Mbrëmja e sotme ka kthyer konviktet e Qytetit Studenti në një skenë absurde që ngjan më shumë me mesjetën sesa me një kryeqytet që pretendon të jetë vatër e arsimit universitar. Dhjetëra studentë, me valixhe e plaçka në duar, kanë mbetur mbi trotuare e në dyert e godinave 28 dhe 29, pasi drejtoria e rezidencave studentore ka vendosur t'i vë kyçin pa asnjë paralajmërim apo sqarim njerëzor.
Arsyeja zyrtare nxjerr në pah një ironi të vërtetë: optimizim kapacitetesh për shkak të kërkesës së ulët. Ndërkohë që për të marrë një dhomë, kërkesa e parë e padiskutueshme dhe më me ngulm nga administrata është faturimi dhe pagesa e menjëhershme e tarifës, sot ata që i kanë shlyer të gjitha detyrimet financiare po përballen me dyer të mbyllura.
Kjo përplasje tregon një qasje thellësisht burokratike dhe të papërgjegjshme ndaj të rinjve. Dokumenti i parë që kërkohet me insistim absolut është mandat-pagesa, sepse pa kaluar paratë në arkë asnjë student nuk merr çelësin, por sapo paratë merren, përgjegjësia e administratës duket se avullon plotësisht. Të trajtosh studentët si thjesht shifra në numërues kapacitetesh është e paimagjinueshme, sepse nëse kërkesa është e ulët, nuk ka asnjë logjikë të penalizohen ata që kanë zgjedhur e paguar për të qëndruar në ato godina.
Logjika thotë se infrastruktura duhet t'i përshtatet mbarëvajtjes së studentit, jo studenti t'i nënshtrohet dëshirave burokratike për të kursyer energji apo mirëmbajtje duke i ngjeshur të gjithë në pak godina. Përveç kaosit të lëvizjes, mbledhja e studentëve me forcë në pak godina zvogëlon hapësirën, lirinë individuale dhe rehatinë minimale për të cilën secili prej tyre ka paguar.
Akomodimi në konvikt nuk është bamirësi, por një shërbim publik me pagesë që duhet të garantojë kushte elementare jetese, stabilitet dhe siguri. Të detyrosh të rinjtë të 'paketojnë' jetën e tyre brenda ditës, të përballen me sjellje arrogante te dera e godinës dhe t'i transferosh pa konsensus, tregon se mirëqenia e tyre renditen të fundit në listën e prioriteteve. Studentët nuk janë ngarkesë inventari që zhvendoset nga një dhomë në tjetrën sa herë që llogaritë e zyrës nuk dalin.
