Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka zhvilluar një bisedë me kancelarin gjerman, Friedrich Merz, në kuadër të Samitit të 13-të të Procesit të Berlinit, ku ka pranuar urime për mandatin e ri.Kurti ka bërë të ditur se takimi u zhvillua pas vendimit të Bundestagut gjerman për vazhdimin e qëndrimit të ushtarëve gjermanë në Kosovë, në kuadër të misionit të KFOR-it. Në një postim, kreu i Qeverisë ka vlerësuar rolin e Gjermanisë në Procesin e Berlinit, nismë e lansuar më 2014, e cila synon të forcojë bashkëpunimin mes gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe t’i trajtojë ato në baza të barabarta.Kurti ka përmendur edhe marrëveshjet e arritura në këtë proces për udhëtimin me letërnjoftime dhe njohjen e diplomave, duke theksuar se Kosova i ka zbatuar të gjitha.“Të gjithë duhet të bëjnë të njëjtën gjë, sepse askush nuk mund ta mbajë peng rajonin”, ka deklaruar Kurti.Ai ka folur edhe për bashkëpunimin ekonomik mes Kosovës dhe Gjermanisë, duke bërë të ditur se investimet e drejtpërdrejta gjermane në Kosovë arrijnë në rreth 1.5 miliardë euro, prej të cilave 62 për qind janë realizuar vetëm gjatë pesë vjetëve të fundit.Sipas tij, potenciali për bashkëpunim të mëtejmë mbetet i madh në sektorët e industrisë, energjisë, transportit, teknologjisë së informacionit dhe komunikimit (TIK), si dhe arsimit profesional.Kurti ka njoftuar gjithashtu se javën e ardhshme Prishtina do të mirëpresë Forumin e tretë Ekonomik Gjermano-Kosovar.Në fund, kryeministri ka theksuar rëndësinë e partneritetit me Gjermaninë për të ardhmen evropiane të Kosovës.“Gjermania është pjesë e të ardhmes sonë evropiane. Faleminderit, Kancelar Merz!”, ka shkruar Kurti./Telegrafi/

