Lajme Zone
Kriza e emigracionit në Britani dhe hija e George Soros/ A po ndikohet politika nga aktorë që nuk zgjidhen nga qytetarët?
BotëPolitiko

Kriza e emigracionit në Britani dhe hija e George Soros/ A po ndikohet politika nga aktorë që nuk zgjidhen nga qytetarët?

Kriza e emigracionit në Britani nuk mund të matet vetëm me numrin e gomoneve që kalojnë Kanalin Anglez, azilkërkuesit që presin përgjigje apo kostot që rëndojnë mbi shtetin. Pas shifrave fshihet një debat shumë më i madh: kush duhet të ketë fjalën e fundit për mënyrën se si përcaktohet e ardhmja e një vendi? Kjo është pyetja mbi të cilën ndërtohet një analizë e publikuar më 14 gusht 2026,nga 'Then

Kriza e emigracionit në Britani nuk mund të matet vetëm me numrin e gomoneve që kalojnë Kanalin Anglez, azilkërkuesit që presin përgjigje apo kostot që rëndojnë mbi shtetin.

Pas shifrave fshihet një debat shumë më i madh: kush duhet të ketë fjalën e fundit për mënyrën se si përcaktohet e ardhmja e një vendi?

Kjo është pyetja mbi të cilën ndërtohet një analizë e publikuar më 14 gusht 2026,nga 'Thenewconservative' e cila vendos në qendër të debatit edhe figurën e miliarderit dhe filantropit George Soros.

Sipas artikullit, tradita politike britanike është mbështetur prej shekujsh mbi parimin se pushteti buron nga qytetarët. Qeveritë përgjigjen përpara Parlamentit, deputetët përpara zgjedhësve dhe ata që marrin vendime mund të largohen përmes votës, përcjell Politiko.al.

Por, sipas kësaj analize, kjo skemë është bërë më e ndërlikuar në dekadat e fundit. Organizata ndërkombëtare, rrjete transnacionale, organizata të financuara privatisht dhe grupe që angazhohen në çështje ligjore e politike kanë fituar një ndikim gjithnjë e më të madh në politikat publike.

Në këtë kontekst, George Soros paraqitet si një prej shembujve më të njohur të këtij fenomeni.

Për mbështetësit e tij, Soros është një prej filantropëve më të rëndësishëm të periudhës pas Luftës së Ftohtë. Përmes Open Society Foundations, ai ka financuar prej dekadash projekte që lidhen me demokracinë, të drejtat e njeriut, reformën në drejtësi, arsimin dhe shoqërinë civile në vende të ndryshme të botës.

Por kritikët e tij e shohin ndryshe rolin e miliarderit. Sipas tyre, fuqia e madhe financiare e Sorosit i ka dhënë mundësinë të ndikojë në debate politike, ligjore dhe shoqërore përtej kufijve të një shteti, pa iu nënshtruar të njëjtit kontroll demokratik si qeveritë e zgjedhura.

Emigracioni, përplasja mes të drejtave dhe kontrollit të kufijve

Analiza thekson se problemet e emigracionit në Britani nuk mund t'i atribuohen një individi apo një organizate të vetme.

Luftërat në Lindjen e Mesme, destabiliteti në pjesë të Afrikës, rrjetet kriminale të trafikimit të emigrantëve, ndryshimet demografike dhe politikat e ndryshme të ndjekura ndër vite kanë krijuar një situatë komplekse në Evropë.

Megjithatë, autori argumenton se përtej këtyre faktorëve ekziston edhe një betejë idesh.

Në qendër të saj qëndron përplasja mes dy këndvështrimeve: nga njëra anë, mbrojtja e të drejtave universale të refugjatëve dhe emigrantëve dhe, nga ana tjetër, e drejta e një shteti demokratik për të përcaktuar se kush hyn në territorin e tij dhe në çfarë kushtesh.

Organizatat e financuara nga Open Society Foundations kanë mbështetur për vite me radhë grupe që merren me mbrojtjen e refugjatëve, azilin, politikat e emigracionit dhe të drejtat e emigrantëve në Evropë.

Për mbështetësit e kësaj qasjeje, bëhet fjalë për mbrojtjen e të drejtave të njeriut dhe respektimin e detyrimeve ndërkombëtare.

Kritikët konservatorë, megjithatë, argumentojnë se interpretimet gjithnjë e më të gjera të të drejtave të azilit kanë ndikuar në krijimin e një sistemi ku përgjegjësia e shtetit për kontrollin e kufijve është lënë në plan të dytë, përcjell politiko.al.

Sipas tyre, humanizmi dhe kontrolli i kufijve nuk duhet të shihen si dy parime që përjashtojnë njëri-tjetrin.

Një shtet që nuk kontrollon dot hyrjen në territorin e tij, argumentojnë ata, rrezikon të humbasë edhe mbështetjen publike për një sistem bujar azili. Në të kundërt, një sistem emigracioni i kontrolluar dhe funksional mund të krijojë më shumë besim te qytetarët për mbrojtjen e atyre që realisht largohen nga vendet e tyre për shkak të persekutimit.

Gomonia dhe kriza e sistemit britanik

Në Britani, debati është bërë veçanërisht i fortë për shkak të kalimeve të vazhdueshme të Kanalit Anglez me gomone.

Qeveritë britanike kanë premtuar në mënyrë të përsëritur forcimin e kontrollit të kufijve, reduktimin e emigracionit të paligjshëm dhe reformimin e sistemit të azilit.

Megjithatë, problemi vijon të jetë një prej çështjeve më të debatuara në vend.

Rrjetet kriminale të trafikimit të emigrantëve kanë përfituar nga dobësitë e sistemit, ndërsa autoritetet lokale përballen me presion mbi strehimin dhe shërbimet publike. Në të njëjtën kohë, shteti përballon kosto të konsiderueshme për akomodimin, procedurat ligjore, apelimet, sigurinë kufitare dhe kthimet.

Autori pranon se këto probleme kanë shumë shkaqe dhe se nuk mund të vendosen mbi shpatullat e një personi të vetëm.

Megjithatë, ai ngre pyetjen nëse politika liberale që ka dominuar debatin evropian për emigracionin gjatë dekadave të fundit ka nënvlerësuar rëndësinë e kontrollit të kufijve.

Në këtë këndvështrim, shkruan politiko.al, kufiri nuk është thjesht një vijë gjeografike, por shihet si një element i rëndësishëm i vetëvendosjes demokratike.

Sytë nga Ballkani

Analiza ndalet edhe te Ballkani, ku Soros dhe organizatat e tij kanë pasur një rol të rëndësishëm pas rënies së komunizmit dhe shpërbërjes së Jugosllavisë.

Përmes fondacioneve të Open Society janë financuar projekte në drejtësi, media, arsim, qeverisje dhe shoqëri civile.

Autorit i intereson veçanërisht fakti se Ballkani është kthyer gjithashtu në një prej korridoreve kryesore të emigracionit drejt Evropës.

Kjo, sipas tij, tregon se zhvillimet politike, institucionale dhe shoqërore jashtë Britanisë mund të kenë pasoja të drejtpërdrejta edhe për sigurinë dhe stabilitetin britanik.

Megjithatë, analiza nuk pretendon se filantropia e Sorosit ka krijuar krizën e emigracionit. Argumenti është më i gjerë: idetë, organizatat dhe politikat që zhvillohen përtej kufijve të një shteti mund të ndikojnë në mënyrë të konsiderueshme te politika e tij e brendshme.

Çfarë kërkojnë konservatorët?

Sipas autorit, konservatorizmi nuk duhet të nënkuptojë kundërshtim ndaj bamirësisë, bashkëpunimit ndërkombëtar apo organizatave të shoqërisë civile.

Por pyetja që ngrihet është se ku duhet të vendoset kufiri mes ndikimit privat dhe autoritetit demokratik.

Kritikët e Sorosit nuk kundërshtojnë të drejtën e tij për të mbështetur financiarisht kauzat që beson. Problemi, sipas tyre, qëndron te fuqia që mund të fitojë një individ apo rrjet organizatash kur disponon burime financiare të jashtëzakonshme dhe arrin të ndikojë në debate që prekin emigracionin, drejtësinë, kufijtë dhe identitetin kombëtar.

Në fund, analiza argumenton se debati nuk është vetëm për George Sorosin.

Soros shihet si simbol i një fenomeni më të gjerë: rritjes së ndikimit të aktorëve ndërkombëtarë dhe jo të zgjedhur mbi politikat e shoqërive demokratike, përcjellë Politiko.al.

Dhe pikërisht këtu, sipas autorit, qëndron pyetja kryesore për Britaninë: a duhet që vendimet mbi kufijtë dhe të ardhmen e vendit të përcaktohen përfundimisht nga qeveritë dhe parlamentet e zgjedhura, apo ndikimi i aktorëve privatë dhe transnacionalë po bëhet tashmë shumë i madh?

Në një kohë kur kriza e emigracionit po trondit politikën britanike, kjo përplasje mes sovranitetit, të drejtave të njeriut dhe ndikimit privat pritet të mbetet një prej debateve më të forta politike në vend./ Dr. Besmira Manaj/ Thenewconservative Kontakto me Politiko në rast se: Mendoni se nuk shkruajmë Shqip Mendoni se kemi bërë shkelje etike Mendoni se kemi bërë CopyPaste Mendoni se kemi bërë FakeNews Doni të postoni nje Lajm