Atdheu është një nga ato fjalë që njerëzit e kanë mbushur me aq shumë kuptime, sa ndonjëherë e kanë harruar njeriun që fshihet brenda saj. Na kanë mësuar se atdheu është vendi ku ke lindur. Toka ku ke hedhur hapat e parë; gjuha që ke dëgjuar të flasë nëna; rrugët ku ke kaluar fëmijërinë; varret ku prehen të parët; zakonet, me të cilat je mësuar që i vogël, disa legjenda e histori. Dhe është e vërtetë. Por vetëm pjesërisht. LEXO edhe...'Plani për ndarjen e Maqedonisë’, Ali Ahmeti tregon si reaguan Fatos Nano dhe Sali Berisha Sepse njeriu nuk është pemë. Nuk ka rrënjë vetëm në një copë toke. Ai mund të shkulë veten nga një vend, të kalojë kufij, dete e gjuhë dhe, megjithatë, të gjejë diku tjetër një vend ku zemra pushon së qeni e huaj. Gjithmonë kam besuar se kudo që njeriu gjen një shtëpi, aty është atdheu i tij. Shtëpia, në këtë kuptim, nuk janë vetëm katër mure; disa fotografi, kujtime apo orendi. Shtëpia është vendi ku nuk ke nevojë të shpjegosh ekzistencën tënde dhe ku mund të jesh vetvetja pa kërkuar leje. Aty ku dikush të pret. Aty ku mungesa jote ndihet. Aty ku kujtimet fillojnë të grumbullohen dhe e ardhmja fillon të duket e mundur. Prandaj, emigranti nuk është domosdoshmërisht një njeri pa atdhe. Ndonjëherë është njeriu që ka dy atdhe: njërin që e ka lënë pas dhe tjetrin që po e ndërton përpara. Në fakt, historia e njerëzimit është historia e njerëzve që kanë lëvizur. Kanë ikur nga luftërat, varfëria, uria, diktaturat, frika apo thjesht nga dëshira për një jetë më të mirë. Dhe kudo ku kanë shkuar, kanë marrë me vete diçka nga vendi prej nga kanë ardhur dhe kanë krijuar diçka të re. Ndoshta kjo është gjëja më e bukur. Mund të largohesh nga atdheu pa e humbur dhe mund të gjesh një tjetër pa tradhtuar të parin. Atdheu nuk duhet të jetë burg i identitetit. Nuk duhet të të kërkojë të zgjedhësh mes rrënjëve dhe krahëve. Njeriu mund të mbajë një gjuhë në zemër dhe të mësojë një tjetër; mund të kujtojë një det dhe të dashurojë një tjetër; mund të ketë lindur në një vend dhe të ndihet i rilindur diku tjetër. Ngaqë atdheu nuk është vetëm ajo tokë ku ke lindur, por ajo hapësirë ku jeta ka kuptim. Sepse aty ku njeriu gjen e ndërton një shtëpi, aty fillon atdheu. Prandaj shpesh herë refuzoj ata që atdhedashurinë e shohin si një privilegj që ushtrohet nga larg, që jetojnë prej vitesh në Berlin, Londër, Milano, Athinë apo Nju Jork, por vazhdojnë të na shpjegojnë ne që jetojnë këtu se si duhet dashur Shqipëria. Duke folur për patriotizmin, sakrificën, tradhtinë ndaj vendit, moralin kombëtar dhe "detyrën ndaj atdheut", ndërkohë që jetën e tyre e kanë ndërtuar diku tjetër. Sigurisht që emigrantët kanë të drejtë ta dojë Shqipërinë. Madje mund ta duan edhe me një mall që ata që kanë mbetur këtu nuk e përjetojnë dot. Largësia e bën kujtesën romantike; vendlindjen më të bukur, rrugët më të dashura, njerëzit më të afërt dhe të kaluarën më të pastër nga sa kanë qenë realisht. Por dashuria për atdheun nuk duhet të kthehet në një leksion moral për ata që nuk ikën. Është e lehtë të flasësh për sakrificën kur sakrificën e bëjnë të tjerët. Është e lehtë të kërkosh durim apo përmbysje nga dikush që përballet çdo ditë me pagat e pamjaftueshme, korrupsionin galopant, arrogancën, administratën, pasigurinë dhe mungesën e perspektivës, ndërsa e shikoni Shqipërinë nga një apartament në një qytet europian dhe e mbyll mbrëmjen me një postim për "dashurinë ndaj tokës mëmë". Nuk ka asgjë të keqe të largohesh. Përkundrazi. Shpesh largimi është një akt mbijetese, dinjiteti dhe kërkise për një jetë më të mirë. Por është anakronike të mendosh se atdheu është i detyruar të mbetet aty ku e le ti, ndërsa ti je i lirë të ndërtosh jetën aty ku të duket më mirë.Njeriu nuk i detyrohet një toke të mbetet i varfër vetëm për t'i provuar besnikërinë.Nëse dikush gjen siguri, punë, dinjitet dhe një të ardhme për fëmijët e tij në një vend tjetër, nuk ka tradhtuar domosdoshmërisht atdheun. Ka zgjedhur jetën. Dhe, thënë troç: atdheu nuk është pronë e askujt.As e atij që ka ikur, as e atij që ka qëndruar.Prandaj emigranti që jeton jashtë nuk ka pse të ndihet fajtor që ka ndërtuar shtëpi diku tjetër. Por as nuk ka pse t'u bëjë moral atyre që kanë zgjedhur të qëndrojnë. As t’i akuzojë. Të qëndrosh është një zgjedhje po aq legjitime sa të ikësh. Madje, ndonjëherë ata që kanë mbetur këtu kanë bërë një sakrificë që nuk duket. Kanë mbajtur gjallë shtëpitë, prindërit, kujtesën, lagjet, qytetet dhe një vend që shumë të tjerë e kanë dashur më shumë pasi e kanë braktisur. Atdheu nuk është vendi ku ke lindur, por vendi ku mund të jetosh me dinjitet.Dhe nëse një shqiptar e ka gjetur atë vend diku tjetër, kjo nuk e bën më pak shqiptar.Por as nuk është më shqiptar se ai që ka zgjedhur të qëndrojë. Kush e ka ndërtuar shtëpinë larg, le ta dojë Shqipërinë sa të dojë. Vetëm të mos e kthejë mallin e tij në gjyq për ata që kanë mbetur këtu. P.J/ReportTv.al Ardi Stefa atdheu shqiperi Komento Komente Sondazhi i ditës: A mendoni se Shqipëria është e përgatitur për sezonin e zjarreve? Po 44.6% Jo 48.4% I/e dyzuar 7.1% Vota total: 1973 Sondazhi i ditës: A mendoni se Shqipëria është e përgatitur për sezonin e zjarreve?

