Detaje të reja dalin nga hetimi për vrasjen e 45-vjeçares shqiptare në Nea Smyrni të Athinës. Sipas policisë greke, 48-vjeçari me origjinë shqiptare e kishte pritur viktimën në makinën e tij, jashtë pallatit ku ajo jetonte me vajzën 16-vjeçare.
Ngjarja e rëndë ndodhi në orët e para të mëngjesit të së dielës, në rrugën Grigoriou Kydonion, në Nea Smyrni.
Sipas të dhënave të deritanishme, 48-vjeçari kishte shkuar në zonë dhe kishte pritur brenda automjetit derisa 45-vjeçarja të dilte nga pallati. Në momentin që e pa, ai zbriti nga makina, iu afrua dhe e qëlloi disa herë me armë.
Gruaja u rrëzua në hyrje të pallatit, pasi u godit nga plumbat. Menjëherë pas krimit, 48-vjeçari dyshohet se përdori të njëjtën armë për të qëlluar veten në kokë. Arma u gjet pranë trupit të tij.
Hetuesit po përqendrohen te fakti se 48-vjeçari duket se kishte shkuar me qëllim në atë zonë dhe po priste daljen e viktimës. Autoritetet po përpiqen të zbulojnë se sa kohë kishte që qëndronte në pritje, nëse e dinte paraprakisht se 45-vjeçarja ndodhej në apartament dhe çfarë kishte ndodhur mes tyre para ngjarjes.
Deri tani nuk ka të dhëna se viktima dhe 48-vjeçari kanë qenë të martuar. Marrëdhënia mes tyre dhe motivi i krimit mbeten ende objekt hetimi.
Një element tjetër që po verifikohet nga autoritetet lidhet me një denoncim të bërë nga 45-vjeçarja në korrik të vitit 2024.
Sipas burimeve të cituara nga mediat greke, ajo ishte paraqitur në Komisariatin e Akropolit për të denoncuar ish-partnerin e saj, pasi ai nuk i kishte kthyer një motor pas ndarjes. Megjithatë, deri tani nuk është konfirmuar se personi për të cilin kishte bërë denoncimin ishte pikërisht 48-vjeçari që dyshohet për vrasjen. Për këtë arsye, policia po heton nëse dy episodet kanë lidhje me njëri-tjetrin.
Në fokusin e hetuesve është edhe aktiviteti i 48-vjeçarit në rrjetet sociale.
Ai kishte publikuar fotografi ku shfaqej duke pozuar me armë. Policia po verifikon nëse armët e paraqitura në këto fotografi kanë ndonjë lidhje me revolverin e gjetur në vendin e krimit. Gjithashtu, po analizohen telefonatat, mesazhet dhe lëvizjet e fundit të dy personave, me qëllim që të rindërtohet kronologjia e ngjarjeve para vrasjes.

