Lajme Zone
Krimi i rëndë në Itali/ Vrau nënën me thikë dhe u dorëzua në polici, gjykata merr vendimin për 21-vjeçarin shqiptar
BotëTop Channel

Krimi i rëndë në Itali/ Vrau nënën me thikë dhe u dorëzua në polici, gjykata merr vendimin për 21-vjeçarin shqiptar

Gjykata e Breshias në Itali ka konfirmuar ndalimin dhe ka caktuar masën e sigurisë “arrest me burg” për 21-vjeçarin Eduart Xhani, i cili akuzohet për vrasjen e nënës së tij, 39-vjeçares Meleqe Lusha.

Gjykata e Breshias në Itali ka konfirmuar ndalimin dhe ka caktuar masën e sigurisë “arrest me burg” për 21-vjeçarin Eduart Xhani, i cili akuzohet për vrasjen e nënës së tij, 39-vjeçares Meleqe Lusha. Megjithatë, i riu me origjinë shqiptare nuk ndodhet aktualisht në qeli, por është i shtruar në Spitalin Civil të Breshias, ku mbahet nën mbikëqyrjen e forcave të policisë. Sipas mediave italiane, kjo masë është marrë edhe për ta mbrojtur nga rreziku i veprimeve të mundshme vetëdëmtuese.

Ngjarja e rëndë ndodhi në Chiari, në provincën e Breshias më 3 nëntor, ku Xhani u paraqit vetë në një kazermë të karabinierëve në Kremona. Ai deklaroi se kishte vrarë nënën e tij një natë më parë. Pas verifikimeve, autoritetet gjetën trupin e pajetë të 39-vjeçares në banesën ku ajo jetonte me të birin.

Gjatë marrjes në pyetje nga gjyqtari i hetimeve paraprake, Mauroernesto Macca, në repartin e Neuropsikiatrisë ku ndodhet i shtruar, 21-vjeçari ka rrëfyer se mbrëmjen e 2 nëntorit kishte menduar t’i jepte fund jetës.

Sipas dëshmisë së tij, ai nuk kishte arritur të gjente vendin e vet në një botë që e konsideronte “të padrejtë dhe të keqe”. Pasi tentativa për vetëvrasje nuk kishte përfunduar siç kishte menduar, ai dyshohet se kishte kthyer thikën drejt nënës së tij, duke e goditur rreth dhjetë herë në pjesën e kraharorit dhe të barkut.

Pas ngjarjes, i riu ishte larguar me automjetin e tij tip Audi A1 dhe rreth orës 07:00 të mëngjesit të ditës pasuese ishte paraqitur në kazermën e karabinierëve në Kremona.

Të premten, më 6 nëntor, është kryer autopsia në trupin e 39-vjeçares Meleqe Lusha, e cila pritet të përcaktojë numrin e saktë të plagëve të shkaktuara. Gjatë dëshmisë para gjyqtarit, 21-vjeçari nuk ka arritur të japë një shpjegim të qartë për arsyet që e çuan drejt vrasjes së nënës së tij.

Sipas informacioneve të publikuara deri më tani nga mediat italiane, mes tyre nuk kishte pasur konflikte apo tensione të mëparshme. Eduart Xhani ka lindur në Itali, në një familje me origjinë shqiptare. Ai ishte zhvendosur nga San Bonifacio, në provincën e Veronës, drejt Chiari-t së bashku me nënën, pas ndarjes së saj nga babai i të riut.

Më herët, 21-vjeçari kishte punuar si murator në një kompani së bashku me xhaxhain e tij, ndërsa më pas kishte gjetur punë në një restorant të ushqimit të shpejtë në Rovato.

Gjendja e tij psikologjike pritet të jetë pjesë e ekspertizave dhe verifikimeve gjatë procesit gjyqësor, ndërsa hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të kësaj ngjarjeje të rëndë vijojnë. Top Channel