Instituti i Shëndetit Publik (ISHP) bën me dije se malaria vijon të mos përbëjë një sëmundje me transmetim endemik në Shqipëri. Rastet e evidentuara ndër vite kanë qenë sporadike dhe të importuara, si rezultat i ekspozimit ndaj infeksionit në vende ku malaria është endemike. Rasti i fundit i raportuar është trajtuar në kohë dhe në përputhje me protokollet përkatëse mjekësore, në Shërbimin e Sëmundjeve Infektive pranë Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza”. Pas marrjes së trajtimit dhe përmirësimit të gjendjes shëndetësore, pacienti ka dalë nga spitali dhe aktualisht paraqitet në gjendje shumë të mirë shëndetësore.Lexo edhe:Pse ndiheni të lodhur pas drekës dhe si ta kapërceni atë 12 raste të raportuara gjatë periudhës 2022–2026 Sipas të dhënave të Sistemit Elektronik të Sëmundjeve Infektive (SISI), gjatë periudhës 2022–2026 në Shqipëri janë raportuar gjithsej 12 raste me malarie. Rastet janë shpërndarë sipas viteve si më poshtë: Viti Numri i rasteve 2022 1 2023 5 2024 3 2025 2 2026 1 Gjithsej 12 ISHP thekson se të gjitha rastet e raportuara gjatë kësaj periudhe janë klasifikuar si raste të importuara, me ekspozim ndaj infeksionit jashtë territorit të Shqipërisë. Sipas institucionit, gjatë pesë viteve të fundit nuk është evidentuar asnjë rast i transmetimit autokton të malaries në vendin tonë. Në kuadër të vlerësimit të situatës, një ekip multidisiplinar i Institutit të Shëndetit Publik, me specialistë nga sektorët e Epidemiologjisë, Entomologjisë dhe Shëndetit në Punë, po kryen vlerësimin përkatës epidemiologjik dhe entomologjik në terren. ISHP bën me dije se vijon të monitorojë situatën përmes sistemit të survejancës epidemiologjike dhe bashkëpunimit me strukturat shëndetësore, me qëllim identifikimin dhe trajtimin në kohë të çdo rasti. Instituti i Shëndetit Publik rithekson se nuk ka evidencë për transmetimin e malaries brenda territorit të Shqipërisë dhe se situata po monitorohet në mënyrë të vazhdueshme nga strukturat përkatëse të shëndetit publik.

