Kur ka mbetur vetëm një javë nga nisja e vitit shkollor, mjekët ortopedë kanë rikthyer vëmendjen tek rëndësia që kanë çantat e shkollës, veçanërisht për nxënësit e arsimit 9-vjeçar. Veç zgjedhjes, që në blerje, të çantave të lehta, ekspertët rekomandojnë që të bëhet kujdes me mbushjen e tyre pasi shumë peshë mbi supe shkakton dëmtime të shtyllës kurrizore. Edhe pse shpesh rekomandohet që çanta të mos kalojë 10 deri në 15 % të peshës së fëmijës, specialistët theksojnë se nuk ekziston një kufi i përshtatshëm për të gjithë. Çdo fëmijë duhet vlerësuar në bazë të moshës, madhësisë dhe forcës fizike. Librat, laptopët, shishet e ujit, ushqimet dhe pajisjet sportive mund ta rëndojnë ndjeshëm çantën dhe të shkaktojnë tendosje të trupit. Sipas ekspertëve, nëse fëmija përkulet përpara për të mbajtur peshën, ka vështirësi në ecje ose rripat i shtrëngojnë shpatullat, çanta mund të jetë tepër e rëndë. Ata këshillojnë çanta me dy rripa të gjerë e të rregullueshëm dhe rekomandojnë që fëmijët të mbajnë me vete vetëm gjërat që u nevojiten gjatë ditës.
