Lajme Zone
Kryeministri e akuzoi për shitje të lëndëve narkotike, i riu mohoi akuzat/ BIRN: Rama nuk jep prova për pretendimet ndaj studentit të Mjekësisë
PolitikëBalkanWeb
Ky artikull është pjesë e një historie me 3 burime — Krahaso mbulimin →

Kryeministri e akuzoi për shitje të lëndëve narkotike, i riu mohoi akuzat/ BIRN: Rama nuk jep prova për pretendimet ndaj studentit të Mjekësisë

Blerina Gjoka | BIRN

“Zoti kryeministër paska dalë sot dhe më ka akuzuar për prodhim dhe shitje narkotikësh, por unë jam student i Mjekësisë, e kam të shkruar këtu dhe s’e di se çfarë legjendash me mbret shpik ky,” tha Sinoimeri për mediat, duke treguar gjithashtu listën e tij të notave si student i ekselencës me një mesatare 10.

“Këto janë përpjekjet e fundit të diktatorit,” shtoi ai.

Sinoimeri shtoi se për herë të parë në polici kishte qenë më 13 tetor, pasi policia e kishte shoqëruar gjatë protestës dhe kishte qëndruar në komisariat për 7 orë e gjysmë. Ai shprehu mosbesim tek institucionet për të kërkuar të drejtën e tij ndaj akuzave publike të pabazuara.

Kryeministria nuk arriti të vinte në dispozicion prova mbi akuzat publike të kryeministrit Edi Rama për rastin konkret, por e konsideroi fjalën e tij si ‘provë’.

“Provat i tha kryeministri në daljen e tij,” tha për BIRN drejtoresha e Agjencisë për Media dhe Informim, Manjola Hasa.

Ky nuk është rasti i parë që kryeministri Rama përdor strategjinë e linçimit publik ndaj protestuesve. Ai e bëri këtë edhe gjatë muajit qershor, kur protestat paqësore, të inicuara si kundërshtim ndaj një projekti turistik në zonën e mbrojtur të Zvërnecit, ishin në kulmin e tyre.

Por, ekspozimi publik i fotove të protestuesve dhe akuzat ndaj tyre për vepra penale ka sjellë reagim të shoqërisë civile, që e quajnë këtë një akt antiligjor të kryeministrit.

“Edhe policia kur i arreston të dyshuarit për krime, edhe për vrasje, e ka të ndaluar t’i ekspozojë fotot, pasi deri në një vendim të formës së prerë të gjykatës, ai/ajo prezumohet i pafajshëm,” shkruan gazetari Mentor Kikia, i cili e quan veprimin e Ramës një akt penal në një reagim publik në Facebook.

Edhe Afrim Krasniqi, drejtor i Institutit për Studimeve Politike, në një qëndrim të publikuar në Facebook, e quan një akt penal veprimin e kryeministrit, ndërsa rikthen në vëmendje që në karrierën e tij si kryeministër ka kandiduar dhe zgjedhur si përfaqësues në Kuvend apo në pushtetin vendor persona të dënuar nga drejtësia.

“I njëjti sot bëri tablonë sinoptike/ fletërrufe dhe gjyq publik kundër qytetarëve që dolën në protestë kundër korrupsionit, midis të cilëve edhe ky i ri: imagjinoni jetën e djalit 20 vjeçar, student ekselence, mjek, dhe kryeministri i vendit të tij e denigron me të pavërteta live në të gjitha TV, militantët mbështetës të qeverisë vijojnë denigrimin në portale dhe mediat online,” shkruan Krasniqi.

Ai apelon që institucionet e pavarura, komisionerët për të drejtat e njeriut dhe SPAK të nisin hetime serioze kundër akteve të tilla. © BalkanWeb Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb