Protesta përpara godinës së Kryeministrisë ka vijuar me fjalime të forta nga aktivistët e pranishëm, të cilët kanë dënuar keqqeverisjen, korrupsionin dhe dështimin e sistemit të drejtësisë për të hetuar elitat politike në vend. Gjatë fjalës së tij, një nga aktivistët e cilësoi kryeministrin si “më qesharakun që ka njohur historia”, duke e akuzuar për shpërdorim të parave publike dhe arrogancë me pushtetin. “Tani na nxjerr një platformë të re si pasqyrë, por pasqyra ku ai shihet është pasqyra e korrupsionit dhe krimit të organizuar! Qëllimin tonë mund ta arrijmë vetëm të bashkuar dhe kjo protestë ka bashkuar çdo shqiptar nga çdo cep i botës. Kjo është një ulërimë e madhe kundër një sistemi që na ka plaçkitur e grabitur! Ju erdhi fundi! Ky kryeministër i korruptuar e shfaq veten me një makinë luksoze të blerë me taksat tona për të cilat ai nuk jep llogari! Turp! Turp! Turp!” deklaroi aktivisti. Në vijim, ai lëshoi kritika të forta ndaj sistemit të drejtësisë, duke nënvizuar se prokurorët e gjyqtarët po heshtin përballe aferave korruptive pavarësisht pagave të larta që përfitojnë. “Ne jemi këtu sepse drejtësia nuk ka vepruar, edhe pse tani paguhet me pagat më të larta në këtë vend. Ata kanë heshtur sepse nëse do kishin marrë vendimet e duhura dhe të kishin arrestuar kryeministrin, kreun e opozitës, Belinda Ballukun dhe kastën e korruptuar, nuk do ishim këtu sot! Nevoja e madhe për ndryshime thelbësore kushtetuese nuk është dëshira e ndonjërit, por për të ndryshuar gabimin e madh historik që Rama dhe Berisha bënë në vitin 2008. Kushtetuta aktuale ka krijuar autokratë, njerëz që grabisin vendin tonë!” përfi ai. © BalkanWeb Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
