Më 9 shtator 2021, Lulzim Basha, atëherë kryetar i PD-së, njoftoi përjashtimin e Sali Berishës nga grupi parlamentar, pasi SHBA-ja e kishte shpallur “non grata”. Basha deklaroi se “SHBA është aleati ynë strategjik më i rëndësishëm” dhe se çështja e Berishës ishte personale. Vendimi ishte një puç ndaj Berishës nga politikani që ai kishte promovuar dhe ngritur në drejtimin e Partisë Demokratike.
Përjashtimi shënoi nisjen e përplasjes së hapur mes dy figurave dhe më pas të ndarjes së PD-së. Berisha nisi “Foltoren” dhe betejën për rikthimin e drejtimit të partisë, ndërsa Basha humbi gradualisht kontrollin mbi strukturat dhe dha dorëheqjen nga drejtimi i PD-së në mars 2022. Përplasja politike vijoi edhe më tej, ndërsa Berisha u përball me një tjetër zhvillim të rëndësishëm, nga dhjetori 2023 deri në shtator 2024 qëndroi në arrest shtëpie në kuadër të hetimeve për çështjen “Partizani”.
Pesë vite pas vendimit të Bashës, situata është përmbysur. Më 11 qershor 2026, SHBA-ja i hoqi Berishës “non gratën”, ndërsa prej katër ditësh, ish-kryeministri ndodhet në Shtetet e Bashkuara. Kështu, 9 shtatori 2021 mbetet një nga momentet kyçe të përplasjes Berisha-Basha, dita kur Basha i nguli thikën pas shpine njeriut që e kishte ngritur në majat e PD-së.

