Dita e parë e protestës studentore para Ministrisë së Arsimit do të mbahet mend nga dy fotografi që u bënë simbol i revoltës studentore.
Klevis Metaj, student 22-vjeçar i drejtësisë, u përplas me gjashtë policë. Ata e rrahën. Më pas e tërhoqën zvarrë dhe e lidhën me pranga pas kangjellave të ministrisë, në mes të rrugës.Pamjet u përhapën menjëherë.
Në spital iu komunikua procedimi penal dhe iu tha se do të dilte përpara gjykatës për masë sigurie.
Sot, tre ditë më vonë, gjykata e Tiranës la në arrest shtëpie.
Nuk dihet se si do të zhvillohet më vonë procesi ndaj Klevisit në gjykatat shqiptare, por në Gjykatën Europiane të të Drejtave të Njeriut ai e ka fituar çështjen shumë kohë më parë.
Vendimi i Gjykatës së Strasburgut
15 vite më parë në Gjykatën Europiane për të Drejtat e Njeriut u pranua një ankesë e një qytetari rumun kundër autoriteteve të vendit të tij.
Ngjarja kishte ndodhur në vitin 2005, në një qytezë të vogël të Rumanisë, në Podoleni, kur një burrë i quajtur Konstantin Arçip shkoi në bashki për të marrë pensionin e invaliditetit.Ai vuri re se shuma ishte më e vogël se muajt e tjerë.
Kjo e zemëroi. Ai debatoi ashpër me kryetarin e Bashkisë së qytetit të tij dhe ky i fundit lajmëroi policinë.
Policia e mori dhe e lidhi me pranga pas një peme, në oborrin e komisariatit, në qendër të qytezës për shkak se qytetari i zemëruar po kundërshtonte fort edhe policët.
Ata e lanë të lidhur aty për gati tre orë. Kalimtarët e shihnin. Dikush prej tyre lajmëroi mediat. Gazetarët erdhën, e fotografuan dhe publikuan në gazetat lokale lajme mbi të.Vite më vonë, Gjykata Evropiane për të Drejtat e Njeriut argumentoi se ky ishte një trajtim poshtërues. Autoritetet e kishin shndërruar qytetarin në spektakël publik.
Ai ishte ekspozuar dhe ishte ndjerë i poshtëruar pasi njerëzit e panë të lidhur pas një peme.Gjykata argumentoi se neni 3 i Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut ndalon çdo formë diskriminimi apo poshtërimi, edhe nëse qytetarët kundërshtojnë policinë.Kjo formë është e ndaluar edhe për persona të dyshuar për krime më të rënda si akte terrorizmi apo si pjesë e krimit të organizuar.
Gjykata e Strasburgut vlerësoi se në rastin konkret forca e përdorur nga policia ishte e tepërt dhe aspak proporcionale. Ajo i dha të drejtë qytetarit rumun dhe dënoi shtetin për trajtimin e tij.Rumanisë iu desh të paguante dëmshpërblim për qytetarin, por ky vendim nuk vlen vetëm për të. Ai është precedent për të gjitha shtetet e tjera, përfshirë edhe Shqipërinë.
Ngjashmëria e vendimit të Strasburgut me rastin e Klevis Metajt
Klevis Metaj ishte një student që protestonte. Sjellja e policisë ndaj tij ishte e njëjtë me atë të autoriteteve për të cilën Strasburgu dënoi Rumaninë.
Prangat ndaj Klevisit u përdorën jo thjesht si mjet sigurie, por si një mënyrë për ta treguar të mundur përpara të tjerëve.Kangjellat e ministrisë u bënë “pema” e tij.
Mes të dy rasteve nuk ka asnjë ndryshim.
Në të dyja rastet, njeriu u vendos në qendër të vëmendjes jo si i dyshuar, por si shembull.Forca e shtetit u shfaq në formën e saj më poshtëruese.
Gjykata e Strasburgut ka argumentuar më parë se dinjiteti i njeriut nuk mund të nëpërkëmbet edhe kur ai është i zemëruar, edhe kur proteston, edhe kur nuk i bindet urdhrit të policisë.
Neni 3 i Konventës Evropiane ndalon trajtimin çnjerëzor dhe diskriminues dhe ai aplikohet edhe në rastin e Klevis Metajt.
Prangat mund të jenë të nevojshme. Por kur ato kthehen në mjet ekspozimi, individit i janë shkelur të drejtat themelore; është shkelur ligji nga ata që duhet ta mbronin atë.
Sjellja ndaj Klevis Metaj tregoi jo vetëm paaftësinë e policisë për të menaxhuar protestat. Ajo tregoi se policia shqiptare është ende larg standardeve të një policie europiane në respektimin e të drejtave të njeriut. Pjesë e Europës mund bëhesh shumë shpejt me letra, por ajo që ka rëndësi është të jesh si Europa me veprime.
Sot dështoi edhe gjykata! Lajme ekskluzive nga CNA
Doni te informoheni te paret per lajme ekskluzive? Bashkohuni me grupin tone ne Facebook duke klikuar ketu.

