Ekskluzivisht nga oborri i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, ku skenari i shkarkimeve dhe lëvizjeve korrekte në letër e ka humbur prej kohësh seriozitetin, myftiu i Vlorës, Ardit Hoxhllaku, sapo është fshirë nga lista e të përshtatshmëve pasi guxoi të prekte me shifra historike mitin e hedhur në treg për Vlorën e vitit 1492. Kjo shfaqje e nisur në fillim të korrikut nisi pikërisht pasi myftiu pati guximin t’i kthente përgjigje publike mjekes hebreje vlonjate Ana Kohen, e cila kishte prodhuar tezën se Vlora e asaj kohe paskësh qenë 90 për qind hebreje dhe vetëm 10 për qind shqiptare. Me regjistrat osmanë të tahririt të shekullit XVI në dorë, ku përmenden ftohtësisht vetëm 665 familje të krishtera dhe 97 familje hebraike të vitit 1506, Hoxhllaku guxoi të demaskonte përrallat statistikore para xhematit, duke harruar se në korridoret e KMSH-së arkivat historike peshojnë më pak sesa rehatia e heshtjes.
Por, ndërkohë që shifrat e shekullit të gjashtëmbëdhjetë shërbyen si shkëndija zyrtare për ta transferuar urgjentisht drejt Peqinit, burimet nga xhemati i Vlorës nuk lënë vend për dyshime se ky ishte vetëm faturimi i radhës për një llogari të vjetër që kreu i KMSH-së, Bujar Spahiu, kishte mbetur t’ia shlyente. Myftiu Hoxhllaku nuk ishte thjesht një zë i papërshtatshëm statistikash, por njeriu që kishte guxuar të dënonte hapur gjenocidin në Palestinë dhe, mëkat i pafalshëm në sytë e hierarkisë, kishte thënë hapur, në sy të kryetarit të KMSH-së, gjatë një iftari në muajin e Ramazanit, të vërtetën e hidhur për heshtjen e tyre të pajustifikueshme institucionale. Për ta mbështjellë këtë masë ndëshkuese me letër celofani dhe për të fshehur arsyen e vërtetë të këtij shpërnguljeje të detyruar, KMSH-ja u kujdes të përdorte alibinë e radhës nëpërmjet nënkryetarit Lauren Luli, i cili guxoi të deklaronte me cinizëm se myftiu gjoja nuk paska pasur kohën e duhur për të punuar në Vlorë, ndërkohë që e vërteta shkëlqen qartë: në këtë institucion nuk ndëshkohet mungesa e punës, por prania e ndërgjegjes.
Në aktin e radhës të kësaj tragjikomedie institucionale, ku nënkryetari Lauren Luli pranoi hapur para xhematit të Vlorës se myftiu i deritanishëm u hoq para kohe dhe me qëllim, por pa dhënë asnjë fije arsyetimi zyrtar, skenari thellohet drejt korridoreve të errëta të prapaskenave politike. Burimet nga xhemati i Vlorës hedhin dritë mbi një urdhër të lëshuar nga lart, duke e lidhur këtë shkarkim me presionet e qeverisë Rama dhe kërkesat e ambasadës izraelite, të cilat nuk u shqetësuan aq nga debati historik i shekullit të gjashtëmbëdhjetë, sa u alarmuan nga mbështetja e hapur që myftiu u dha protestave në Tiranë dhe nga fjalimet e tij të pandërprera në mbrojtje të Palestinës. Ky ndëshkim nga qeveria ndaj Hoxhllakut, si mbështetës i protestës, vjen në vijim të një fushate të hapur spastrimi ndaj hoxhallarëve, ku vetë kryeministri Rama apo ministra si Taulant Balla kanë zgjedhur shpesh gjuhën e sulmit direkt, kulmi i të cilit u pa te shpallja “non grata” e hoxhë Bekir Halimit.
Në vend të zërit të pakëndshëm të ndërgjegjes, në krye të Myftinisë së Vlorës u ul Kliton Malaj, një besnik i përbetuar i linjës gyleniste brenda KMSH-së dhe personalisht i Lauren Lulit, aq sa dikur i ka shërbyer edhe si truprojë në përplasjet fizike te xhamia “Dino Hoxha”, përpara se Luli të largohej nga Myftinia e Tiranës. Për këtë devotshmëri të sprovuar në telashe, Malaj është shpërblyer bujarisht me drejtimin e funeralit të Myftinisë së Tiranës, ndërsa bashkëshortja e tij rekrutohet në medresenë e kryeqytetit. Ndërkohë, misioni i ri i mbërritur në Vlorë është më se i qartë: Kliton Malaj ka marrë përsipër të bëjë zap qytetin, duke premtuar solemnisht se nuk do të mbështesë asnjë protestë, nuk do të flasë kurrë për protestën nuk do të përmendë kurrë Palestinën dhe, mbi të gjitha, do të përpiqet të shmangë sa të mundet praninë në xhami, nga frika se mos përballet sy më sy me besimtarët që i kërkojnë llogari për këtë shitje të hapur të dinjitetit.

