Nga Kristina Tepexhiku 81 vite burgim. Katër ish-krerët e UÇK-së u shpallën sot fajtorë nga Gjykata Speciale e Hagës për disa vepra penale të lidhura me krimet e luftës. 25 vite burg për Hashim Thaçin dhe Jakup Krasniqin, 18 vite burg për Kadri Veselin dhe 13 vite burg për Rexhep Selimin.
Ndërsa gjyqtari Charles Smith shqiptonte aktgjykimin, një frazë tërhoqi vëmendjen: “Në emër të popullit të Kosovës”.
E në atë moment, natyrshëm, pyetja është: çfarë do të thotë “në emër të popullit të Kosovës”?. Çdo shqiptar kur kthehet pas në kohë, risjell në vëmendje pamjet e tmerrshme të luftës serbe, persekutimit që i bëri popullit të Kosovës, të cilët u detyruan të braktisin vendin e lindjes, kaluan kufirin drejt Shqipërisë, u ndanë nga familjarët, humbën njerëzit e tyre dhe ende kërkojnë përgjigje për të zhdukurit. Populli i Kosovës ka një histori që nuk mund të futet në një fjali gjykimi.
Është edhe populli i atyre shqiptarëve të Kosovës që u vranë u keqtrajtuan nga forcat serbe dhe familjet e të cilëve presin drejtësi për dekada.
Të dyja këto histori janë pjesë e Kosovës.
Vrasjet, torturat, dhuna seksuale dhe dëbimet masive të shqiptarëve të Kosovës nga forcat serbe dhe jugosllave gjatë luftës janë pjesë e një historie të dokumentuar gjerësisht. Reçak. Mejë. Izbicë. Qyshk. Gjakovë. Podujevë. Suharekë. Prekaz.
Nuk janë vetëm vendndodhje në hartën e Kosovës. Janë vende që mbartin emra, histori e ngjarje. Ka njerëz që u larguan nga Kosova me një valixhe. Ka të tjerë që nuk arritën kurrë të largoheshin. Këta janë gjithashtu populli i Kosovës.
Ka nga ata që panë me sytë e tyre torturën dhe vrasjen për së gjalli të nënës, babait, motrës, vëllait, djalit, vajzë... edhe ata janë populli i Kosovës. Ka njerëz që sot kërkojnë drejtësi për kalvarin e vuajtjeve, të sprovuar nga forcat serbe e jugosllave. Edhe ata janë populli i Kosovës. Prandaj, ndoshta pyetja e vërtetë që duhet bërë sot nuk është nëse duhet drejtësia e Hagës.
Por, a mjafton kjo?
A mund të quhet drejtësi e plotë për Kosovën një drejtësi që ndalet te disa nga krimet e luftës dhe nuk i jep përgjigje çdo familjeje që ende kërkon të zhdukurin e saj?
A mund të kërkohet drejtësi për viktimat e krimeve të kryera nga pjesëtarë të UÇK-së pa u harruar viktimat e krimeve të forcave serbe? “Në emër të popullit”.
Kjo është arsyeja pse fjalia e sotme në sallën e Hagës tingëllon më e rëndë sesa një formulë juridike.
“Në emër të popullit të Kosovës.”
Në emër të cilit popull?
Në emër të atij që u dëbua?
Në emër të atij që luftoi?
Në emër të atij që u vra?
Në emër të atij që ende kërkon një varr?
Në emër të atij që pret drejtësi?
Në fakt, në emër të të gjithëve. Sepse drejtësia nuk duhet të zgjedhë se cila viktimë e meriton të dëgjohet.
Kosova nuk ka nevojë për një histori ku viktima vendoset përballë viktimës. Ka nevojë për një histori ku çdo viktimë të dëgjohet, çdo krim të hetohet, çdo i zhdukur të kërkohet dhe çdo familje të marrë një përgjigje. Kontakto me Politiko në rast se: Mendoni se nuk shkruajmë Shqip Mendoni se kemi bërë shkelje etike Mendoni se kemi bërë CopyPaste Mendoni se kemi bërë FakeNews Doni të postoni nje Lajm

