“Kur u futa unë dhe Ulsiu në parti, na shihnin shtrembër”/ Rama nga Dibra: Qeveria e Nanos nuk la gjë pa bërë për UÇK-në dhe çlirimin e Kosovës
Gjatë fjalës së tij në ceremoninë në prag të 35-vjetorit të PS në Dibër, kryeministri Rama u shpreh se Partia Socialiste ka provuar më shumë se një herë që është e vetmja forcë politike e cila ka një marrëdhënie të kristaltë me interesin kombëtar.

Gjatë fjalës së tij në ceremoninë në prag të 35-vjetorit të PS në Dibër, kryeministri Rama u shpreh se Partia Socialiste ka provuar më shumë se një herë që është e vetmja forcë politike e cila ka një marrëdhënie të kristaltë me interesin kombëtar. Kryeministri kujtoi edhe qeverinë e Fatos Nanos, duke u shprehu se ai bëri çmos për të mbështetur UÇk-në dhe lirinë e Kosovës.
“Kthehemi sot këtu në Dibër në këtë pallat sporti, pasi kemi pasur 2 takime të paharrueshme, njërin përpara zgjedhjeve dhe tjetrin pas. Më kujtohet ai para zgjedhjeve, se me siguri nuk e keni harruar, u bë një takim shumë popullor dhe i përfolur në të gjitha pasqyrat mediatike për punën e çyrykëve. Edhe unë nuk e kisha pritur që gjithë çyrykët do të hidheshin përpjetë duke thënë: ‘Ne jemi burra’. Burrat e mençur shkuan pas grave dhe Dibra nxori nga kutitë e votimit fitoren më të madhe ndonjëherë. Ai ka qenë një moment i daljes në pah të mençurisë së kësaj zone, me të cilën për një sërë arsyesh unë ndihem shumë i lidhur dhe më vjen mirë që kjo lidhje materializohet edhe me shpejtësinë e ardhjes.
Erdha me disa minuta vonesë. Ulsiu i ka bindur të gjithë në Tiranë që rruga është 50 minuta. I thashë: ‘Po më çoni me vonesë’. Më thanë: ‘Jo, se të sjellim për 55 minuta, se kështu na tha Ulsi Manja’. Fajin e ka ai. Do të ishte e pamendueshme, para se ne ta ndërtonim rrugën e dibranëve, se kështu e quaj unë rrugën e Arbrit. Do të ishte e pamendueshme të vije dhe të ktheheshe për një takim tjetër në Tiranë.
Kjo është vazhdimi i një rruge që është rruga e PS-së, në të cilën ne e kemi parë dhe dëgjuar shumë, por edhe bërë shumë. Duke u kthyer tek çfarë tha Ulsiu në fjalën e tij, unë dua të rinënvizoj, sepse historia e PS-së nuk nis me momentin kur hyra unë në parti me Ulsiun. Ne kemi hyrë më vonë dhe na shihnin si shtrembër, por nis në momentin kur socialistët bënë një zgjedhje shumë të qartë dhe u shkëputën në mënyrë shumë të arsyeshme nga e shkuara, duke i dhënë jetë një partie e cila në këto 35 vite ka shënuar disa gjëra shumë të rëndësishme në librin e jetës politike shqiptare.
Në radhë të parë, PS ka provuar më shumë se një herë që është e vetmja forcë politike e cila ka një marrëdhënie të kristaltë me interesin kombëtar. Dhe ndoshta shembulli kulmor është i lidhur me atë periudhë kur PS dhe lideri i saj historik, Fatos Nano, bombardoheshin nga të katërta anët si të lidhur me Beogradin. Ata që i bombardonin ishin ata që ditën flisnin për Kosovën, natën thyenin embargon që bota demokratike i kishte vendosur Millosheviçit dhe i shisnin naftë atij për të furnizuar makinën fashiste të spastrimit etnik. Ishte PS, duke filluar nga qeveria e Nanos, që nuk la asgjë pa bërë për ta mbështetur hapur dhe mbyllur Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës dhe çlirimin e Kosovës”, u shpreh Rama. Top Channel
