Lajme Zone
Kur teknologjia bie në duart e barbarëve
PolitikëPamfleti

Kur teknologjia bie në duart e barbarëve

Teknologjia ecën me kohën, ne ende e gjykojmë lirinë me moralin e turmës…

Teknologjia ecën me kohën, ne ende e gjykojmë lirinë me moralin e turmës… Mund të kesh në dorë telefonin e fundit, të komunikosh me gjithë botën në një sekondë dhe të jetosh mes algoritmeve, inteligjencës artificiale e kamerave që regjistrojnë gjithçka. Asnjë prej tyre nuk të bën modern. Moderniteti fillon kur njeriu pranon lirinë e tjetrit, privatësinë e tij dhe të drejtën për të jetuar jashtë gjykimit të turmës. Ka diçka shumë më shqetësuese se çdo material intim që mund të dalë nga një telefon, një kompjuter apo një kamera. Është mënyra se si një shoqëri e pret atë.

Teknologjia ka ecur shumë më shpejt se ne. Ajo na ka dhënë mjete që deri dje i kishin vetëm shërbimet sekrete. Një telefon mund të fotografojë, filmojë, regjistrojë, ruajë, kopjojë dhe brenda pak sekondash t'ia dorëzojë jetën private të një njeriu miliona të panjohurve. Problemi fillon kur këtë fuqi e merr në dorë një shoqëri që ende nuk e ka kuptuar kufirin mes publikes dhe privates.

Ne kemi importuar teknologjinë, por jo kulturën që duhet ta shoqërojë atë.

Një pjesë e burrave shqiptarë vazhdojnë ta trajtojnë marrëdhënien me një grua si trofe. E tregojnë. E përflasin. E përdorin emrin e saj si provë burrërie. I numërojnë gratë si gjahtari shpezët e vrara pas një dite gjuetie dhe presin admirimin e shoqërisë.

Në të vërtetë, aty nuk provojnë burrërinë. Provojnë varfërinë e marrëdhënies së tyre me intimitetin.

Njeriu që ka nevojë t'u tregojë të tjerëve se me kë ka bërë seks, nuk e zotëron sekretin. Dhe kush nuk zotëron sekretin, vështirë se mund të kuptojë pasionin.

Sepse dëshira e vërtetë ka një çelës. Ajo jeton pikërisht nga fakti se dera nuk hapet për të gjithë.

Pasioni nuk ka nevojë për spektatorë. Nuk kërkon duartrokitje, prova në telefon apo dëshmitarë në rrjet. Ai jeton në atë territor të vogël ku dy njerëz mbyllin derën dhe pjesa tjetër e botës pushon së ekzistuari. Aty mund të lindë ajo dëshirë që të pushton mendjen.

Kur intimiteti kthehet në mall publik, humbet pikërisht këtë fuqi. Mbetet vetëm pornografia e turmës.

Këtu nis problemi ynë i vërtetë.

Një shoqëri e lirë, kur përballet me publikimin e jetës intime të një njeriu pa pëlqimin e tij, shqetësohet se kush ia shkeli privatësinë. Shoqëria e turmave shqetësohet për çfarë bëri gruaja.

Njëra kërkon autorin e cenimit. Tjetra gjykon viktimën.

Ky ndryshim tregon distancën mes lirisë si kulturë dhe lirisë si fjalë.

Edhe më domethënëse bëhet sjellja jonë kur e krahasojmë me raportin që kemi ndaj pushtetit dhe forcës. Të njëjtët njerëz që marrin guximin të bëhen prokurorë, gjykatës dhe xhelatë moralë të një gruaje të pambrojtur, heshtin përballë njerëzve që kanë pushtet, para, lidhje dhe dhunë pas vetes.

Ky është një tipar i vjetër i shoqërive të nënshtruara. Ato nuk e ushtrojnë zemërimin kundër atij që i sn. E shkarkojnë mbi atë që nuk mund t'u përgjigjet. Burri mbi gruan, i forti mbi të dobëtin, turma mbi individin. Kur përballë tyre shfaqet pushteti i vërtetë, hierarkia ndryshon menjëherë. Zëri ulet. Morali zhduket. Trimëria mbaron.

Prandaj histeria ndaj jetës intime të një gruaje nuk flet shumë për gruan. Flet për ne.

Flet për një shoqëri që ende e konsideron seksualitetin mashkullor privilegj dhe seksualitetin femëror objekt gjykimi. Burri mund të mburret me aventurat e tij dhe shoqëria e shpall ‘burrë’. Gruaja bën të njëjtën zgjedhje dhe turma kërkon ta turpërojë. Ky standard nuk buron nga morali. Buron nga pushteti. Morali nuk ndryshon sipas gjinisë. As liria.

Liria nuk matet nga e drejta për të bërë atë që miraton shumica. Atë të drejtë ta japin edhe shoqëritë më autoritare. Liria fillon pikërisht te e drejta e individit për të bërë atë që shumica nuk e miraton, për sa kohë nuk cenon lirinë e një tjetri.

Këtu ndahet qytetari nga turma.

Turma kërkon ngjashmëri. Individi kërkon hapësirë. Turma gjykon. Individi mendon. Turma ka nevojë për një viktimë që të ndiejë për pak minuta epërsinë morale që nuk e gjen dot në jetën e saj.

Teknologjia vetëm ia ka shumëfishuar fuqinë këtij instinkti.

Dikur thashethemi duhej të kalonte nga një kafene në tjetrën. Sot mjafton një klikim. Dikur poshtërimi kishte kufijtë e një lagjeje. Sot mund të mbërrijë te qindra mijëra njerëz për disa minuta. Dora që mban telefonin ka fituar një fuqi që mendja që e drejton jo gjithmonë e meriton.

Prandaj zhvillimi teknologjik nuk sjell vetvetiu qytetërim.

Mund të kesh internetin më të shpejtë në botë dhe mentalitetin e turmës që gjuan me gurë. Mund të përdorësh inteligjencën artificiale dhe njëkohësisht të mos kuptosh të drejtën elementare të një njeriu mbi trupin, seksualitetin dhe sekretin. Mund të jetosh në një apartament inteligjent, të drejtosh një makinë elektrike dhe të mbash në kokë kodin moral të një shoqërie patriarkale.

Teknologjia nuk e zhduk primitivizmin. Ndonjëherë vetëm i jep atij mjete më të fuqishme.

Liria, jo gjithmonë e zhduk robërinë. Liria e një populli barbar është dyfish robëri. /Pamfleti kur teknologjia bie në duart e barbarëve gjergj zefi 3 Komente A A.K. 2 Tetor 2026, 18:42 shume drejt,po kujt i thua. Përgjigjjuni S Sistemi politiko-mediatik i kalbur 3 Tetor 2026, 02:07 A ËSHTË TOP CHANNEL NJË "LAVAZHO IMAZHI" MADIATIKE E KASTËS POLITIKO-ARTISTIKE?

______________________________________

Në Top Channel, “Live me Luizin”, Eli Fara ishte e ftuar në premierën e 2 tetorit 2026.Më 2 tetor 2026, ditën kur u publikuan në media lajme për videot intime që qarkullonin online, Top Channel e kishte Eli Farën të ftuar në premierën e “Live me Luizin”. Vetëm pak para premierës, Luiz Ejlli kishte bërë publikë të ftuarit e mbrëmjes, ku përfshihej edhe Eli Fara. Top Channel zgjodhi të mos e ndërpresë ose shtyjë paraqitjen e një personazhi pikërisht atë mbrëmje në një spektakël argëtues që, po atë ditë, ishte në qendër të një çështjeje shumë të rëndë të privatësisë dhe hetimit. Kur një personazh përfshihet papritur në një ngjarje shumë të rëndë mediatike, a duhet një program argëtues të vazhdojë sikur asgjë nuk ka ndodhur? Kjo është një çështje legjitime editoriale dhe etike. Sidomos sepse emisioni prezantohet si spektakël familjar që bashkon intervistën, humorin, muzikën dhe personazhet. ○Rasti i Monika Kryemadhit është po ashtu një shembull tjetër. Reporter.al/BIRN raportoi në mars 2026 se Kryemadhi kishte marrë rolin e opinionistes në Big Brother VIP në dhjetor 2025, në një periudhë kur ajo ishte nën akuzë për korrupsion, pastrim parash dhe fshehje pasurie. BIRN gjithashtu raportoi se vetë Kryemadhi tha se propozimi për t'u bërë pjesë e Big Brother-it kishte ardhur nga Top Channel, jo prej saj. Pra, kemi një mekanizëm mediatik ku një figurë që përballet me një krizë reputacioni zhvendoset nga konteksti i akuzave/problemeve drejt një konteksti argëtues, familjar dhe emocional, duke e bërë publikun ta perceptojë në një rol tjetër,

○Një shembull tjetër është Igli Tare. Tare u shfaq si analist sportiv në Top Channel më 8 shtator, te programi sportiv i Manushit, ndërsa zbulimi publik i vilës së dytë erdhi më 9 shtator, pra praktikisht në të njëjtën periudhë. SPAK dyshon se Igli Tare është përdorur për fshehjen e dy vilave që, sipas hetimit, ishin në pronësi faktike të Belinda Ballukut. Për këtë arsye Tare është nën hetim për pastrim parash. Ndërkohë (sipas gazetarit E.Qyno) Tare ka deklaruar në Spak se ka pasur lidhje jashtë martesore me Ballukun. ○Rast tjetër: Mirlinda Karçanaj u shfaq në Top Story me Grida Dumën më 14 maj 2026, në prime-time. Top Channel e prezantoi si “rrëfehet për herë të parë”, ndërsa në intervistë ajo foli për akuzat ndaj saj dhe për marrëdhënien me personat e tjerë të dosjes së AKSHI-t. Por në fakt, në vend që të jepte llogari e të përballej me disa nga çështjet kryesore të dosjes, sidomos pronat dhe marrëdhëniet me personat e hetuar, Karçanaj u qarravit duke u sjellë si "viktimë". BIRN, përmes një artikulli të publikuar më 17 maj, e trajtoi pikërisht paraqitjen e saj në Top Channel si një rast ku një person që përballej me akuza serioze mori një platformë të madhe televizive për të paraqitur versionin e vet.

○Rasti tjetër: "analiza" e Arjan Currit (që bën pjesë) te emisioni i Grida Dumës, relativizonte skandalin Vlora Hyseni (SHISH)–G.AGASI, duke thënë se “ajo do ta mbronte se ishte i dashuri, pra si familjar”. Atëherë efekti i këtij kornizimi është realisht relativizues, sepse një marrëdhënie romantike nuk e shpjegon dhe aq më pak e justifikon automatikisht një veprim të mundshëm të paligjshëm apo shkelje të detyrës. Përgjigjjuni a astrit 3 Tetor 2026, 07:40 Morali është tërësia e normave, parimeve dhe rregullave të sjelljes që përcaktojnë se çfarë është e drejtë dhe e gabuar në një shoqëri. Sociologët modernë theksojnë se një shoqëri ka nevojë për orientim etik, por larg kornizave dogmatike dhe false, duke i lënë hapësirë diversitetit, arsyes dhe përgjegjësisë personale. Për shekuj me radhë, kodet morale të shoqërisë tonë janë mbështetur te parimet hyjnore apo traditat e patjetërsueshme të të parëve, të cilat shërbejnë si gurthemel për rendin shoqëror në Shqipëri.Shoqëria shqiptare reagon ndaj skandaleve seksuale e të tjera skandale si çdo shoqëri evropiane, ndoshta jemi shumë ma të kujdesshëm se çdo shoqëri evropiane Përgjigjjuni Lini një Përgjigje Anuloje përgjigjen Editorial Grahmat e fundit të malavitës 1 Tetor 2026, 11:1311:13Editorial Shakaxhiu i Integrimit 30 Shtator 2026, 12:2712:27Editorial Vlora dhe ‘strategjia e maces së ngordhur’ 29 Shtator 2026, 12:0512:05Editorial Presidenti që “u tërhoq zvarrë” nga Kosova 28 Shtator 2026, 11:3811:38Editorial Pse është trembur Edi Rama? 27 Shtator 2026, 19:2619:26Editorial Pse Edi Rama e sulmoi presidentin Joe Biden? 26 Shtator 2026, 11:5411:54Editorial