Gjyqtari Xhevdet Lika ka vendosur të lirojë nga burgu ish-drejtoren e degës së Postës Shqiptare në Durrës, Elisabeta Mataj, e cila akuzohet për vjedhjen e 69 milionë lekëve nga fondi i destinuar për pensionet e banorëve të Shijakut dhe Krujës.
Ndryshimi i masës së sigurisë ndaj Matajt ka ngritur pikëpyetje të mëdha mbi arsyet se pse gjyqtari Lika vendosi ta nxjerrë nga qelia ish-zyrtaren e akuzuar për përvetësimin e parave të një prej kategorive më të cenueshme të shoqërisë.
Vendimi ka nxitur dyshime publike nëse paratë e vjedhura nga fondi i pensioneve janë përdorur për të ndikuar mbi zbutjen e masës së sigurisë.
Njëkohësisht, rasti ka vënë në qendër të kritikave organet e kontrollit të sistemit të drejtësisë: Këshillin e Lartë Gjyqësor (KLGJ) dhe Inspektoratin e Lartë të Drejtësisë (ILD), duke ngritur pyetje mbi mungesën e reagimit dhe monitorimit të vendimeve të tilla me interes të lartë publik.

