Kryeprokurori i Shtetit, Zejnulla Gashi ka zhvilluar takim me u.d. Kryeprokurorin e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, Dren Paca, pas marrjes së detyrës së tij.Gjatë takimit, Gashi e ka uruar Pacën për detyrën e re, duke shprehur gatishmëri për bashkëpunim dhe koordinim institucional në përmbushjen e përgjegjësive të Prokurorisë Speciale. Sipas njoftimit nga Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit, të dy zyrtarët janë dakorduar për intensifikimin e përpjekjeve të përbashkëta në luftimin e korrupsionit të nivelit të lartë, krimit të organizuar, terrorizmit, krimeve të luftës dhe formave të tjera komplekse të kriminalitetit.Në takim është diskutuar edhe për fuqizimin e bashkëpunimit juridik ndërkombëtar me partnerët strategjikë të Kosovës, veçanërisht në luftimin e krimeve transnacionale që cenojnë sigurinë dhe sundimin e ligjit.Një tjetër prioritet i dakorduar është zhvillimi i hetimeve financiare, si dhe gjurmimi, sekuestrimi dhe konfiskimi i pasurive të paligjshme që dyshohet se janë fituar përmes veprave penale që janë në kompetencë ekskluzive të Prokurorisë Speciale.“Krahas ndjekjes penale, prioritet do të jetë edhe zhvillimi i hetimeve financiare, si dhe gjurmimi, sekuestrimi dhe konfiskimi i pasurive të paligjshme, të cilat janë fituar përmes veprave penale që bien në kompetencë ekskluzive të Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, si dhe nevoja për aplikim efektiv të Ligjit për Kompetencat e Zgjeruara të Konfiskimit të Pasurisë”, thuhet në njoftim. /Telegrafi/

