Lajme Zone
Ku janë këpucët e Policisë së Shtetit?
EkonomiJOQ Albania

Ku janë këpucët e Policisë së Shtetit?

Një efektiv i Policisë Rrugore është fotografuar me atlete gjatë shërbimit në Rrugën e Kavajës, në një pamje që ngre pikëpyetje jo për punonjësin e policisë, por për institucionin që duhet ta pajisë atë me uniformën dhe këpucët e shërbimit.

Një efektiv i Policisë Rrugore është fotografuar me atlete gjatë shërbimit në Rrugën e Kavajës, në një pamje që ngre pikëpyetje jo për punonjësin e policisë, por për institucionin që duhet ta pajisë atë me uniformën dhe këpucët e shërbimit.

Fotoja është dërguar në redaksinë e JOQ Albania nga një qytetar, i cili thotë se pamja i kujtoi menjëherë tenderët e uniformave të Policisë së Shtetit.

“Ça ka ndodhur, nuk ka më këpucë? Ka mbaruar furnizimi apo ato që janë marrë prishen shpejt?”, shkruan ai, duke shprehur respekt për efektivin, pasi sipas tij, atletet mund t’i ketë blerë me paratë e veta.

Denoncuesi thotë se fotografia është bërë pasditen e sotme, ndërsa shkruan me ironi: “Mirë që e lënë pa këpucë, por rrezik e heqin nga puna të shkretin se ‘ka turpëruar’ shtetin”.

Dhe këtu qëndron problemi: nëse një efektiv del në shërbim me këpucë të blera vetë, përgjegjësia nuk mund t’i ngarkohet atij. Përkundrazi, pyetja duhet t’i drejtohet Policisë së Shtetit: pse një punonjës i saj nuk është i pajisur me këpucët e uniformës?

Kjo pyetje bëhet edhe më e fortë kur kujton historikun e tenderëve për uniformat dhe këpucët e Policisë.

Në vitin 2020, Policia e Shtetit zhvilloi procedurën për “Blerje dhe shpërndarje të uniformave dhe këpucëve”, me fond limit 2.8 miliardë lekë pa TVSH, në kuadër të një marrëveshjeje 4-vjeçare.

Në prill 2025 u hap një tjetër procedurë për uniforma, grada, stema, shenja dhe këpucë, me fond limit rreth 2.7 miliardë lekë pa TVSH, ose rreth 27.5 milionë euro. Vetëm loti për këpucët kishte një fond limit prej rreth 762 milionë lekësh pa TVSH.

Procedura e vitit 2025 më pas u anulua.

Por pavarësisht miliona lekëve të parashikuara ndër vite për pajisjen e efektivëve, sot kemi një pamje që të paktën kërkon një shpjegim: një punonjës i Policisë Rrugore që kryen detyrën me atlete.

Ndoshta Policia e Shtetit ka një shpjegim të thjeshtë për këtë rast. Por ai shpjegim duhet dhënë.

Ku janë këpucët e uniformës? Pse një efektiv duhet të dalë në shërbim me atlete? Dhe, mbi të gjitha, si mund të ndodhë kjo pas gjithë këtyre viteve dhe miliona lekëve të planifikuara për uniformat dhe këpucët e Policisë?

Këto janë pyetje që nuk ia drejtojmë efektivit në foto, por institucionit që ka për detyrë ta pajisë atë.