Lajme Zone
EkonomiEuronews Albania

Kredia rëndon familjet, 1 në 4 huamarrës kalon 30% të të ardhurave


Kredia po rëndon më shumë mbi familjet shqiptare. Edhe pse numri i familjeve me hua ka rënë, 1 në 4 huamarrës shpenzon tashmë mbi 30% të të ardhurave mujore për këstin e kredisë.

Kredia po rëndon më shumë mbi familjet shqiptare. Edhe pse numri i familjeve me hua ka rënë, 1 në 4 huamarrës shpenzon tashmë mbi 30% të të ardhurave mujore për këstin e kredisë. Familjet me kredi bankare thonë se barra e këstit mbi të ardhurat është relativisht e lartë. Sipas anketës së fundit të Bankës së Shqipërisë, 24% e tyre deklarojnë se pagesa e huas u merr më shumë se 30% të të ardhurave mujore. Kjo peshë është në rritje, ndërsa familjet që shpenzojnë më pak se 30% të të ardhurave për këstin janë pakësuar. Aktualisht, 33% e familjeve huamarrëse shpenzojnë deri në 10% të të ardhurave për kredinë. 43% paguajnë nga 10 deri në 30%, ndërsa 24% kalojnë kufirin e 30%. Banka e Shqipërisë vlerëson se aftësia paguese e familjeve është dobësuar disi gjatë gjashtëmujorit të parë. Megjithatë, pritshmëritë për muajt e ardhshëm janë më të qëndrueshme. 70% e familjeve huamarrëse nuk presin ndryshim të aftësisë së tyre për të paguar kredinë. Edhe kërkesa për hua të reja mbetet e moderuar. 62% e familjeve deklarojnë se nuk presin të marrin kredi në gjashtë muajt e ardhshëm. Vrojtimi është kryer në një kampion prej 1200 familjesh, me një shkallë përgjigjeje prej 89%.