Lajme Zone
Kush po kërkon t’i rrëmbejë “Flamingot”?
PolitikëPamfleti

Kush po kërkon t’i rrëmbejë “Flamingot”?

“Flamingot”, përballë hienave të tranzicionit... Tridhjetë e pesë vjet pas Dhjetorit ’90, një brez tjetër të rinjsh po sfidon politikën shqiptare. Ndryshojnë koha dhe rrethanat, por një ves i vjetër mbetet: kur nuk e kontrollon dot revoltën, përpiqu ta baltosësh, ta përçash ose ta marrësh nën sqetull. Politika shqiptare ka pasur gjithmonë një marrëdhënie të çuditshme me të rinjtë. I do në mitingje

“Flamingot”, përballë hienave të tranzicionit... Tridhjetë e pesë vjet pas Dhjetorit ’90, një brez tjetër të rinjsh po sfidon politikën shqiptare. Ndryshojnë koha dhe rrethanat, por një ves i vjetër mbetet: kur nuk e kontrollon dot revoltën, përpiqu ta baltosësh, ta përçash ose ta marrësh nën sqetull. Politika shqiptare ka pasur gjithmonë një marrëdhënie të çuditshme me të rinjtë. I do në mitingje, në fushata dhe në fotografitë pranë liderëve; u premton se e ardhmja u përket atyre, por bezdiset sapo ata vendosin të flasin pa lejen e saj. Pikërisht atëherë fillojnë pyetjet e njohura: kush i organizon, kush i financon, kush fshihet pas tyre dhe, mbi të gjitha, të kujt janë?

Shqipëria e ka jetuar këtë histori në rrethana shumë më të rënda në dhjetorin e vitit 1990, kur studentët sfiduan një regjim që kishte sunduar vendin për afro gjysmë shekulli. Ata u përballën me presionin, frikën dhe propagandën e një sistemi që nuk mund ta pranonte se një brez i ri kërkonte të merrte në dorë fatin e vet.

Studentët hapën portat e pluralizmit, por nëpër ato porta nuk kaluan vetëm ata. Rreth revoltës u afruan shpejt njerëz të sistemit të vjetër, oportunistë, funksionarë që kuptuan nga po frynte era dhe hijena që ditën ta kthenin energjinë studentore në kapital politik. Komunizmi ra dhe Shqipëria ndryshoi rrënjësisht, ndërsa një pjesë e kulturës së vjetër të pushtetit mbijetoi duke ndërruar kostum.

Kjo është arsyeja pse Dhjetori ’90 ka kuptim edhe sot. Jo për të bërë barazimin absurd mes Shqipërisë së diktaturës dhe Shqipërisë së vitit 2026, por për të kujtuar një mësim që tranzicioni na e ka shitur shtrenjtë: një revoltë nuk rrezikon vetëm të shtypet; ajo mund edhe të përvetësohet.

Në këtë pikë duhen parë edhe “Flamingot”.

Askush nuk mund ta dijë sot sa larg do të shkojë kjo lëvizje. Mund të rritet, mund të shuhet, mund të gabojë dhe mund të zhgënjejë. Interesante, megjithatë, është shpejtësia me të cilën rreth saj ka nisur rituali i vjetër i politikës shqiptare: dyshime, etiketime, spekulime, kërkime lidhjesh dhe përpjekje për t’i vendosur protagonistët në njërin prej kampeve ekzistuese.

Në vend që të diskutohet çfarë kërkojnë, kërkohet me kë janë fotografuar. Në vend që të dëgjohet argumenti, kërkohet biografia që mund ta komprometojë. Një njohje, një mik, një fotografi apo një lidhje e largët mjafton që në laboratorët e partive dhe në rrjetet sociale të ndërtohet historia se dikush patjetër qëndron pas tyre.

Natyrisht, “Flamingot” nuk mund të kërkojnë imunitet nga kontrolli publik. Nëse pretendojnë pavarësi, duhet ta dëshmojnë me transparencë; nëse kanë financime, publiku duhet të dijë burimin; nëse brenda tyre ka njerëz me angazhime politike, kjo nuk ka pse të fshihet. Të jesh i ri nuk të bën automatikisht as të drejtë, as të pakorruptueshëm.

Ka, megjithatë, një kufi të qartë mes pyetjes dhe baltës. Të kërkosh transparencë është gazetari dhe detyrim publik; të marrësh një fotografi ose një njohje dhe prej saj të fabrikosh një komplot është propagandë.

Rreziku më i madh për “Flamingot”, megjithatë, mund të mos vijë nga ata që i sulmojnë, por nga ata që nxitojnë t’i përqafojnë. Politika shqiptare e njeh mirë këtë mjeshtëri: kur nuk arrin ta mposhtë një lëvizje, përpiqet t’i dalë në krah; kur nuk mund ta kontrollojë nga jashtë, kërkon njerëzit përmes të cilëve mund të hyjë brenda. Krahmarrja zakonisht nis si solidaritet dhe mund të përfjë si pronësi.

Pikërisht këtu përvoja e vitit 1990 duhet të vlejë si paralajmërim. Studentët e atëhershëm nuk kishin 35 vjet tranzicion pas shpine për të kuptuar se sa shpejt një kauzë mund të kthehet në parti, një idealist në funksionar dhe një revoltë në shkallë për karrierën e dikujt tjetër. Brezi i sotëm e ka këtë histori përpara syve dhe nuk mund të thotë se nuk e njeh.

Shqipëria nuk ka vuajtur nga mungesa e partive, opozitave apo liderëve që premtojnë ta shpëtojnë vendin nga njëri-tjetri. Ajo që ka munguar shpesh është një qytetari e aftë t’u thotë të dyja palëve se jo çdo pakënaqësi është pronë elektorale dhe se një njeri mund të kundërshtojë qeverinë pa qenë ushtar i opozitës, ashtu siç mund të kritikojë opozitën pa u bërë vegël e qeverisë.

Kjo është edhe prova e vërtetë për “Flamingot”. Jo sa njerëz do të mbledhin dhe as sa gjatë do të qëndrojnë në krye të lajmeve, por nëse do të arrijnë të mbeten të pavarur. Të pranojnë mbështetje pa u bërë pengje, t’u përgjigjen pyetjeve pa u trembur prej baltës dhe të mos lejojnë që revolta e tyre të shndërrohet në municion për luftën e vjetër mes kampeve.

Tridhjetë e pesë vjet më parë, të rinjtë shqiptarë hapën një epokë, por hijenat e sistemit që po shembej ditën të gjenin vend edhe në sistemin e ri. “Flamingot” kanë sot një avantazh që studentët e Dhjetorit nuk e kishin: e dinë se çfarë ndodhi pas vitit të famshëm ‘90.

Nëse historia vlen për diçka, vlen pikërisht që të mos biesh dy herë në të njëjtin kurth. As kafshët nuk bien dy here në të njëjtën grope./Pamfletikush po kërkon t'i rrëmbejë flamingot gjergj zefi Lini një Përgjigje Anuloje përgjigjen Editorial Katovica buzë liqenit të Ohrit 22 Gusht 2026, 16:4516:45Editorial Pse Edi Ramës do t’ia hanë kokën të vetët 21 Gusht 2026, 16:4416:44Editorial Piktori që retushon skandalet 20 Gusht 2026, 18:0818:08Editorial Këtu e ka marrë ferra uratën 19 Gusht 2026, 19:4119:41Editorial Ky stan, këtë bylmet ka... 18 Gusht 2026, 19:2019:20Editorial Besa e fundit e Edi Ramës 17 Gusht 2026, 14:1214:12Editorial