Bekim Sejdiu është kandidati konsensual për President të Kosovës, pas një marrëveshjeje të minutës së fundit të arritur mes kryeministrit në detyrë Albin Kurti dhe kreut të LDK-së, Lumir Abdixhiku. Marrëveshja që u njoftua nga ky i fundit, i hap rrugën zhbllokimit të krizës politike që kishte lënë Kosovën pa institucione të reja për gati tre muaj pas zgjedhjeve parlamentare. Sejdiu është një emër i njohur në diplomacinë dhe drejtësinë e Kosovës. Ai ka qenë pjesë e brezit të parë të diplomatëve pas shpalljes së pavarësisë, ambasadori i parë i Kosovës në Turqi, Konsull i Përgjithshëm në Nju Jork dhe më pas gjyqtar i Gjykatës Kushtetuese. Krahas angazhimeve shtetërore, ai është profesor i së Drejtës Ndërkombëtare në Universitetin e Prishtinës. LEXO edhe...Avdullah Hoti del kundër marrëveshjes Kurti-Abdixhiku për Bekim Sejdiun president: Nuk është figurë unifikuese e nuk e votoj! Në fjalën e tij para mediave, Sejdiu tha se e ka pranuar propozimin që të jetë kandidat për president, duke pasur parasysh kontekstin politik në të cilin ndodhet Kosova. “Kjo mua më bën të ndihem i nderuar, besimi që më kanë dhënë përfaqësuesit e dy partive. Unë e kam pranuar këtë propozim, edhe pse ambicia ime ka qenë gjithmonë në fusha akademike. Duke qenë i vetëdijshëm edhe për barrën edhe përgjegjësinë që e sjell posti i presidentit, por edhe në kontekstin aktual politik, jam në shërbim të Kosovës, qytetarëve dhe shtetit tonë, që të shërbej me devotshmëri siç kam bërë gjithmonë”, tha Sejdiu në një deklaratë për mediat. “Motivi im i parë dhe kryesor ka qenë që të vihem në shërbim të Kosovës”, shtoi ai. Mediat në Kosovë raportojnë se Sejdiu ka qenë gjyqtar raportues në çështjen që çoi në rrëzimin e Qeverisë Hoti në vitin 2020, një element që, sipas tyre, ishte i ndjeshëm për LDK-në. Megjithatë, kjo nuk pengoi arritjen e marrëveshjes mes dy palëve. “Që nga data 9 korrik lemi pasur takime të gjata, me diskutime të vazhdueshme dhe mjaft intensive. Të dyja palët kemi qenë të përkushtuar që të përcaktohemi për një emër konsensual për Presidentin e Republikës së Kosovës. Gjatë diskutimeve janë përmendur shumë emra personalitetesh të shquara që kanë mbështetje edhe në popull, edhe në shumë vende të Kosovës, që kanë dhënë kontribut profesional dhe kombëtar në shoqërinë tonë dhe që kanë vlera demokratike e shtetërore. Nga të gjithë emrat që janë propozuar e shqyrtuar, në mesin e të cilëve të gjithë ishin individë të dalluar, gjatë diskutimeve të përbashkëta jemi dakorduar për një emër dhe ai është Profesor Doktor Bekim Sejdiu. Karriera e Profesor Doktor Sejdiut është e shquar dhe e pasur, me përvojë të ndryshme e pozita të rëndësishme“ deklaroi Abdixhiku ndërkohë që Albin Kurti qëndronte pas tij në heshtje. Çështja e zgjedhjes së presidentit ka qenë në ngërç që nga prilli i vitit 2026, kur përfi mandati i ish-presidentes Vjosa Osmani. Që nga ajo kohë, detyrën e ushtrueses së presidentes e mban Albulena Haxhiu. Për zgjedhjen e presidentit në Kuvend kërkohet prania e të paktën 80 deputetëve në sallë. Në dy raundet e para të votimit, kandidati duhet të marrë dy të tretat e votave të të gjithë deputetëve ose 80 vota. Në raundin e tretë, presidenti zgjidhet me shumicën e votave të të gjithë deputetëve ose të paktën 61 vota. Ora 15:11 Avdullah Hoti del kundër marrëveshjes Kurti-Abdixhiku për Bekim Sejdiun president: Nuk është figurë unifikuese e nuk e votoj! Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hoti, ka dalë kundër marrëveshjes mes Albin Kurtit dhe Lumir Abdixhikut për kandidimin e Bekim Sejdiut për President të Kosovës, duke bërë të ditur se nuk do ta mbështesë me votë." Nuk e përkrah këtë kandidaturë për President të Republikës së Kosovës, jo për arsye personale, por për një parim politik dhe institucional. Presidenti i Republikës duhet të jetë figurë unifikuese, e cila ndërton konsensus përtej interesave partiake dhe përfaqëson interesin e përgjithshëm të qytetarëve. Në vlerësimin tim, kjo kandidaturë nuk e përmbush këtë kriter. Njëkohësisht, kjo kandidaturë nuk pasqyron interesat politike dhe parimore të Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe elektoratit të saj. Përkundrazi, mënyra se si është imponuar kjo zgjidhje krijon përshtypjen se LDK ka penguar edhe kandidatura të tjera politike, vetëm për t’i hapur rrugë një kandidature që, në thelb, është po ashtu politike. LDK duhet të ketë një qëndrim të qartë, të pavarur dhe të përgjegjshëm. Nuk mund të mbështesim një kandidaturë vetëm për hir të një marrëveshjeje politike, nëse ajo nuk përfaqëson parimet, interesat dhe pritjet e elektoratit të LDK-së. Kjo nuk është çështje individësh. Është çështje e parimeve, identitetit politik dhe përgjegjësisë që kemi ndaj votuesve tanë. Zoti e bekoftë Lidhjen Demokratike të Kosovës" ka shkruar ai. Share Ora 14:17 Vjosa Osmani mbështet Bekim Sejdiun për President të Kosovës: Ka integritet dhe vizion! Ish-presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka mbështetur publikisht kandidaturën e Bekim Sejdiut për President të Republikës, pak pasi u bë e ditur se ai është emri për të cilin kanë rënë dakord Albin Kurti dhe Lumir Abdixhiku.Përmes një postimi në rrjetet sociale, Osmani e cilësoi Sejdiun si një figurë që përfaqëson “seriozitetin, integritetin dhe vizionin” që kërkon posti i kreut të shtetit."Sot, Kosova ka një emër për Presidentin e Republikës që përfaqëson seriozitetin, integritetin dhe vizionin që kërkon një përgjegjësi e tillë. Prof. Dr. Bekim Sejdiu. Një profesionist i dëshmuar, një njeri me integritet dhe një figurë që e njeh nga afër shtetin, institucionet dhe sfidat e Kosovës. Për mua, ai është gjithashtu një bashkëpunëtor i dëshmuar, me të cilin kam pasur nderin të bashkëpunoj për 25 vite, përfshirë në kabinetin tim gjatë mandatit tim si Presidente, si dhe ta njoh nga afër përkushtimin, karakterin dhe përgjegjësinë e tij. Në fund, vendimi i takon përfaqësuesve të zgjedhur të Republikës dhe përgjegjësia për këtë vendim është historike. Ta bëjmë këtë zgjedhje duke menduar për Kosovën që duam të ndërtojmë, për interesin shtetëror, për stabilitetin institucional, për fuqizimin e aleancës euroatlantike e për demokracinë. Na priftë e mbara, për Republikën mbi të gjitha" shkroi Osmani në rrjete sociale. Share Ora 13:34 Kush është Bekim Sejdiu? Diplomati që ndërtoi ambasadat e para të Kosovës dhe ish-gjyqtari i Kushtetueses që pritet të jetë President Bekim Sejdiu i lindur në 1974-ën është një prej emrave më të njohur në diplomacinë dhe drejtësinë e Kosovës. Me një karrierë që shtrihet nga ngritja e shërbimit diplomatik të shtetit të ri, te Gjykata Kushtetuese dhe bota akademike, ai pritet të jetë kandidati për President të Kosovës.Sejdiu ishte pjesë e brezit të parë të diplomatëve të Kosovës pas shpalljes së pavarësisë. Fillimisht shërbeu si këshilltar në Ministrinë e Punëve të Jashtme, ndërsa në vitin 2008 u emërua përfaqësues i Kosovës në Ankara. Një vit më vonë u dekretua ambasadori i parë i Kosovës në Turqi, ku qëndroi deri në vitin 2012.Më pas ai u transferua në Shtetet e Bashkuara, ku shërbeu si Konsull i Përgjithshëm i Kosovës në Nju Jork nga viti 2012 deri në 2014. Në këtë detyrë ishte pjesë e përfaqësimit të Kosovës në aktivitetet diplomatike dhe takimet e nivelit të lartë në OKB.Në vitin 2015, Sejdiu u zgjodh gjyqtar i Gjykatës Kushtetuese të Kosovës. Gjatë mandatit të tij mori pjesë në shqyrtimin e disa prej çështjeve më të rëndësishme kushtetuese në vend, ndërsa në vitin 2021 dha dorëheqjen nga kjo detyrë.Përveç angazhimeve shtetërore, ai është profesor në Departamentin e së Drejtës Ndërkombëtare në Fakultetin Juridik të Universitetit të Prishtinës. Studimet juridike i ka përfunduar në Universitetin e Prishtinës, ndërsa ka dy diploma master, në marrëdhënie ndërkombëtare dhe në demokraci e të drejta të njeriut. Doktoraturën e ka përfunduar në studime ndërkombëtare dhe diplomatike në Nova Univerza të Sllovenisë.Sejdiu ka qenë gjithashtu aktiv në sektorin e shoqërisë civile, si një nga themeluesit e Institutit Kosovar për Hulumtime dhe Zhvillime të Politikave (KIPRED), si edhe drejtor programi në Fondacionin Kosovar për Shoqëri Civile (FKSHC). Gjatë karrierës së tij është nderuar me disa dekorata dhe mirënjohje ndërkombëtare, ndërsa ka botuar edhe punime shkencore në fushën e së drejtës dhe marrëdhënieve ndërkombëtare. Share Ora 13:22 Marrëveshja Kurti-Abdixhiku/ Bekim Sejdiu flet pasi u propozua si president: Do t'u shërbej me devotshmëri qytetarëve Bekim Sejdiu, ka dhënë deklaratën e parë për media, pasi u propozua si president i Kosovës. Ai tha se gjatë negociatave mes VV-së dhe LDK-së, emri i tij ka arritur të jetë ai dakordues mes dy partive.Ndër të tjera ai u shpreh se do t'u shërbej me devotshmëri popullit të Kosovës.“Kjo mua më bën të ndihem i nderuar, besimi që më kanë dhënë përfaqësuesit e dy partive. Unë e kam pranuar këtë propozim, edhe pse ambicia ime ka qenë gjithmonë në fusha akademike. Duke qenë i vetdijëshëm edhe me barrën edhe përgjegjësinë që e sjell posti i presidentit, por edhe në kontekstin aktual politik, jam në shërbim të Kosovës, qytetarëve dhe shtetit tonë,.. që të shërbej me devotshmëri siç kam bërë gjithmonë”, u shpreh kandidati për president. Share U.D/ReportTv.al Vetëvendosje LVV LDK Bekim Sejdiu kosove kriza politike ne kosove Albin Kurti Lumir Abdixhiku Komento Komente 313: 31/08/2026 14:31 Per hajer ju kjoft! Përgjigju Sondazhi i ditës: Bashkia e Tiranës pa drejtues në zyrë, kush e ka përgjegjësinë? Politika 30.1% Drejtësia 66.5% Nuk e di 3.4% Vota total: 1647 Sondazhi i ditës: Bashkia e Tiranës pa drejtues në zyrë, kush e ka përgjegjësinë?
