Kryeministri i Malit të Zi, Milojko Spajić, ka paralajmëruar publikisht për praninë e një aktiviteti të koordinuar hibrid që synon të destabilizojë vendin dhe të bllokojë avancimin e tij drejt integrimit në Bashkimin Evropian. Përmes një deklarate në rrjetin social X, Spajić bëri me dije se autoritetet malazeze disponojnë të dhëna serioze operative, sipas të cilave mbyllja e kapitujve të rinj në negociatat me BE-në pritet të shoqërohet me sulme hibride ku dyshohet se janë të përfshirë zyrtarë të të paktën dy shteteve të rajonit. Kreu i qeverisë malazeze nëlëviz se këto përpjekje synojnë destabilizimin e vendit përmes mbështetjes nga aktorë të caktuar politikë dhe një pjesë e skenës mediatike vendase. Megjithatë, Spajić siguroi se këto ndërhyrje nuk do të arrijnë të ndryshojnë kursin dhe as të ndalin integrimin evropian të Malit të Zi. Ndonëse kryeministri Spajić zgjodhi të mos përmendte me emër shtetet e dyshuara, mediat lokale kanë zbardhur prapaskenat e deklaratës së tij. Gazeta malazeze “Vijesti”, duke iu referuar burimeve konfidenciale, raportoi se dy vendet e rajonit për të cilat fliste indirekt kryeministri lidhur me veprimtarinë hibride janë Serbia dhe Shqipëria. © BalkanWeb Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb

