Zëvendësdrejtori për Hetimin e Krimeve në Drejtorinë Vendore të Policisë Korçë, Sejfulla Metko, ka dhënë detaje zyrtare lidhur me vrasjen e rëndë të 20-vjeçarit Johan Zuko, e ndodhur pasditen e sotme në lagjen nr. 14 të qytetit.
Sipas zyrtarit të policisë, ngjarja e rëndë ka ardhur si pasojë e një konflikti të çastit mes viktimës dhe autorit të dyshuar, Kristi Sterjo, i cili është fillimisht i regjistruar rreth orës 14:00 në një lagje pranë vendngjarjes.
"Konflikti ndodhi rreth orës 14:00 në një lagje në afërsisht të vendit ku ndodhi ngjarja. Ngjarja vetë ka ndodhur në afërsi të banesës së viktimës," deklaroi Metko për mediat, duke konfirmuar se mes dy personave ka pasur një përplasje verbale dhe fizike.
Zyrtari i policisë sqaroi se vetëm 15 minuta pas fillimit të konfliktit, autori i dyshuar Kristi Sterjo është larguar nga vendi i ngjarjes në drejtim të varrezave të qytetit.
Metko konfirmoi gjithashtu se ndaj 20-vjeçarit Johan Zuko është qëlluar me armë zjarri të llojit automatik "Kallashnikov", duke i shkaktuar plagë vdekjeprurëse. Gjithashtu, gjatë këqyrjes së skenës së krimit nga grupi hetimor, në dorën e viktimës është gjetur një armë e ftohtë, thikë.
Ekzekutori i dyshuar, Kristi Sterjo, nuk është arrestuar ende nga uniformat blu. Policia e Korçës, në bashkëpunim me forcat e ndërhyrjes, ka ngritur pika kontrolli në pikat kyçe të qytetit dhe në rrugët dalëse për të bërë të mundur lokalizimin dhe kapjen e tij. Hetimet po vijojnë për zbardhjen e plotë të motiveve që çuan në këtë përplasje me pasojë vdekjen e 20-vjeçarit.

