Detaje të reja janë zbardhur nga kontrollet e zhvilluara më 3 shtator në burgun e Durrësit, ku në sektorin B janë gjetur gjashtë aparate celularë. Sipas të dhënave të raportuara, katër prej tyre dyshohet se u përkisnin vëllezërve Artur dhe Klevis Hoxhosmani, Adi Çobës, i njohur me nofkën “Bozholi”, si dhe Renardo Nallbanit. Telefonat raportohet se ishin fshehur brenda një thesi boksi në ambientet e palestrës së institucionit të vuajtjes së dënimit.
Për vëllezërit Hoxhosmani, ky nuk është rasti i parë kur gjatë kontrolleve në burg u janë gjetur aparate celularë. Më 15 maj, njërit prej tyre iu sekuestrua një iPhone. Artur dhe Klevis Hoxhosmani janë të akuzuar si pjesë e një grupi kriminal të dyshuar për trafikimin e mbi 6 tonë drogë, me një vlerë të përllogaritur rreth 411 milionë euro, nga Amerika Latine drejt vendeve të Europës. Sipas hetimeve, grupi ka qenë aktiv gjatë viteve 2020-2021 në disa shtete europiane, me aktivitet të përqendruar te trafikimi i kokainës dhe hashashit nga Kolumbia dhe Ekuadori drejt Bashkimit Europian dhe Mbretërisë së Bashkuar.
Hetimet ndaj grupit u thelluan pas dëshmive të Erion Alibej, i cili ka bashkëpunuar me drejtësinë si i penduar dhe ka dhënë informacion mbi aktivitetin e grupit të dyshuar për trafikun ndërkombëtar të narkotikëve. Ndërkohë, gjashtë celularët e sekuestruar gjatë kontrollit të fundit në burgun e Durrësit i janë dërguar SPAK-ut, ku pritet t’i nënshtrohen këqyrjes dhe analizimit në laboratorin e ekspertizës. Përmbajtja e pajisjeve pritet të ndihmojë hetuesit të verifikojnë nëse celularët janë përdorur për komunikime apo veprimtari të tjera të paligjshme nga brenda institucionit të vuajtjes së dënimit.

