Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka pritur në takim, të hënën, ambasadoren e re të Suedisë në Prishtinë, Åsa Pehrson, e cila, siç njofton qeveria, ka thënë se gjithmonë ka dashur të shërbejë në Kosovë.Ai shprehu mirënjohjen për ndihmën e vazhdueshme që shteti i Pehrson i ka dhënë Kosovës para dhe pas pavarësisë. “Si një vend mik dhe ndër pesë donatorët tanë më të mëdhenj, Suedia u bë shtëpi e shumë familjeve shqiptare të Kosovës”, tha Kurti, duke përmendur faktin se ky vend strehoi edhe shumë minatorë të Trepçës, pas grevës së vitit 1989.Ai, po ashtu, përmendi edhe kontributin e mijëra ushtarëve suedezë në kuadër të KFOR-it, sipas një njoftimi të kryeministrisë.Aty thuhet se në takim u diskutua për thellimin e bashkëpunimit ekonomik, tregtar, energjetik dhe në fushën e mbrojtjes ndërsa shtohet se “palët trajtuan gjithashtu zhvillimet politike dhe rajonale”.Shefi në detyrë i ekzekutivit bëri të ditur se me diplomaten suedeze ishte takuar 20 vjet më parë në Stokholm.

