Lajme Zone
“Krug je zatvoren”/ Aleksandri dhe iluzionet e humbura të Perëndimit
BotëPamfleti

“Krug je zatvoren”/ Aleksandri dhe iluzionet e humbura të Perëndimit

Për më shumë se një dekadë, kancelaritë perëndimore e trajtuan Vuçiçin si fëmijën problematik të Ballkanit që duhej mbajtur pranë, përkëdhelur kur ishte e nevojshme dhe qortuar vetëm për aq sa të mos largohej nga tavolina. Ideja ishte e thjeshtë dhe, në pamje të parë, pragmatike: Serbia ishte tepër e rëndësishme për t’iu lënë Rusisë, ndërsa Vuçiçi ishte tepër i fuqishëm brenda Serbisë për t’u anashkaluar, ndaj Perëndimi zgjodhi të investonte tek ai me shpresën se pushteti, ekonomia dhe perspektiva europiane do ta largonin gradualisht nga nacionalizmi politik ku ishte formuar.

Aleksandar Vuçiç dhe Vojislav Sheshel / E joshën drejt Europës, por Aleksandar Vuçiç nuk u largua kurrë nga shtëpia e tij politike... “Krug je zatvoren”: rrethi është mbyllur. Është një shprehje e thjeshtë serbe, por ndoshta asnjë formulim tjetër nuk e përmbledh më mirë udhëtimin politik të Aleksandar Vuçiçit, i cili nisi në krah të Vojislav Sheshelit dhe radikalëve serbë, kaloi përmes një metamorfoze të gjatë që e shndërroi, të paktën në sytë e Perëndimit, në një konservator pragmatist dhe partner të domosdoshëm të Brukselit, për t’u kthyer sot përsëri aty ku gjithçka kishte filluar. Përfshirja e radikalëve në listën e SNS-së është, në këtë kuptim, shumë më tepër sesa një marrëveshje elektorale: është mbyllja simbolike e një rrethi politik dhe, njëkohësisht, momenti kur një prej iluzioneve më jetëgjata të politikës perëndimore në Ballkan nis të shembet përfundimisht.

Për më shumë se një dekadë, kancelaritë perëndimore e trajtuan Vuçiçin si fëmijën problematik të Ballkanit që duhej mbajtur pranë, përkëdhelur kur ishte e nevojshme dhe qortuar vetëm për aq sa të mos largohej nga tavolina. Ideja ishte e thjeshtë dhe, në pamje të parë, pragmatike: Serbia ishte tepër e rëndësishme për t’iu lënë Rusisë, ndërsa Vuçiçi ishte tepër i fuqishëm brenda Serbisë për t’u anashkaluar, ndaj Perëndimi zgjodhi të investonte tek ai me shpresën se pushteti, ekonomia dhe perspektiva europiane do ta largonin gradualisht nga nacionalizmi politik ku ishte formuar.

Në Bruksel, Berlin, Paris dhe Uashington u krijua kështu bindja se ish-nxënësi politik i Sheshelit mund të transformohej në garantin e stabilitetit ballkanik, mjaftonte që dera europiane të qëndronte hapur, investimet të vazhdonin dhe Beogradit t’i jepej hapësira e nevojshme për të kryer një tranzicion që, sipas kësaj logjike, nuk mund të ndodhte brenda natës. Autoritarizmi në rritje u relativizua në emër të stabilitetit, marrëdhëniet me Moskën u trajtuan si një trashëgimi historike që duhej administruar me durim, ndërsa retorika nacionaliste ndaj Kosovës, Bosnjës dhe herë pas here edhe ndaj Malit të Zi u konsiderua shpesh si instrument për konsum të brendshëm, jo domosdoshmërisht si shprehje e drejtimit strategjik të Beogradit.

Këtu qëndron edhe keqkuptimi themelor që po bëhet gjithnjë e më i vështirë për t’u fshehur: Perëndimi ngatërroi pragmatizmin e Vuçiçit me europianizimin e tij. Fakti që presidenti serb ishte i gatshëm të negocionte me Brukselin, të priste kancelarë dhe presidentë europianë, të sillte kapital perëndimor në Serbi dhe të bënte marrëveshje kur ato i shërbenin pushtetit të tij, u interpretua gradualisht si dëshmi se ai po largohej nga hapësira politike prej së cilës kishte ardhur. Në të vërtetë, mund të ketë ndodhur e kundërta: Vuçiçi nuk u europianizua aq sa Perëndimi mësoi të bashkëjetonte me Vuçiçin.

Kjo është arsyeja pse rikthimi i radikalëve pranë SNS-së ka një peshë që shkon shumë përtej numrit të votave që ata mund t’i sjellin pushtetit. Aleksandar Vuçiç e kishte ndërtuar transformimin e tij politik pikërisht mbi ndarjen nga Partia Radikale Serbe dhe nga Vojislav Shesheli, duke krijuar imazhin e politikanit që kishte kuptuar se Serbia e viteve ’90 kishte përfunduar dhe se e ardhmja e vendit ndodhej në një marrëdhënie të re me Europën. Kur, pas gjithë këtij udhëtimi, njerëzit e së njëjtës familje politike rikthehen në listën e tij, bëhet e vështirë të mos shtrohet pyetja nëse kemi të bëjmë me një kthim ideologjik apo thjesht me rënien e dekorit që për shumë vite e kishte fshehur vazhdimësinë.

Dhe pikërisht këtu “Krug je zatvoren” merr kuptimin e tij të plotë. Rrethi nuk mbyllet vetëm sepse Vuçiçi takohet përsëri politikisht me radikalët; ai mbyllet sepse pas më shumë se një dekade eksperimentesh diplomatike, kompromisesh dhe shpresash, Perëndimi gjendet përballë një Serbie që vazhdon të kërkojë përfitimet ekonomike të Europës pa pranuar domosdoshmërisht orientimin e saj politik, që negocion me Brukselin ndërsa ruan lidhjet me Moskën dhe Pekinin dhe që, sa herë pushteti ka nevojë për mobilizim të brendshëm, e gjen përsëri Kosovën dhe nacionalizmin në arsenalin e vet politik.

Në këtë histori, pra, çështja më interesante nuk është nëse Aleksandar Vuçiç e mashtroi Perëndimin. Një fuqi politike që ndërton strategjinë e saj mbi shpresën se një lider tjetër do të ndryshojë karakter vetëm sepse i ofrohen stimuj të mjaftueshëm, nuk mund t’ia atribuojë përgjithmonë dështimin dinakërisë së atij lideri. Pyetja shumë më serioze është se përse Perëndimi, megjithëse e njihte biografinë politike të Vuçiçit, natyrën e regjimit që ai po ndërtonte dhe mënyrën se si përdorte njëkohësisht Brukselin, Moskën dhe Pekinin, vazhdoi të besonte se koha po punonte në favor të tij.

Ndoshta përgjigjja gjendet te Kosova, sepse aty lindi edhe varësia më e madhe perëndimore nga Vuçiçi. Për Brukselin dhe Uashingtonin, presidenti serb nuk ishte vetëm njeriu që kontrollonte Serbinë; ai ishte njeriu që, në teorinë e tyre, kishte fuqinë politike për t’i shitur opinionit serb një marrëveshje përfundimtare me Kosovën. Sa më shumë që kjo marrëveshje vonohej, aq më i domosdoshëm bëhej Vuçiçi dhe, paradoksalisht, sa më i domosdoshëm bëhej ai, aq më shumë rritej çmimi që Perëndimi ishte i gatshëm të paguante për ta mbajtur në anën e vet.

Kështu, ajo që nisi si një përpjekje për ta tërhequr Aleksandar Vuçiçin drejt Perëndimit rrezikon të përfjë si historia e një Perëndimi që, duke pritur pafundësisht transformimin e tij, uli gradualisht kriteret me të cilat e gjykonte.

Dhe tani, pas gjithë këtyre viteve, Aleksandri po kthehet aty ku kishte nisur.

Krug je zatvoren. Rrethi është mbyllur./Pamfletialeksandar vuçiç vojislav sheshel iluzionet e humbura perëndimi gjergj zefi Lini një Përgjigje Anuloje përgjigjen Editorial Evropa mes dy zjarresh 14 Shtator 2026, 11:1411:14Editorial Hëngshi kokat tuaja 13 Shtator 2026, 12:4612:46Editorial Ditë të zeza po vijnë... 12 Shtator 2026, 10:3110:31Editorial Lëvizjet me pikatore dhe të vonuara të Edi Ramës në qeveri 11 Shtator 2026, 12:5112:51Editorial Shqipëria si plaçkë e mbijetesës së Edi Ramës 9 Shtator 2026, 14:3614:36Editorial Si t’ia shpëtojmë jetën Edi Ramës 8 Shtator 2026, 14:5014:50Editorial