Lajme Zone
I përfshirë në trafik kokaine, burg për të riun shqiptar në Skoci
BotëJOQ Albania

I përfshirë në trafik kokaine, burg për të riun shqiptar në Skoci

Një 31-vjeçar shqiptar është dënuar me 32 muaj burg në Skoci, pasi pranoi përfshirjen në një rrjet të shpërndarjes së kokainës me vlerë deri në 109 mijë paund.

Një 31-vjeçar shqiptar është dënuar me 32 muaj burg në Skoci, pasi pranoi përfshirjen në një rrjet të shpërndarjes së kokainës me vlerë deri në 109 mijë paund.

Bëhet fjalë për Ervis Nezajn, i cili doli para Gjykatës së Sherifit në Aberdeen dhe pranoi akuzën për përfshirje në furnizimin me kokainë gjatë periudhës maj-tetor 2025.

Sipas prokurorisë, policia nisi hetimet në maj të vitit të kaluar, pasi identifikoi një numër telefoni që dyshohej se përdorej për shpërndarjen e drogës. Përmes mbikëqyrjes dhe kamerave të sigurisë, autoritetet e lidhën numrin me Nezajn dhe më pas me një automjet Toyota blu.

Më 12 maj 2025, policia ndaloi automjetin në Trinity Street, Aberdeen. Në pjesën e brendshme u gjetën 1,060 paund cash, ndërsa hetuesit nisën kontrollet në disa adresa që dyshohej se përdoreshin si baza të grupit.

Në një banesë në Eigie Walk, Balmedie, ku nuk jetonte askush në atë moment, policia gjeti dy qese me kokainë dhe pasaportën e Nezajt. Në një apartament në Castle Street, Aberdeen, u gjetën 10 qese me kokainë dhe 280 paund cash.

Më 31 tetor, Nezaj u ndalua së bashku me një person tjetër në një automjet në Summerhill Terrace. Gjatë kontrollit iu gjetën çelësa, një iPhone dhe 910 paund, ndërsa në makinë u zbuluan tetë qese me kokainë të fshehura në pjesën e brendshme të çatisë.

Një prej çelësave të gjetur tek 31-vjeçari rezultoi se i përkiste banesës në Eigie Walk. Kur policia u rikthye atje, gjeti tre qese të tjera me kokainë, ndërsa në një altoparlant u zbuluan 848 gramë kokainë.

Në total, autoritetet sekuestruan 874 gramë kokainë dhe 2,943 paund cash, me një vlerë të përllogaritur në treg deri në 109 mijë paund.

Në gjykatë, Nezaj pranoi fajësinë për përfshirje në furnizimin me kokainë gjatë periudhës 12 maj deri më 31 tetor 2025.

Gjykata u informua se shqiptari kishte pasur probleme me borxhet në Shqipëri dhe kishte një dënim të mëparshëm në Angli për shpërndarje kanabisi.

Avokati i tij deklaroi se Nezaj ishte përfshirë në aktivitetin kriminal për shkak të borxheve dhe se pas lirimit synonte të kthehej në Shqipëri.

Sherifi Craig Findlater tha se 31-vjeçari kishte pranuar përfshirjen në shitjen e kokainës në mënyrë komerciale për disa muaj dhe se sasia e drogës së sekuestruar ishte e konsiderueshme.