Lajme Zone
Shqiptaria në zi, Beogradi në festë
PolitikëReport TV
Ky artikull është pjesë e një historie me 2 burime — Krahaso mbulimin →

Shqiptaria në zi, Beogradi në festë

Lufta e Kosovës nuk filloi me UÇK-në dhe as në vitin 1998. Pas vitit 1989 u suprimua autonomia e Kosovës, ndryshoi pozita e saj kushtetuese, shqiptarët u larguan në masë nga institucionet dhe represioni shtetëror u rëndua.

Ende pa u mbyllur mirë mikrofonat në sallën e gjyqit në Hagë, nga Beogradi erdhi reagimi që ndoshta shpjegon më mirë se shumë analiza rëndësinë politike të vendimit të 16 shtatorit. Zëvendës kryeministri dhe ministri i brendshëm i Serbisë, Ivica Daçiç deklaroi se vendimi i gjykatës konfirmonte se “e ashtuquajtura UÇK ishte organizatë kriminale dhe terroriste”. Sipas tij, ishte rrëzuar edhe narrativa e ndërtuar për “heronjtë kombëtarë” dhe “luftën e drejtë çlirimtare”. Më tej e lidhi vendimin me vetë Kosovën, duke deklaruar se një shtet nuk mund të ndërtohet mbi varret e serbëve të vrarë. Në pak fjali Daçiç e zhvendosi vendimin e gjykatës atje ku e deshi: nga dënimi i Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit kaloi te UÇK-ja, te karakteri i luftës dhe prej andej te Kosova. LEXO edhe...Dënimi i ish-krerëve të UÇK-së, Walker: Ditë e kobshme për Kosovën! Ku ishte BE-ja kur serbët dhunonin shqiptarët? Disa orë më vonë foli Aleksandar Vuçiç. Presidenti serb u ndal te fakti që gjykata nuk kishte konstatuar një sulm të gjerë ose sistematik kundër popullsisë civile. Sipas tij, kjo ishte bërë për të mos cenuar “kredibilitetin e UÇK-së”. Pastaj, sikurse bën shpesh për të vetëviktimizuar me gjasme Serbinë, e përmblodhi qëndrimin e tij me një fjali: “Gjithmonë serbët do të jenë kriminelët, ndërsa të gjithë të tjerët çlirimtarë, heronj dhe trima.” Reagimet e dy drejtuesve të lartë serbë tregojnë se në Beograd vendimi filloi menjëherë të lexohej përtej përgjegjësisë penale të katër të dënuarve. Ndërkohë, ne mhemi të ngushëllojmë veten dhe themi se nuk është dënuar UÇK-ja. Juridikisht ky arsyetim është krejtësisht i saktë. Edhe kryetari i trupit gjykues e sqaroi se gjyqi kishte të bënte me përgjegjësinë individuale dhe jo me legjitimitetin e UÇK-së apo me pavarësinë e Kosovës. Juridikisht përsëri në rregull, por problemi qëndron se historia nuk shkruhet vetëm në sallat e gjyqit. Prej më shumë se dy dekadash Serbia e quan UÇK-në organizatë terroriste, e paraqet luftën si përballje të shtetit me terrorizmin dhe ndërhyrjen e NATO-s si agresion ndaj një shteti sovran. Tani kësaj narrative i është shtuar edhe dënimi në Hagë i disa prej drejtuesve kryesorë të UÇK-së. Daçiç na tregoi menjëherë se si do të përdoret ky fakt. Kjo është arsyeja pse nuk mjafton të themi se UÇK-ja nuk u dënua. Gjykata mund të përcaktojë kufijtë juridikë të vendimit të saj, por nuk mund të përcaktojë mënyrën se si ky vendim do të përdoret më pas në politikë, diplomaci, media dhe, me kalimin e kohës edhe në histori. Serbia ka një avantazh që ne shpesh e nënvlerësojmë: vazhdimësinë. Qeveritë ikin e vijnë, rrethanat ndërkombëtare ndryshojnë, por tezat kryesore të Beogradit për Kosovën nuk kanë ndryshuar. Ato përsëriten në deklaratat politike, në diplomaci, në organizatat ndërkombëtare, në media, në botime dhe në çdo debat ku shtrohet çështja e Kosovës. Forca e kësaj strategjie qëndron pikërisht te përsëritja dhe vazhdimësia. Beogradit nuk i duhet domosdoshmërisht që versioni i tij të pranohet sot si versioni i vërtetë i luftës së Kosovës. Mjafton që ai të jetë vazhdimisht i pranishëm, të mos dalë nga qarkullimi dhe, sa herë krijohet një mundësi e re, të pasurohet me argumente të reja. Vendimi i Hagës është një prej tyre. Me kalimin e kohës gjërat mund të ndryshojnë. Nga teza propagandistike, mund të kalohet te “versioni serb” i historisë. Pas kohësh, kur largohen brezat që jetuan luftën, distanca ndërmjet “versionit serb” dhe “versionit shqiptar” mund të duket shumë më e vogël për një publik që nuk njeh mirë atë që ka ndodhur. Në vend të një procesi historik me shkaqe, përgjegjësi dhe raporte të caktuara force, mbeten veç dy narrativa kombëtare që kundërshtojnë njëra-tjetrën. Kjo është arsyeja pse vendimi ndaj drejtuesve të UÇK-së ka vlerë të veçantë për Beogradin. Ai i jep një narrative të vjetër një argument të ri, kësaj here të prodhuar jo në Beograd, por nga një gjykatë kosovare në Hagë. Serbia përdorur prej kohësh edhe një mekanizëm tjetër, zhvendosjen e debatit. Në vend që diskutimi të mbetet te procesi që çoi në luftën e Kosovës, debati zhvendoset kësisoj te krimet e kryera gjatë luftës. Në këtë mënyrë largohet vëmendja nga pyetja se çfarë ndodhi në Kosovë gjatë viteve 1980-1990 dhe si u arrit në konfliktin e armatosur dhe diskutimi përqendrohet gjithnjë e më shumë te pyetja se kush vrau kë dhe sa krime kreu secila palë. Sigurisht që krimet duhen gjykuar, por reduktimi i historisë vetëm te krimet e kryera e cungon kujtesën historike. Kjo gjë krijon atë baraspeshë që i intereson Beogradit: serbët dhe shqiptarët kryen krime njësoj dhe u dënuan po njësoj. Madje, shqiptarët me më shumë vite burgim. Pas kësaj është shumë më e lehtë që lufta e Kosovës të mos lexohet më në kontekstin e shpërbërjes së Jugosllavisë, politikës së Beogradit ndaj Kosovës dhe zhvillimeve të viteve 1989–1998, por si një konflikt ndërmjet dy komuniteteve etnike që kryen krime ndaj njëri-tjetrit. Sipas kësaj logjike, revizionimi historik nuk ka nevojë të bëhet duke mohuar faktet. Mjafton të ndryshohet pesha që u jepet atyre. Lufta e Kosovës nuk filloi me UÇK-në dhe as në vitin 1998. Pas vitit 1989 u suprimua autonomia e Kosovës, ndryshoi pozita e saj kushtetuese, shqiptarët u larguan në masë nga institucionet dhe represioni shtetëror u rëndua. Për vite me radhë u ngritën institucione paralele dhe u ndoq rruga e rezistencës paqësore, pa u arritur një zgjidhje politike. UÇK-ja doli në skenë në fund të këtij procesi. Kjo nuk i bën të pranueshme krimet e kryera nga pjesëtarë të saj, nëse janë kryer. Nëse janë torturuar, vrarë apo keqtrajtuar njerëz, përgjegjësit duhet të mbajnë përgjegjësi. Por krimet e kryera gjatë një lufte dhe përgjegjësia historike për procesin që çoi në atë luftë nuk janë e njëjta gjë. Nëse ky dallim humbet, lufta e Kosovës rrezikon të normalizohet historikisht si një tjetër konflikt etnik ballkanik, ku pas shumë vitesh mbeten dy palë që kanë luftuar dhe kanë kryer krime ndaj njëra-tjetrës. Për Beogradin, ky do të ishte një ndryshim i rëndësishëm në mënyrën se si kujtohet lufta. Këtu fillon edhe përgjegjësia jonë. Nuk na ndihmon vetëm mohimi i krimeve të kryera nga drejtuesit e UÇK-së apo “të lidhim kokën me shami” e të vajtojmë fatin e zi që na ndjek gjithmonë. Problemi është se kemi folur shumë për luftën e Kosovës mes nesh dhe kemi bërë shumë më pak që ajo të njihet jashtë hapësirës shqiptare. Historiografia serbe për Kosovën dhe shpërbërjen e Jugosllavisë ka një prani shumë të gjerë në gjuhët e mëdha europiane, në botimet akademike dhe universitare. Përballë saj, prodhimi historiografik shqiptar, sidomos ai i botuar jashtë shqipes, mbetet dukshëm më i kufizuar. Kjo pabarazi ndikon edhe në burimet nga të cilat publiku dhe studiuesit europianë krijojnë njohuritë e tyre për Kosovën. Pra, sa kemi investuar në hapjen dhe botimin e arkivave, në studime serioze, në përkthimin e tyre dhe në praninë e historisë së Kosovës në botimet dhe universitetet perëndimore? Sa prej asaj që dimë ne për Kosovën e viteve 1990 është e njohur për një student në Berlin, Paris apo Londër? Këto pyetje nuk u takojnë vetëm historianëve. Prishtina dhe Tirana kanë përgjegjësinë e tyre. Jo për të prodhuar një histori zyrtare dhe as për t'u treguar historianëve çfarë të shkruajnë. Detyra e politikës është të krijojë kushtet që dokumentet të hapen, kërkimi të financohet, studimet të botohen dhe puna serioze për Kosovën të qarkullojë edhe në gjuhët e mëdha. Sepse Serbia do të vazhdojë të tregojë versionin e saj. Nuk do të lodhen asnjëherë, sikurse e tregon historia mbi 150 vjeçare e marrëdhënieve tona. Kemi humbur shumë kohë duke ia treguar historinë e Kosovës njëri-tjetrit. Sa nuk është ende vonë, të fillojmë t’ua tregojmë edhe të tjerëve./TemA Xh.K/SI.E./ReportTv.al Gjyqi ndaj UCK ne Hage serbi kosove uck hashim thaci kadri veseli Jakup Krasniqi rexhep selimi Komento Komente Sondazhi i ditës: Haga dënon me 81 vite burg 4 ish-krerët e UÇK-së, si e vlerësoni? Të drejtë 6.2% Të gabuar 88.4% Nuk e di 5.4% Vota total: 1661 Sondazhi i ditës: Haga dënon me 81 vite burg 4 ish-krerët e UÇK-së, si e vlerësoni?