk të pashmangshëm pushteti.
Nga ana tjetër, askush nuk mund të garantojë se pas Ramës do të vijë automatikisht një qeveri më e mirë. Kjo varet nga alternativat, programet, njerëzit dhe mekanizmat e kontrollit që do të ofrohen. Pikërisht këtu duhet të ushtrohet presioni qytetar edhe ndaj opozitës që jo vetëm të kërkojë largimin e qeverisë, por të shpjegojë se si do ta qeverisë vendin, çfarë do të ndryshojë dhe si do të shmangë përsëritjen e të njëjtit model.
Në fund, frika se kush vjen pas Ramës është një shqetësim legjitim vetëm nëse shërben për të kërkuar një alternativë më të besueshme. Nëse përdoret si argument për të mos ndryshuar asgjë, ajo kthehet në një alibi politike për vazhdimin e status quo-së.
Një demokraci nuk mund të mbahet peng nga ideja se nuk ka njeri tjetër përveç atij që është në pushtet. Kryeministrat nuk janë pronarë të shtetit dhe mandatet nuk janë të drejta të përhershme.
Shqipëria nuk ka nevojë vetëm për largimin apo qëndrimin e një emri në krye të qeverisë. Ka nevojë për një sistem ku askush të mos jetë i pazëvendësueshëm, ku asnjë pushtet të mos jetë pa kontroll dhe ku ndryshimi të mos shihet si kërcënim, por si pjesë normale e demokracisë./ Pamfletikush vjen po iku rama Lini një Përgjigje Anuloje përgjigjen Politike Protestat në Tiranë, ish-ministri i Jashtëm: Ramën dhe Berishën mund t’i largojë vetëm vota 1 Nëntor 2026, 09:1409:14Politike Erdogani shqiptar! 31 Tetor 2026, 20:1320:13Politike Nga Tirana në Beograd, si po ndërton Izraeli një rrjet ndikimi në Ballkan 31 Tetor 2026, 18:4018:40Politike Plani amerikano-saudit për ndarjen e Bosnjes dhe frika e një lufte të re në Ballkan 31 Tetor 2026, 14:5514:55Politike “Rama n’burg, Berisha n’burg”, thirrja që tensionoi protestën e studentëve; përplasje verbale mes grupimeve 31 Tetor 2026, 14:0814:08Politike Revolta studentore hyn në ditën e 19-të, PD zbret në rrugë; përplasje deputetësh me policinë 31 Tetor 2026, 12:3812:38Politike

